• |
ide | kryesore

Çfarë është Hezbollahu dhe pse janë armiq të betuar të Izraelit

Arkiva, F1, Lajme, Planet, Të fundit
izraelit



Ushtria izraelite deklaroi se avionët e saj goditën paraprakisht mijëra raketahedhës të Hezbollahut në të gjithë Libanin jugor të dielën, pasi identifikuan se grupimi po përgatiste një sulm ndaj Izraelit.

Vetë Hezbollahu tha se më pas lëshoi qindra raketa dhe dronë drejt Izraelit si një përgjigje fillestare ndaj vrasjes së një komandanti të tij të lartë muajin e kaluar, por hodhi poshtë deklaratat e Tel Avivit se ishte penguar prej tij.

Ky ishte një përshkallëzim i rëndësishëm pas 10 muajsh shkëmbime zjarri gati ditore përgjatë kufirit Izrael – Liban, të cilat kanë ngritur frikën e një lufte të gjithanshme midis dy armiqve.

Po çfarë është Hezbollahu?

Hezbollahu është një organizatë myslimane shiite e cila ka ndikim politik dhe kontrollon forcën ushtarake më të fuqishme të armatosur në Liban. Ai u krijua nga Irani në fillim të viteve 1980 që ishte fuqia më dominuese shiite në rajon për t’iu kundërvënë Izraelit. Në atë kohë, forcat izraelite kishin pushtuar Libanin jugor, gjatë luftës civile të vendit.

Hezbollahu ka marrë pjesë në zgjedhjet kombëtare që nga viti 1992 dhe është bërë një prani kryesore politike. Krahu i saj i armatosur ka kryer sulme vdekjeprurëse ndaj forcave izraelite dhe amerikane në Liban. Kur trupat izraelite u tërhoqën nga Libani në vitin 2000, Hezbollahu mori meritën për largimin e tyre.

Map of Israel and Lebanon

Që atëherë, Hezbollahu ka stërvitur mijëra luftëtarë dhe ka një arsenal të madh raketash në Libanin jugor. Ai vazhdon të kundërshtojë praninë e Izraelit në zonat e diskutueshme kufitare. Hezbollahu është cilësuar si organizatë terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli, vendet arabe të Gjirit dhe Liga Arabe.

Në vitin 2006, shpërtheu një luftë e madhe mes Hezbollahut dhe Izraelit, e shkaktuar nga një sulm vdekjeprurës ndërkufitar nga Hezbollahu. Trupat izraelite pushtuan Libanin jugor në përpjekje për të eliminuar kërcënimin nga Hezbollahu. Megjithatë, ai mbijetoi dhe që atëherë ka rritur numrin e saj të luftëtarëve dhe ka marrë armë të reja dhe më të mira.

Kush është lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah?

Sheikh Hassan Nasrallah është një klerik shiit që ka udhëhequr Hezbollahun që nga viti 1992. Ai luajti një rol kyç në shndërrimin e saj në një forcë politike, por edhe ushtarake. Ai ka lidhje të ngushta me Iranin dhe liderin e tij suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Nasrallah nuk është shfaqur në publik prej vitesh, me sa duket nga frika se mos vritet nga Izraeli. Megjithatë, ai nderohet nga Hezbollahu dhe mban fjalime televizive çdo javë.

Sa të fuqishme janë forcat e Hezbollahut?

Hezbollahu është një nga forcat ushtarake joshtetërore më të armatosura në botë. Ai financohet dhe pajiset nga Irani. Hassan Nasrallah ka pohuar se ka 100 mijë luftëtarë, megjithëse vlerësimet e pavarura variojnë midis 20 mijë dhe 50 mijë. Shumë prej tyre janë të stërvitur mirë dhe kanë luftuar në luftën civile siriane. Hezbollahu ka dhe rreth 120 000 – 200 000 raketa sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e arsenalit të saj përbëhet nga raketa të vogla artilerie tokë – tokë. Por gjithashtu mendohet se ai ka dhe raketa kundërajrore dhe kundër anijeve, si dhe raketa të drejtuara të afta për të goditur thellë brenda Izraelit. Kjo është një forcë shumë më e sofistikuar se ajo që ka në dispozicion Hamasi në Rripin e Gazës.

A mund të hyjë Hezbollahu në luftë me Izraelin?

Luftimet sporadike të mëparshme u përshkallëzuan më 8 tetor, një ditë pas sulmit të paprecedentë ndaj Izraelit nga njerëz të armatosur të Hamasit nga Gaza, kur Hezbollahu qëlloi pozicionet izraelite, në solidaritet me palestinezët. Që atëherë, ai ka lëshuar më shumë se 8 000 raketa në veri të Izraelit dhe pozicionet izraelite në lartësitë Golan, ka gjuajtur me raketa antitank në automjete të blinduara dhe ka sulmuar objektiva ushtarake me dronë shpërthyes.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) janë kundërpërgjigjur, duke përdorur sulme ajrore dhe zjarr tankesh dhe artilerie kundër pozicioneve të Hezbollahut në Liban. Ministria e shëndetësisë e Libanit thotë se më shumë se 560 njerëz janë vrarë gjatë 10 muajve të fundit. Shumica e tyre ishin luftëtarë të Hezbollahut, por të paktën 133 ishin civilë.

Në Izrael, autoritetet thonë se të paktën 26 civilë dhe 23 ushtarë janë vrarë. Pothuajse 200 mijë njerëz janë zhvendosur në të dy anët e kufirit. Pavarësisht luftimeve, vëzhguesit thonë se deri më tani të dyja palët kanë synuar të frenojnë armiqësitë pa kaluar vijën e një lufte në shkallë të plotë. Megjithatë ka shqetësim se situata mund të dalë jashtë kontrollit.

Kjo frikë u rrit pas vrasjes së 12 fëmijëve në një sulm me raketa në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli më 27 korrik. Izraeli tha se Hezbollahu e kreu sulmin, por grupi mohoi përfshirjen. Më 30 korrik, IDF njoftoi se kishte vrarë komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr në një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit.

Një ditë më pas, lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh u vra në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Izraeli as e konfirmoi dhe as nuk e mohoi përfshirjen. Që atëherë, rajoni ka pritur një përgjigje nga Hezbollahu dhe Irani, të cilët të dy u zotuan të hakmerren kundër Izraelit. SHBA-ja shpreson të de-përshkallëzojë tensionet duke ndërmjetësuar një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza dhe po ushtron presion mbi Izraelin dhe Hamasin. Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë armiqësitë vetëm pasi të përfundojnë luftimet në Gaza. ©BBC, LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *