• |
ide | kryesore

Treguesit e rrezikut të borxhit publik janë në rënie për këtë vit

Lajme, Të fundit



Treguesit e riskut të borxhit të publik këtë vit paraqiten në rënie. Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Financave, rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik këtë vit paraqitet në nivelet më të ulëta historike.

Vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti në fund të 6-mujorit 2024 përbënte 43.9%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 44.7% i fundit të vitit të kaluar.

Në dekadën e fundit, Ministria e Finacave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.

Vlera e borxhit të brendshëm me maturim brenda një viti pësoi një rënie të ndjeshme nga 53.5% në vitin 2016, në 44.8% në vitin 2020. Ndërkohë, në periudhën 2021-2022 kjo tendencë u frenua dhe pesha e borxhit afatshkurtër u rrit sërish.

Rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë shkaktoi pasiguri të lartë në tregun financiarë dhe sidomos investitorët institucionalë, kryesisht bankat, ishin hezitues në investimet në instrumente afatgjata. Në këtë situatë, MFE u detyrua të përshtatej dhe ta orientonte më shumë huamarrjen e brendshme drejt bonove të thesarit.

Në fund të vitit 2022, borxhi me maturim brenda një viti arriti në 47.9% të totalit të borxhit të brendshëm, ndërsa piku u shënua në fund të tremujorit të parë 2023, me 51.9% të totalit. Por, frenimi i ciklit të rritjes së normave të interesit dhe rënia e yield-eve në vijim i mundësoi qeverisë shqiptare vijimësinë e strategjisë për të zgjatur maturitetin e borxhit publik.

Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 2.56 vjet, nga 2.32 vjet që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë edhe gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti.

Edhe indikatorët e tjerë të riskut të borxhit publik po ndjekin një tendencë rënëse këtë vit. Rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, zbriti në 43.3%, nga 45.6% që ishte në fund të vitit të kaluar. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej vitit 2016. Në masën më të madhe, ulja e këtij rreziku është mbështetur te forcimi i lekut në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën e borxhit në valutë të huaj dhe peshën e tij specifike.

Risku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik zbriti në 44.4%, nga 45.4% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Edhe ky tregues është në nivelin më të ulët, të paktën që prej vitit 2016.

Në treg vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, i mbështetur nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta. Në fund të vitit 2023, borxhi publik zbriti në 58.93% të PBB-së, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në mesin e këtij viti borxhi publik ishte 55.7% e PBB-së. /Monitor.al


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *