• |
ide | kryesore

Mediat në Kosovë: Vuçiç pati takim sekret me kryekriminelin Radoiçiç në Kragujevc

Arkiva, Lajme, Të fundit


Ditën e sotme mediat në Kosovë kanë raportiar për një takim sekret mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe Milan Radoiçiç. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në fillim të këtij muaji është takuar me kryekriminelin Milan Radoiçiç gjatë vizitës që presidenti serb ka pasur në qytetin e Kragujevcit, në fillim të muajit korrik. Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiçit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve për shkak të presionit ndërkombëtar, takimi është tentuar të mbahet sekret. Vuçiç dhe Radoiçiç, janë pajtuar që me raste të kritikojnë njëri-tjetrin në qarqe të caktuara, për të kamufluar bashkëpunimin e afërt që e kanë.

Thuhet se Vuçiç i ka konfirmuar Radoiçiçit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiç ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiçit.

Grupi paramilitar i Milan Radoiçiçit, kohët e fundit ka përqendruar aktivitetet e veta në zonën e Novi Pazarit, ku janë shtuar lëvizjet e tyre në lokacionet e afërta si Banja e Novi Pazarit, Vuçja Llokva, Ribariçi dhe Rogozna.

Gjithnjë sipas burimeve të RTK-së brenda institucioneve të sigurisë, Milan Radoiçiç së fundmi është takuar edhe me disa eprorë të Policisë së Serbisë, me të cilët ka diskutuar “tema të sigurisë” dhe ka kërkuar mbështetjen për grupin e tij, derisa vazhdon të ketë takime të rregullta edhe me zyrtarë të BIA-s serbe.

Do theksuar se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, në vazhdimësi kanë paralajmëruar mundësinë e provokimeve dhe sulmeve të tjera nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili po kryen trajnime të vazhdueshme dhe po strehohet në Serbi.

Të dielën, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, pati një sulm me mjet shpërthyes, ku u dëmtuan dy automjete që ishin të parkuara. Ky sulm, sipas burimeve të RTK-së, kishte për qëllim kërcënimin dhe frikësimin e qytetarëve që po kalonin fundjavën në këtë liqen.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *