• |
ide | kryesore

Ndihmës Sekretari i NATO-s-Kosovës: Veprimet e pakoordinuara në Veri shtojnë rrezikun për dhunë

Lajme, Të fundit



Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus është shprehur se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun për dhunë, e cila cenon sigurinë e të gjithëve, duke përfshirë dhe trupat e KFOR.

“Siç i kemi parë veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”, ka thënë ai.

Njeriu që këshillon Sekretarin e Përgjithshëm për forcimin e aftësive mbrojtëse, mbrojtjen e territorit dhe reagimin ndaj krizave, është shprehur se zgjidhja që çon drejt një paqe afatgjatë në Kosovë është ajo politike, jo shtimi i trupave ushtarake.

Sipas Thomas Goffus, është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të zgjidhur çështjet e mbetura.

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, është shprehur ai.

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm shtoi se kjo e rëndon shqetësimin e NATO-s dhe partnerëve për stabilitetin e rajonit dhe Kosovës, si dhe sigurinë e trupave të saj. Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar situatën në terren.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *