• |
ide | kryesore

“Kemi kryetarin me karton të kuq”/ Debatet me dyer të mbyllura në Këshillin Kombëtar të PD

Arkiva, Lajme, Të fundit
kombëtar



Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të zhvilluar me dyer të mbyllura këtë të premte ka pasur debate të shumta lidghur me strategjitë e opozitës përpara zgjedhjeve të ardhshme. 

Në fillim të mbledhjes, Apollon Baçe ngriti një pyetje mbi natyrën e listave zgjedhore. Ai kërkoi sqarime nëse PD propozoi lista të hapura apo të mbyllura. Pyetjes së tij i është dhënë përgjigje nga Oerd Bylykbashi, i cili sqaroi qëndrimin e tij edhe në Kuvend. Sipas Bylykbashit, reforma ishte e kushtëzuar nga mazhoranca që nuk donte ndryshime. 

Më pas Osman Stafa, përfaqësues i PD-së së Durrësit, pyeti drejtuesit e qarqeve: “A do e pranoni sfidën që të jeni të renditur poshtë në listë?” Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka iu përgjigj duke shpjeguar se lista e drejtuesve të qarqeve është një kompetencë ekskluzive e Kryetarit të PD-së. Ai tha se neni 46, pika 2 i statutit të partisë lejon Kryetarin të ngrejë ekipe ndihmëse për të asistuar në këtë proces.

Noka gjithashtu iu përgjigj edhe pyetjes së një tjetër anëtari lidhur me largimin e Tomorr Alizotit nga drejtimi politik i Beratit, duke thënë se “kjo ishte në përputhje me kërkesën e vetë Alizotit për t’u transferuar në Tiranë”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka iu përgjigj komentit të Stafës duke theksuar se nëse Edi Rama do të vjedhë zgjedhjet, nuk do të ketë më artikulime nga ana e tij për këtë problematikë, por theksoi se përgjegjësia për rezultatet e zgjedhjeve është e partisë dhe se ata nuk duhet të hyjnë në zgjedhje për të fituar një mandat, por për të luftuar për një kauzë më të madhe.

Ai e përshkroi këtë betejë si një “betejë jetë a vdekje” dhe theksoi se ndarja e brendshme nuk duhet të shihet si një sfidë personale, por si një mundësi për të bashkuar forcat dhe për të rrëzuar Ramën. Paloka nënvizoi rëndësinë e fushatës si një “luftë” në kuptimin figurativ, duke kërkuar një angazhim të fortë dhe të palëkundur nga të gjithë anëtarët e partisë.

Ndërsa Flamur Noka në diskutimet me dyer të mbyllura në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike ka vlerësuar punën e Agron Gjekmarkajt si njeriu që është angazhuar më shumë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për lirimin e kryetarit Sali Berisha.

“Ne jemi duke hyrë në një betejë. Kemi 3 vjet që sillemi në vorbull se na ka përçarë Edi Rama. Sot investon që ne të qëndrojmë të përçarë. Jemi bashkuar dhe duhet të bashkohemi edhe me pjesët e tjera. Kemi kërkuar në gjykatë që Berisha të njihet si kryetar dhe më pas të kërkojmë në Kuvend bashkimin e Berishës në grupin parlamentar” – tha Noka.

Diskutimet u shoqëruan edhe me tensione, ku protagonist ishte Myslim Murrizi, i cili i kërkoi Palokës të mos i nxjerrë mediat jashtë kur ka diskutime: “Do të mërziteni nga ajo që do them, por nuk kam problem.” 

Ai vijoi duke thënë se edhe pse Berisha tha “sulm”, trajneri është me të kuqe, duke iu referuar arrestit në shtëpi të kryedemokratit. “Berisha tha “sulm” por ne e kemi trajnerin me te kuqe .Me çfarë ta bëjmë sulmin me mbrojtës? Kush ka gjuajtur nga ju?” – tha ai.

Murrizi iu drejtua më pas Flamur Nokës, duke akuzuar këtë të fundit se ka ndikuar në listat e drejtuesve politikë të formuluara nga Berisha.

“Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politikë por ke qenë ti Flamur që i ke fry në vesh”, tha ai, ndërsa shtoi se demokratët nuk mund të motivohen kur figura si Jorida Tabaku apo Agron Gjekmarkaj që kanë thënë se “Berisha vdiq politikisht” apo se “do të hidhen nga ballkoni po erdhi Berisha”.

Ndaj tij replikoi Edi Paloka replikoi duke theksuar se “qëllimi i tyre ishte të mundësonin një qeveri teknike dhe se askush nuk i kishte hequr të drejtën e fjalës”. Ai nënvizoi se, pavarësisht përçarjeve, kishte ende një mundësi për të punuar së bashku për të arritur qëllimet e partisë.

Flamur Noka, në përgjigje të akuzave të drejtuara nga Murrizi, tha se drejtuesit politikë janë kompetencë e Kryetarit të PD-së dhe se ndikimi i tij ishte i kufizuar në këtë proces, pasi sipas tij “Berisha nuk ndikohet”. ©LAPSI.al


3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *