• |
ide | kryesore

Nga 10 deri në 60 mijë lekë heqje të pagës, deputetët e gjobitur për mungesat në Kuvend

Lajme, Të fundit
Kuvend, Kuvendi i nisi punimet me opozitën e përjashtuar



Mungesat në seanca plenare përgjatë muajit korrik që përmbylli edhe sesionin parlamentar, kanë ndëshkuar me gjoba deputetët.

Ligjvënësit janë penalizuar me heqje të pagës nga 10 deri në 60 mijë lekë për mungesë të pjesëmarrjes në seancë plenare apo në komisione. Gjatë muajit korrik, mazhoranca ka numrin më të lartë të deputetëve të penalizuar, ku 15 prej tyre kanë munguar.

Blendi Klosi, Eduard Shalsi, Pandeli Majko janë disa prej ligjvënësve socialistë të cilëve i janë hequr rreth 10 mijë lekë nga paga. Ndërsa gjobën më të lartë në radhët e së majtëve e kanë marrë Plarent Ndreca dhe Paulin Sterkaj me 30 mijë lekë gjobë.

Rekordi për penalitetin më të lartë në pagë e mban opozita. Deputetja Oriola Nebiaj ka sërish shifrën më të lartë të mbajtjes së pagës me rreth 60 mijë lekë vetëm për muajin korrik. Deputetja Andia Ulliri është dënuar me një gjobë prej 51 mijë lekësh, ndërsa Enekelejd Alibeaj vjen pas tyre me penalitetin prej 40 mijë lekësh.

Janë 13 deputetë në radhët e së djathtëve, të cilët kanë marrë dhe gjoba më të vogla si 10 deri në 30 mijë lekë heqje të pagës. Aktualisht deputetët e parlamentit paguhen 310 mijë lekë në muaj, pagë e cila u dyfishua në mars të vitit që lamë pas me vetë votat e tyre. Deri para një viti paga e deputetit rezultonte 156 770, ndërkohë që u rrit në 310 mijë lekë.

Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit shkoi rreth 395 mijë lekë kurse e ministrave në rreth 318 mijë lekë bruto. Pikërisht në maj të vitit të kaluar Parlamenti votoi për rritjen e pagave për deputetët, ministrat, presidentin, kryeministrin dhe punonjësit e administratës publike. Sipas ligjit, që kaloi në Parlament, paga e deputetëve u dyfishua nga 156.770 lekë në 310.250 lekë (2.820 euro), ndërsa e ministrave nga 174.760 lekë në 318.750 lekë bruto (2.897 euro).

Kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit, paga iu në thuajse 400.000 lekë (3.636 euro) nga 228.000 lekë. Paga e presidentit shkoi në 425 mijë lekë (3.863 euro) nga 257 mijë lekë. Bashkë me pagat u rritën edhe shpërblimet duke përfshirë rimbursimin e karburantit, qirasë dhe telefonit. Ndërkaq, shpërblimet nuk janë unifikuar, e për rrjedhojë, ndahen sipas aktivitetit të secilit deputet dhe sot disa prej tyre marrin deri në 385 mijë lekë çdo muaj.

Pasqyra financiare tregoi se listëpagesa kapi vlerën e 57.6 mln lekëve, të hedhura në llogaritë bankare të anëtarëve në parlament. Nga borderorja e muajit të fundit të ekzekutuar tashmë, del se të ardhurat mesatare të deputetit në parlament arrijnë në 440 mijë lekë, ose 4.4 mln lekë të vjetër. Paga më e lartë në piramidën e shtetit shqiptar aktualisht është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë. Por, të ardhurat mujore për deputetët tejkalojnë të ardhurat e Presidentit, për shkak të dietave të larta, pagesave për karburant, telefon dhe pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Të ardhurat mujore të deputetëve, vetëm nga statuti i deputetit, do të arrijnë deri në 5 milionë lekë të vjetra në muaj.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *