• |
ide | kryesore

Izraeli gjen të vrarë 6 pengje në Gaza, plasin polemikat edhe në Tel Aviv

Arkiva, Lajme, Të fundit
pengje Izraeli



Izraeli njoftoi të dielën se kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve në Gazë, mes tyre një të ri izraelito-amerikan, i cili u bë një nga robërit më të njohur të mbajtur nga grupi militant Hamas, ndërsa prindërit e tij u takuan me udhëheqës botërorë dhe kërkuan lirimin e tij.

“Sipas vlerësimit fillestar, ata (Carmel Gat, Hersh Goldberg-Polin, Eden Yerushalmi, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Ori Danino) u vranë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se forcat tona të arrinim. Ata u rrëmbyen mëngjesin e 7 tetorit nga organizata terroriste Hamas. Trupat e tyre u gjetën gjatë luftimeve në Rafah në një tunel, rreth një kilometër nga tuneli ku shpëtuam Farhan Alkadin disa ditë më parë”, tha zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Gjetja e trupave nxiti thirrje për protesta masive kundër Kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin shumë izraelitë e fajësojnë për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje me Hamasin për kthimin e pengjeve gjallë.

“Ne jemi të pikëlluar për vdekjen e gjashtë pengjeve. Ata duhet të ishin kthyer të gjallë. Ata mund të ishin kthyer të gjallë. Kemi nevojë për një marrëveshje tani. Të gjithë të tjerët duhet të kthehen të gjallë”, thotë Daria Giladi, protestuese në Jeruzaelm.

“Mësuam se gjashtë pengje të tjera u vranë mizorisht vetëm pak kohë më parë, gjë që tregon ose dëshmon se qeveria mund t’i kishte shpëtuar ata”, thotë David Heyd, profesor filozofie.

Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se grupi militant Hamas do të mbajë përgjegjësi për vrasjen me gjakftohtësi të pengjeve dhe e fajësoi atë se po pengon arritjen e një armëpushimi.

“Ditët e fundit, ndërsa Izraeli ka zhvilluar negociata intensive në përpjekje për të arritur një marrëveshje, Hamasi po vazhdon të refuzojë me vendosmëri të gjitha propozimet. Akoma më keq, në të njëjtën kohë, vrau gjashtë nga pengjet tona.. Kushdo që vret pengjet – nuk dëshiron një marrëveshje”, deklaroi ai.

Mediat në Izrael raportuan për një debat të ashpër mes Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Kryeministrit Netanjahu gjatë një takimi të qeverisë.

Zoti Gallant i kërkoi Kryeministrit Benjamin Netanyahu të dielën që të arrijë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin për të liruar pengjet e mbetura.

Presidenti Joe Biden, i cili ka ndjekur nga afër situatën e pengjeve, tha se në mesin e të gjeturve është edhe një shtetas amerikano- izraelit, ndërsa shprehu pikëllimin për viktimat.

Presidenti Biden u zotua se “udhëheqësit e Hamasit do të përgjigjen për këto krime”. “Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur për një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura”, tha ai.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Izzat El-Reshiq tha se përgjegjës është Izraeli me refuzimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi.

Gjashtë trupat e gjetura ishin në mesin e rreth 250 pengjeve të marra me forcë gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi luftën në Gazë. Rreth 1200 njerëz u vranë në sulm, sipas të dhënave izraelite.

Që atëherë, të paktën 40,738 palestinezë janë vrarë dhe 94,154 janë plagosur në ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e këtij territori që drejtohet nga grupi militant Hamas dhe që nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve.

Ndërkohë në një tjetër zhvillim, radhë të gjata njerëzish u panë pranë spitalit Yafa dhe klinikës së agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët, UNRWA, në Deir al-Balah, për të marrë vaksinën kundër poliomielitit.

Fushata e udhëhequr nga OKB-ja në koordinim me zyrtarët shëndetësorë të Gazës, synon të vaksinojë rreth 640 mijë fëmijë në Rripin e Gazës, pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për ndërprerje të shkurtëra në luftën e tyre 11-mujore për të lejuar që fushata të vazhdojë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi muajin e kaluar se një foshnjë ishte pjesërisht e paralizuar nga virusi i poliomielitit të tipit 2, rasti i parë i tillë në territor në 25 vjet. /VOA


1 Comment

  1. Na kane propoganduar qe izraeli eshte nje shtet demokratik. Kasapana qe po zhvillohet atje nuk na tregon demokraci por terrorizem shteteror. Nje populli qe i ushtrohet terror çdo gje mund te presesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *