• |
ide | kryesore

Aleanca Kundër Importit të Plehrave: Zhgënjyes reagimi i qeverisë për skandalin me mbetjet

Arkiva, Lajme, Të fundit



Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka reaguar sot në lidhje me skandalin e eksportit të mbetjeve toksike nga vendi ynë drejt Tajlandës. Në reagimin e AKIP thuhet se kjo aleancë shpreh shqetësimin mbi reagimin jo reflektues ndaj problemit të qeverisë shqipare në lidhje me eksportin e dyshuar të mbetjeve industriale të rrezikshme të Kurum përmes një rrjeti kompanish të panjohura drejt Tajlandës.

AKIP thontë se deklaratat e deri tanishme të qeverisë lidhur me situatën janë zhgënjyese. Po ashtu aleanca shton se qeveria duhet të shtrojë pyetjen themelore se me çfarë sistemi dhe me çfarë infrastrukture shtetërore mbetjet industriale të Kurum apo të kompanive të tjera, raportohen, monitorohen dhe përpunohen, dhe me çfarë mjetesh shtetërore sigurohemi që këto mbetje nuk hidhen kuturu nëpër Shqipëri për të dëmtuar mjedisin dhe shëndetin.

Gjithashtu Aleanca Kundër Importit të Plehrave thotë se reagimi zhgënjyes i autoriteteve, jo vetëm zyrtare, por edhe qytetare, shtyn AKIP të besojë se Shqipëria nuk duhet të lejojë importin e mbetjeve të asnjë lloji. Sipas tyre kjo thjeshtë për faktin që, jo vetëm që rreziku për importim mbetjesh për groposje është i lartë, por edhe për faktin që kultura institucionale e mohimit të problemeve e bën edhe më të rrezikshme lejimin e importit të plehrave.

REAGIMI:

Qëndrim i Aleancës Kundër Importit të Plehrave në lidhje me reagimin e Qeverisë Shqiptare ndaj skandalit të dyshuar të mbetjeve industriale të eksportuara drejt Tailandës.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave shpreh shqetësimin mbi reagimin, në gjykimin tonë, jo reflektues ndaj problemit, të qeverisë shqipare në lidhje me eksportin e dyshuar të mbetjeve industriale të rrezikshme të Kurum përmes një rrjeti kompanish të panjohura drejt Tailandës.

Pasi ndoqëm me vëmendje deklaratën e përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit të shtunën si dhe deklaratën e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Balluku të mërkurën, AKIP vëren se të dyja deklaratat mund të konsiderohen në instancë finale si “zhgënjyese”.

Në vend që të mohojë çfarëdolloj përgjegjësie, të cilën, ndoshta e ka e ndoshta jo, qeveria duhet të shtrojë pyetjen themelore se me çfarë sistemi dhe me çfarë infrastrukture shtetërore mbetjet industriale të Kurum apo të kompanive të tjera, raportohen, monitorohen dhe përpunohen, dhe me çfarë mjetesh shtetërore ne sigurohemi që këto mbetje nuk hidhen kuturu nëpër Shqipëri për të dëmtuar mjedisin dhe shëndetin.

Ekzistenca e ndotësve të tillë si pluhuri i furnaltave me hark elektrik është i njohur në Shqipëri dhe nga qeveria, qoftë politikisht apo qoftë edhe nga pikëpamja njerëzore, ne presim që, para se të nxitojë të mohojë gjithçka, të shprehin shqetësimin se çfarë nuk është bërë siç duhet dhe se çfarë duhet të përmirësohet në menaxhimin e këtyre dhe të llojeve të tjera të mbetjeve.

Qeveria duhet të ketë parasysh se është detyrë njerëzore që Shqipëria, përveç që të menaxhojë siç duhet mbetjet e veta, qofshin këto të rrezikshme apo të parrezikshme, të sigurohet që këto mbetje nuk do të eksportohen për groposje në një vend tjetër të varfër si Tailanda dhe se Marrëveshja e Baselit, ku Shqipëria është palë, nuk është një copë letre e pavlerë e harruar në ndonjë sirtar, por një instrument shumë i rëndësishëm që Shqipëria duhet ta zbatojë, në mbrojtje të natyrës dhe shëndetit të popullsisë shqiptare, por edhe të vendeve të tjera të varfra si ne.

Reagimi zhgënjyes i autoriteteve, jo vetëm zyrtare, por edhe qytetare, shtyn AKIP të besojë se me të vërtetë Shqipëria nuk duhet të lejojë importin e mbetjeve të asnjë lloji thjeshtë për faktin që, jo vetëm që rreziku për importim mbetjesh për groposje është i lartë, por edhe për faktin që kultura institucionale e mohimit të problemeve e bën edhe më të rrezikshme lejimin e importit të plehrave.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *