• |
ide | kryesore

Mandati i Xhaçkës, PD i përgjigjet Kryetares së Kuvendit: Të mbledhë sesion të jashtëzakonshëm

Lajme, Të fundit
partia demokratike selia .jpg



Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kthyer sot zyrtarisht përgjigje letrës së Kryetares së Kuvendit për mos mbledhjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetutes për mandatin e Olta Xhaçkës. Në letren e firmosur nga Kryetari i Grupit Gazment Bardhi, nënvizohet se mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, si një prej subjekteve kushtetuese që përmendet shprehimisht në nenin 74, pika 2 e Kushtetutës, është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.

“Rezulton se ju keni thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, së pari, e keni caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk keni caktuar mbledhje të seancës plenare.” – thuhet në përgjigjen zyrtare të grupit parlamentar të PD.

Grupi Parlamentar i PD e konsideron mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në këtë rast si krejtësisht të panevojshme, duke sjell në vëmendje se vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 55/2024 ka konsideruar se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet.

“Si rregull, mbledhja e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm, pra në një seancë plenare të jashtëzakonshme, paraprihet edhe nga mbledhja e organeve të tjera të Kuvendit, pra të komisioneve apo këshillave parlamentar. Për këtë arsye, pika 2 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dy detyrime për Kryetarin e Kuvendit, për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm (1) Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës; (2) Caktimi i një rendi të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare brenda këtij afati.” – sqarohet në përgjigje.

Grupi Parlamentar i PD e konsideron jo vetëm padije juridike, por një shkelje të rëndë të Kushtetutës, qëndrimin e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali. “Qëndrimi juaj se një dispozitë e Rregullores së Kuvendit (konkretisht neni 87 i Rregullores), bën të pamundur zbatimin e një dispozite të Kushtetutës (konkretisht nenit 74, pika 3 të Kushtetutës) apo edhe dispozitat e tjera të Rregullores së Kuvendit (konkretisht nenit 42, pika i Rregullores), cenon rëndë parimet e shtetit ligjor, parimin e hierarkisë së akteve normative dhe parimin e supremacisë së Kushtetutës, sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, ku parashikohet se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Pra, nëse do të kishte kontraditë mes dispozitave të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, prevalojnë dispozitat e Kushtetutës dhe ato duhet të zbatohen drejtpërsëdrejti. Në harmoni me nenin 74 të Kushtetutës dhe nenet 42 dhe 87 të Rregullores së Kuvendit, ju kishit detyrimin kushtetues që të caktonit një rend dite për mbledhjen Këshillit të Legjislacionit dhe të seancës plenare, brenda afatit të posaçëm të caktuar nga rregullorja e Kuvendit “jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës” – thotë në përgjigje kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *