• |
ide | kryesore

Të dhënat: Familjet shqiptare jetojnë ngushtë, 65% e shtëpive të banuara janë nën 69 metër katror

Lajme, Të fundit



Popullsia e vendit po tkurret dhe po plaket me shpejtësi dhe, nga ana tjetër, fluksi i banesave të reja është në rritje, por shumica dërrmuese e atyre që janë në shfrytëzim janë, nën 69 metër katror. Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se nga 726,325 banesa të banueshme në të gjithë vendin, 533 mijë ose 65% e totalit ishin më pak se 69 metër katror.

Gjithsesi, me kalimin e viteve, sipërfaqja e banimit është rritur. Në Censin e vitit 2011, në të gjithë vendin u numëruan 709,865 banesa në shfrytëzim, nga të cilat 75% ose 469 mijë ishin nën 69 metër katror. Të dhënat tregojnë se numri i shtëpive të banueshme nën 40 metër katror ka pësuar rënie të ndjeshme. P.sh. në vitin 2011 kishte 218 mijë banesa që ishin në shfrytëzim nën 40 metër katror, ndërsa më 2023 ishin 127,5 mijë të tilla.

Nga stoku i banesave që janë në shfrytëzim, ende një pjesë e madhe e tyre, rreth 16.6%, janë nën 40 metër katror. Më tej, sipas Cens 2023 nga banesat që janë në shfrytëzim 23.7% e tyre janë 70-99 metër katror. Në vitin 2011, rreth 17% e banesave në shfrytëzim ishin në këtë nivel sipërfaqe.

Ato mbi 100 metër katror zunë 10% të totalit të banesave në shfrytëzim në vitin 2023, nga 7.7% që zinin në 2011. Sektori i ndërtimit në vendin tonë është në një fazë të vrullshme të zhvillimit të pallateve e kullave në zona urbane, por të dhënat e Cens 2023 zbuluan se një pjesë e banesave në pallate, rreth 40% e tyre (365 mijë) në të gjithë vendin, nuk banohen nga askush.

Sipas të dhënave të Cens 2023, në të gjithë vendin numërohen 431 mijë banesa në pallate nga të cilat 170,264 janë bosh dhe mbi 261 mijë ishin të banuara. Banesat bosh janë një pasuri prej miliarda eurosh që është ngrirë në formën e një investimi që nuk gjeneron të ardhura dhe punësim.

Burimet nga tregu pohojnë se një pjesë e madhe e banesave bosh janë në qytetet e mëdha të vendit dhe sidomos në Tiranë dhe Durrës. Sipas tyre, stoku i banesave bosh është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilat nuk kanë planifikuar qiradhënien. Ndërsa pjesa më e madhe e stokut u takon investimeve që kanë bërë individë brenda dhe jashtë vendit. Shpesh banesat e blera për investime dhe të padhëna me qira janë pjesë një zinxhiri të përdorur për pastrimin e parave të bëra në mënyrë të paligjshme./ Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *