• |
ide | kryesore

BSH përgatit udhëzuesin e parë për rreziqet financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin

Lajme, Të fundit



Banka e Shqipërisë ka përgatitur për herë të parë një udhëzues për bankat tregtare, mbi rreziqet financiare të lidhura me klimën dhe mjedisi. Dokumenti përcakton kërkesa të përgjithshme për bankat, mbi administrimin e rreziqeve financiare të lidhur me klimën dhe mjedisin.

Banka Qendrore në dokument vlerëson se rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe mjedisin po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme dhe sistemi bankar luan një rol kyç në këto ndryshime, pasi shërben si kanalizues i flukseve të kapitalit drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Në këtë proces, ndryshimet klimatike dhe tranzicioni drejt aktiviteteve të qëndrueshme përbëjnë burim rreziku për bankën.

Bankat duhet të integrojnë rreziqet klimatike në kuadrin e përgjithshëm të administrimit të rrezikut, për të shmangur humbjet e papritura. Rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e biznesit të bankave.

Bankat duhet të identifikojnë rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor në nivel sektorësh kryesorë apo zonash gjeografike si dhe në nivel produktesh e shërbimesh që ofron ose planifikon të ofrojë, duke marrë në konsideratë që disa nga këto rreziqe mund të materializohen gjatë një periudhe kohe afatmesme ose afatgjatë. Rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin mund të ndikojnë, për shembull, në rritjen ekonomike, punësimin ose çmimet e pronave në nivel kombëtar, rajonal ose lokal.

Ngjarjet e motit mund të shkaktojnë thatësira ose përmbytje që ndikojnë në prodhimin bujqësor të një rajoni, kërkesën për banesa ose në vlerën e kolateralit, në nivel kombëtar, rajonal ose lokal. Paralelisht, konkurrenca ndikohet nga zhvillimi i një tregu financimi të gjelbër dhe preferencat e konsumatorëve zhvendosen nga mallrat dhe shërbimet me emetim të lartë karboni ose ndryshe ndotëse, drejt produkteve dhe shërbimeve me emetim të ulët karboni ose ndryshe “të gjelbra”.

Në identifikimin e rreziqeve, një bankë mund të kategorizojë klientët ose portofolet e saj sipas ekspozimeve ndaj rrezikut klimatik. Për shembull, grupimi gjeografik mund të ndihmojë në identifikimin e ekspozimeve që janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të larta fizike, si rreziku i lartë i përmbytjeve ose thatësirës.

Bankat duhet të marrin në konsideratë edhe ndikimin që mund të kenë në mjedis strategjia e zhvillimit dhe modeli i tyre i biznesit, për shembull, nëpërmjet matjes dhe kufizimit të emetimeve të gazrave serë ose efikasitetin e burimeve të portofoleve të saj kryesore, ose që rrjedhin nga aktivitetet e tyre. Mbi këtë bazë, bankat duhet të ndërmarrin hapa për të zbutur rreziqet e tranzicionit, për shembull reduktimin gradual apo edhe me shpejtësi të financimit të aktiviteteve të cilat nuk sigurojnë qëndrueshmëri mjedisore.

Rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin mund të prekin në mënyra të ndryshme rajone të ndryshme, nën-sektorë ekonomikë, huamarrës ose asete. Në dritën e këtyre rreziqeve, objektivat e përgjithshme dhe plani i bankës mund të kenë nevojë të përkthehet në objektiva më specifike, duke përfshirë politikat e përjashtimit për financime në rajone të caktuara, nënsektorë ose aktivitete të caktuara.

Bankat duhet të vlerësojnë nëse do të zhvillojnë produkte të qëndrueshme që konsiderohen të jenë më rezistente ndaj rreziqeve të lidhura me klimën dhe mjedisin. Këto përfshijnë produkte të emërtuara zakonisht si “të gjelbra”. Bankat mund të përdorin produkte të tilla si një mjet për të arritur objektivat e saj të rrezikut të lidhura me klimën dhe mjedisin dhe të rregullojë modeline saj të biznesit dhe përbërjen e portofolit.

Për shembull, banka mund të vendosë objektiva strategjikë ose limite në lidhje me ekspozimet e saj ndaj aktiviteteve ose sektorëve të caktuar ekonomikë. Më tej, banka duhet të ketë parasysh se vendosja e objektivave strategjik ka të ngjarë të ndryshojë profilin e saj të përgjithshëm të rrezikut, duke rezultuar në nevojën për të rishikuar oreksin e saj ndaj rrezikut./ Monitor


1 Comment

  1. U futëm edhe ne në mashtrimin klimaterik, bankat që investojnë te këto strategjitë dhe startapet “e gjelbëra” ikin për lesh!

    Ekonomia jonë duhet mbështetur në bujqësi dhe turizëm, pjesa tjetër është “merre me lëng” sepse nuk ndikon direkt në ekonomi.

    “Ndryshimet klimaterike” ose “Ngrohja globale” ose “Ftohja globale” (siç njihej në fillim), është një mashtrim i madh që bën fajtor njeriun për ciklet diellore që ndodhin natyrshëm në natyrë (siç kanë ndodhur ndër shekuj).

    Është thjesht mashtrim dhe instalin frike për të mbajtur nën kontroll njerëzit, madje me këtë rast i taksojnë rëndë për “armiqtë imagjinarë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *