• |
ide | kryesore

Abuzime me tenderat, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetarin e bashkisë Finiq dhe 4-ish zyrtarë

Lajme, Të fundit
SPAK


SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë Finiq, Leonidha Hristo, i akuzuar për abuzim me tendera.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.152, të vitit 2022, me të pandehur shtetasit:

1. Leonidha Hristo, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
2. Florian Peri, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
3. Stavro Çavo, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
4. Lefteria Mekshi, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
5. Lefter Karajani, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, ku përfshihen deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale dhe tregojnë rrethanat e hetimit, deklarimet e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, transkriptimet e bisedave të përgjuara, dokumentacionit të administruar nga Bashkia Finiq, këqyrje-marrjeve nga sistemi elektronik i APP-së, këqyrjeve të aparateve celularë, kthim përgjigjeve nga APP dhe shoqëritë ofertuese të internetit, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se:

Në Bashkinë Finiq gjatës periudhës 2017-2019 janë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike.

I pandehuri Leonidha Hristo ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Finiq dhe ka pasur rolin e titullarit në procedurat e prokuruara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Florian Peri ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Njësisë së Prokurimit dhe ka pasur rolin e zyrtarit të prokurimit në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Stavro Çavo ka pasur detyrën e anëtarit të NJP (Njësia e Prokurimit) dhe KVO (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave), si dhe është marrë me administrimin e procedurave të prokurimit në autoritetin kontraktor Bashkia Finiq.

E pandehura Lefteria Mekshi ka pasur detyrën e anëtarit të NJP dhe KVO në procedurat e zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Finiq.

I pandehuri Lefter Karajani ka mbajtur detyrën e Juristit dhe specialistit të Prokurimeve në Bashkisë Finiq.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak rezulton e provuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumentave të tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga të pandehurit Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës. Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, i pandehuri Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Anëtarët e NJP dhe KVO kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni, që kanë qenë pjesë e NJP apo KVO dhe nuk kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në pjesën më të madhe të procedurave deklarojnë se nuk e kanë kryer ata vlerësimin e ofertave dhe nuk kanë hyrë në sistemin elektronik të prokurimeve, si dhe nuk kanë përpiluar dokumentacion/procesverbal, pasi nuk kanë patur dijeni për procedurat e prokurimit. Rezulton e provuar se vlerësimi i ofertave nuk është kryer nga shtetasit e caktuar si anëtarë te KVO-së por është kryer defacto nga i pandehuri Florian Peri duke përdorur IP e Bashkisë Tiranë (ku ka qenë i punësuar më parë) apo të kompanive në pronësi të familjarëve të tij.

Pra, si pasojë e këtyre veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme të kryera në kundërshtim me ligjin për prokurimit publik apo ligjin per vetëqeverisjen vendore, duke vepruar si më lart përshkruar, rezulton se janë kryer një sërë procedura prokurimi fiktive të organizuara dhe ekzekutuara nga të pandehurit Leonidha Hristo, Florian Peri, Stavro Cavo, Lefterie Mekshi dhe Lefter Karajani, duke shpërdoruar detyrat e tyre ligjore dhe duke kualifikuar O.E. të paracaktuar dhe që nuk plotësonin kriteret, duke sjellë edhe pasoja ligjore/shkaktuar dëm ekonomik nga diferencat e ofertave.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *