• |
ide | kryesore

Përkujtohen policët që vrau Dritan Dajti, në ceremoni mungon Ministri i Brendshëm

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit” dhe në 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në qytetin e Durrësit.

Në ceremoni ra në sy mungesa e ministrit të ri të brendshëm, Ervin Hoxha, por aty morën pjesë zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, drejtues të pushtetit vendor, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe kolegë të të rënëve dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Në nderim të 4 të rënëve u përurua memoriali, vepër e skulptorit Ardian Pepa, realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Po ashtu, me propozim të Bashkisë së Durrësit, Këshilli Bashkiak ka vendosur emërtimin e kësaj rruge “Dëshmorët e Policisë”.

Për Dritan Dajtin mbeti në fuqi dënimi i përjetshëm.

Më 7 gusht 2009, Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit mori informacion pr vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, Dritan Dajti. Më pas u organizua puna, për identifikimin, mbajtjen nq vëzhgim dhe kapjen e tij, duke hartuar dhe planin operacional. Gjatë operacionit për kapjen e Dajtit morën pjesë punonjësit e policisë: Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari (që mbetën të vrarë) dhe policët me iniciale A. Xh., P. L., F. M., P. S., A. M., F. G., A. K. dhe P. H.

Në këtë datë, këta efektivë mbajtën nën vëzhgim në zonën Iliria në lagjen nr. 13 në plazhin e Durrësit, Dritan Dajtin. Rreth orës 13:45, ata konstatuan automjetin “Volkswagen Touareg”, me ngjyrë të zezë me targa CR 535 FR. Për këtë automjet ishte marrë informacion se drejtohej nga Ergest Xhoxhi, kunati i personit në kërkim, Dritan Dajti.

Në vendin e parë të mjetit udhëtonte Ledion Mara dhe në sediljen e pasme, Dritan Dajti. Pas konstatimit të automjetit, vazhdoi puna për kapjen e tyre. Rreth orës 13:50 të ditës së ngjarjes, automjeti ndaloi pranë kryqëzimit për tek pista e vogël Iliria. Në këtë moment, grupi operacional u afrua drejt mjetit “Touareg”, me tri vetura të ndryshme.

Fillimisht u afrua “Volksëageni Golf” blu, në të cilin ndodheshin A. Xh. dhe P. S. N automjetin e dytë “Ford Fiesta” ishin Kastriot Feskaj dhe F. M., ndërsa në t tretin, “Renault” gri ishin efektivët P. L., F. G. dhe Saimir Duçkollari. Polici Altin Dizdari mbërriti tek mjeti “Touareg” me një motor.

Sapo u afruan tek ky mjet, punonjësi i policisë Fatos Xhani hapi derën e shoferit dhe me thirrjen “Ndal Policia” iu drejtua personit që ndodhej në sediljen e pasme. Menjëherë nga ana e këtij personi u hap zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur.

Po nga brenda saj, i njëjti person hapi zjarr nga krahu i djathtë i makinës, nga brenda jashtë me dy armë zjarri, duke mbetur i vrarë Saimir Duçkollari. Efektivët e policisë P. S. dhe Kastriot Feskaj u pëpoqën të neutralizonin tre personat që qëndronin në këmbë pas mjetit tip “Touareg”, kur policia hyri në veprim.

Efektivi P. S. neutralizoi një person rreth 25 vjeç, që e rrëzoi në tokë. Polici F. M. bllokoi dhe prangosi Erges Xhoxhin dhe tentoi ta largonte nga vendi i ngjarjes, pasi kishte të shtëna armësh. Personi i kapur nga polici P. S. mundi të largohej dhe në ndjekje të tij u vu Kastriot Feskaj, që u fut në një rrugicë paralele me atë ku ishte ndaluar mjeti. Personi që vrau policët Xhani dhe Duçkollari, doli nga dera e mjetit, pas ndenjëses së shoferit dhe hapi zjarr drejt policit Altin Dizdari dhe ai mbeti i vrarë bashkë me Ledion Marën.

Më pas, Dajti doli nga makina, u nis drejt plazhit, me një armë që e kishte hedhur krah-qafë, duke qëlluar dy herë në drejtim të policit P. S. që kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, teksa po përleshej me personin që arriti të largohej.

Personi që u largua, u ndoq nga Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë Feskaj, ka arritur ta neutralizojë atë. Pasi pa këtë skenë, Dritan Dajti iu afrua Feskajt dhe e qëlloi dy herë. Personi i neutralizuar u largua, ndërsa Dajti pasi qëlloi Feskajn vazhdoi rrugën drejt plazhit. Në ndihmë të punonjësve të policisë mbërritën efektivë të tjerë që bllokuan Dajtin. Pranë tij u afrua polici P. S., që e prangosi. Në këtë moment ai u vetëidentifikua si Dritan Dajti.

Gjatë veprimeve të kryera u vu re se arma që kishte në dorë Dritan Dajti, nuk kishte më fishek dhe se ai qe plagosur dhe u transportua në spitalin e Durrësit. Në çantën që mbante krahqafë u sekuestruan disa sende dhe dokumente personale, si dhe një krehër pistolete me fishekë.

Dëshmia e policit Arjan Muça

Në dëshminë e tij në gjykatë, oficeri Arjan Muça është shprehur se në kontaktin e parë me Dritan Dajtin i ka thënë: “Me sa mbaj mend i kam thënë “Pse m’i vrave njerëzit?”, nuk mbaj mend të më jetë përgjigjur. Kur i hoqa pistoletën, e pyeta “Kush je ti?” dhe më tha “Dritan Dajti”, atëherë vazhdova duke i thënë “Pse m’i vrave njerëzit”.

Në vendngjarje, sipas akuzës, përveç provave të tjera, është sekuestruar një aparat telefoni celular me numër 06943… që i përket Ergest Xhoxhit. Nga kqyrja e tij, rezultoi se ai kishte kontakte telefonike të shpeshta me oficerin e policisë Mariglen Muçaj në numrin celular 0694111… Po nga këto të dhëna ka rezultuar se i arrestuari Xhoxhi ka pasur kontakte dhe me policë të tjerë dhe për këtë arsye, hetimi u përqendrua në verifikimin e këtyre lidhjeve.

Pas hetimeve rezultoi se Mariglen Muçaj ka pasur lidhje të ngushta shoqërore me Ergest Xhoxhin dhe i ka siguruar atij një uniformë policie, e cila i është dhënë Dritan Dajtit, për të realizuar disa dokumente policie në mars të vitit 2008.

Oficeri Mariglen Muçaj e kishte tërhequr në Drejtorinë e Policisë së Korçës, kur ai punonte atje. Në fotot me uniformë të Dritan Dajtit, dallohet grada nënkomisar, që i përket gradës Mariglen Muçajt. Muça, cilësohej nga prokuroria si personi që kishte ndihmuar Dajtin t’i fshihej policisë. Sipas prokurorisë, Muçaj i kishte krijuar lehtësira Dajtit dhe Xhoxhajt për të mos u pikasur nga “njerëzit e shtetit”. Gjithashtu, Muça kishte prekur çantën e Dajtit pak para arrestimit, duke u cilësuar si njëri prej bashkëpunëtorëve të tij.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *