• |
ide | kryesore

Media italiane: Shtyhet sërish hapja e qendrave për emigrantët në Shqipëri

Lajme, Të fundit



Shtyhet sërish data e hapjes së qendrave italiane të emigrantëve në Shqipëri. Kështu shkruan media italiane “Tgcom24”. Kur vizitoi vendin ku po ndërtohen qendra në qershor, kryeministrja italiane Giorgia Meloni lajmëroi se 1 gushti do të ishte dita e hyrjes në punë të strukturave.

Por në realitet do të duhen ende disa javë që qendrat të aktivizohen, tha pak ditë më parë nënsekretari Alfredo Mantovano, duke shpjeguar se vonesat janë për shkak të “ngadalësimeve” të punimeve.

“Do të jenë operative nga 1 gushti 2024. Do ta realizojmë me sukses. Dy muajt e vonesës janë shkaktuar për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër.”, tha Meloni në 5 qershor 2024, gjatë vizitës së saj në Shqipëri.

Marrëveshja Shqipëri-Itali për pritjen e emigrantëve

Marrëveshja mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për strehimin e emigrantëve u nënshkrua më 6 nëntor të vitit të kaluar. Pakti i firmosur nga kryeministri Rama dhe homologia e tij Giorgia Meloni parashikon krijimin e dy qendrave për identifikimin dhe pritjen e emigrantëve të menaxhuar nga autoritetet italiane në tokën shqiptare, njëra pranë portit të Shëngjinit në veri të vendit, dhe tjetra në brendësi, në Gjadër. Brenda kampeve mund të strehohen deri në 3000 emigrantë, dhe siç parashikon pakti atje do t’u duhet të presin vendimet nëse mund të shkelin ose jo në territorin italian ose, në të kundërt do të riatdhesohen me shpenzimet e Romës.

Qeveria italiane synon që në kampet që do të hapen në Shqipëri, do të dërgohen personat e shpëtuar nga autoritetet në det, pra jo ata të cilët shpëtohen nga organizatat jo qeveritare. Ndërkohë mediat italiane raportojnë se vlera e projektit parashikohet të jetë rreth 34 milionë euro. Vlerë kjo të cilës duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, lidhjen Wi-Fi dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë pakti i nënshkruar mes dy vendeve ka shkaktuar reagime të ashpra si nga opozita shqiptare ashtu dhe nga opozita italiane, pasi sipas tyre kjo marrëveshje shkel të drejtat e njeriut.


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *