• |
ide | kryesore

“Turistë, por kudo beton”/ Televizioni gjerman ARD: Shqipëria në udhëkryq

Kryesore, Lajme



“Deri kohët e fundit, Shqipëria konsiderohej si një sugjerim interesant pushimesh me plazhe të paprekura, vetmi marramendëse në natyrën e egër dhe çmime të pakrahasueshme. Por ajo kohë ka mbaruar”. Është ARD, një nga televizionet më të mëdhenj në Gjermani që ka transmetuar një dokumentar kritik për mënyrën e turizmit që ka zgjedhur të bëjë Shqipëria.

Në dokumentarin me titull “Udhëtim kritik në Shqipëri, bukuri e egër dhe beton” që lapsi.al e ka parë tregohet edhe ana tjetër e medaljes së propagandës që flet vetëm për sukseset e Shqipërisë dhe qeverisë së Edi Ramës. Në reportazhin 45-minutësh të Marko Rösseler jepet një panoramë e Shqipërisë nga veriu në jug ku natyrën unike të vendit po e vret betoni me etjen për të ndërtuar kudo. 

Ndërtime në bregdetin e jugut

ARD thekson se numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë është trefishuar në dekadën e fundit duke kapur shifra në rreth 11 milionë vizitorë të huaj në vit. “Shumë për një vend që ka vetëm pak më shumë se dy milionë banorë. Por turizmi sjell rritje ekonomike dhe është shpresa e madhe e vendit ende të varfër. Tani kudo po ndërtohen kështjella të reja prej betoni” – thuhet në reportazhin e ARD.

Plehrat në liqenin e Komanit

Në reportazh thuhet se ndërtimi ka një traditë të gjatë në Shqipëri. “Për shumë dekada, vendi konsiderohej si Koreja e Veriut e Evropës, një shtet i izoluar që kishte hequr fenë dhe madje ishte shkëputur edhe nga shtetet e saj simotra socialiste.

Diktatori Enver Hoxha e gjeti veten të rrethuar nga armiq dhe kishte bunkerë të ndërtuar në të gjithë vendin. Llogariten në mbi 170 mijë” – thuhet në reportazhin e ARD, citon lapsi.al që nënvizon se “nëse betoni dikur kishte si synim të largonte pushtuesit, sot supozohet të tërheqë mysafirë”.

Kudo ndërtime

“Në të gjithë bregun, shirita çeliku ngrihen në ajër dhe hotele e ndërtesa me apartamenteve po ndërtohen në çdo vend” – citon ARD që ka parë nga afër edhe projektin e ndërtimit të aeroportit të ri të Vlorës që gjithashtu nuk u ka shpëtuar polemikave për shkak të cenimit të zonës së mbrojtur të Nartës.

“Një aeroport i ri po ndërtohet në mënyrë që bregdeti të mund të arrihet lehtësisht. Pista është duke u betonuar pranë një delte lumi, ku flamingot më parë kishin sovranitet në ajër dhe zogjtë shtegtarë ndalonin” – citon media e njohur gjermane.

“Do të ketë ndikim në popullatën e zogjve” – thotë ambjentalisti Joni Vorpsi që shton se një pjesë e tyre do të shuhet fare dhe se në këtë zonë do të ketë vetëm zogj janë të zakonshëm në çdo qytet.

Betoniere në aeroportin e Vlorës

“Aeroporti i Vlorës është një aeroport ndërkombëtar dhe është një domosdoshmëri jetike, vitale për Shqipërinë. Përballë Vlorës janë dy aeroporte, Brindisi dhe Bari dhe vetëm pak kilometra më poshtë është aeroporti i Korfuzit. Aeroporti i Tivarit në Mal të Zi ka dyfishuar kapacitetet. Të gjitha këto aeroporte nuk janë problem për zogjtë dhe vetëm aeroporti i Vlorës është problem? Kjo është e pandershme” – përgjigjet ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Dokumentari është ndalur edhe në projektin për devijimin e lumit Shushica që është pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës. Ambientalistët dhe komuniteti vendas e kanë kundërshtuar projektin.

Tuba për zhvendosjen e lumit Shushica

Një hapësirë e rëndësishme i është dhënë edhe projektit të Kushner për transformimin e ishullit të Sazanit e cila pritet të prekë edhe zonën e Pishë Poro deri në Nartë.

Ishulli i Sazanit

“Është një zonë shumë e rëndësishme për shtegtimin e shpendëve. Është një zonë që lidh kontinentin e Afrikës me Europën nëpërmjet asaj që quhet rruga e shtegtimit të Adriatikut. Edhe disa nga shpendët që kalojnë në Nartë vizitojnë edhe Gjermaninë” – thotë ambjentalisti Joni Vorpsi.

Megjithatë qeveria është e pashqetësuar për këtë pjesë.

“Turizmi sot është bërë ekonomia më e rëndësishme. Shqipëria është e vogël dhe nuk mund të mbajë qindra milionë turistë, por ne duam që ata turistë që vijnë të jenë turistë elitarë dhe ata kanë nevojë për hotele. Ne jemi shumë të hapur dhe mbështesim investitorë të rëndësishëm pavarësisht se nga vijnë përfshirë këtu edhe interesin e Jared Kushner për të investuar në Shqipëri” – përgjigjet sërish ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Kullat e Tiranës gjithashtu kanë tërhequr jo pak vëmendjen e dokumentarit gjerman.

Kullat në Tiranë

Sipas dokumentarit rrugë të reja po asfaltohen edhe pranë bunkerëve të vjetër të Enver Hoxhës, në vendpushimet bregdetare të Mesdheut, por edhe në brendësi të vendit, ku malet mbi 2600 metra të larta tërheqin turistët që preferojnë shëtitjet në këmbë.

“Gjithçka është bërë shumë, shumë më mirë” – thotë një bari i vjetër për gazetarët gjermanë. “Ne ishim të mbyllur dhe askush nuk na vinte. Sot ka turistë. Edhe ata sjellin para” – thotë duke qeshur i moshuari.
Pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë jashtë vendit si turist ai i përgjigjet: “Pse të largohem? Ky është vendi më i bukur në botë. Dhe përveç kësaj: jashtë vendit, ne shqiptarët nuk jemi turistë, por gjithmonë vetëm emigrantë.”

Këtë e thotë pa hidhërim dhe qesh.

“Në fakt, vendi po vuan nga emigracioni. Të rinjtë po largohen, veçanërisht në Gjermani dhe Itali. Pa punë, pa perspektivë, turizmi ofron mbështetjen e vetme. Por me çfarë çmimi? A do të betonohet tani parajsa? Apo ka mënyra të tjera për të fituar para nga turistët?” – janë pyetjet që ngrihen në dokumentar.

Bunker në plazh

Bariu shqiptar kishte paguar edhe pijet e gazetarëve gjermanë në lokal. “Shqiptarët krenohen me mikpritjen e tyre. Por a do të fitojnë në këtë mënyrë?” – pyet gazetari Marko Rösseler që e quan rrugëtimin e tij në Shqipëri “një udhëtim nëpër një vend që gjendet në udhëkryq”. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Media britanike: Ana tjetër e turizmit shqiptar që po betonizon gjithçka

TV belg: Si po e shkatërron turizmi natyrën e Shqipërisë


1 Comment

  1. na paska dal nji lloj i ri turisti…. me cante shpine qe ta shkelin ne kom shqipnin… dhe te vizitojn kazonat e grumbullat e plehnave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *