• |
ide | kryesore

Zelensky riorganizon qeverinë, emërohen nëntë ministra të rinj

Arkiva, Planet, Të fundit



Ukraina tani ka një ministër të ri të jashtëm, njëri prej vendimeve më të fundit të Presidentit Volodymyr Zelenskyy ndërkohë që po bën një riorganizim tërësor të kabinetit të tij qeveritar, të parin që kur filloi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Evropën Lindore Myroslava Gongadze na sjell detaje për emërimin e nëntë ministrave të rinj si pjesë e këtij riorganizimi.

Dy vite e gjysmë pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, parlamenti ukrainas mbështeti nismën e Presidentit Volodymyr Zelenskyy të ndryshojë qeverinë. Presidenti Zelenskyy thotë se ky ndryshim është i nevojshëm për të forcuar Ukrainën dhe përmirësuar funksionimin e institucioneve qeveritare.

Vendimi për një emërim kyç u mor të enjten, kur parlamenti miratoi propozimin e Presidentit Zelenskyy për të emëruar diplomatin dhe ish zëvendës-shefin e kabinetit presidencial, Andrii Sybiha si ministër të jashtëm të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba, që ishte fytyra e Ukrainës në botë deri më tani, dha dorëheqje të mërkurën.

“Do të jetë një humbje e madhe. Ai kishte marrëdhënie shumë të mira me partnerët tanë jashtë dhe kishte aftësi shumë të mira komunikimi. Do të jetë sfidë e vërtetë për të emëruarin e ri ngaqë të gjithë do ta krahasojnë me Dmitry Kulebën,” tha ish zëvendës-ministrja e jashtme e Ukrainës, Olena Zerkal.

Ndërkohë që nëntë ministra marrin postet e tyre të reja si pjesë e këtij riorganizimi, ekspertët thonë se nuk priten ndryshime të mëdha në prirjet politike.

“Çështja kryesore që duhet ta kuptojmë është që nuk bëhet fjalë për emërimin e njerëzve të rinj në qeveri. Pra, nuk po zëvendësohen njerëzit brenda ekipit, por ka vetëm një riorganizim. Andaj, nuk do të ketë asnjë ndryshim në prirjet politike”, thotë Valeriy Pekar pranë Shkollës së Kievit për Administratën Publike.

Nuk priten ndryshime të mëdha as në luftë.

“Aftësia e Ukrainës për të luftuar varet nga personeli ushtarak dhe fatmirësisht kësaj here nuk do të shohim ndryshime të rëndësishme në këtë fushë. Ne gjithashtu varemi nga aftësia jonë për të prodhuar disa produkte vendore dhe për të mbështetur ekonominë tonë në vend. Në këtë aspekt, nuk parashikoj ndonjë ndryshim ngaqë ministria e financave mbetet e njëjta”, thotë zonja Zerkal.

Ukraina nuk ka mbajtur zgjedhje që nga fillimi i luftës dhe një analist thotë se disa ndryshime në udhëheqje janë të nevojshme.

“Ka patur shkelje, qeverisje të keqe dhe këto ndryshime të reja do të ndihmojnë në përmirësimin e qeverisjes. Prandaj shpresoj që tërë këto ndryshime do të përmirësojnë aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur dhe për të luftuar kundër Rusisë.”

Sipas anketave të fundit të realizuara nga Qendra ‘Razumkov’ dhe Fondacioni për Nisma Demokratike, shumica e ukrainasve besojnë që Zyra e Presidentit po tejkalon mandatin e saj për të ndikuar tek degët tjera të qeverisë.

Reagimi i banorëve të Kievit ishte i përzier.

“Këta njerëz janë vetëm fasadë; asgjë nuk varet nga ta. Çdo gjë varet nga presidenti”, thotë Ludmila, një banore e Kievit.

“Shteti po zhvillohet. Jemi në procese të ndryshme dhe le të themi se besoj që shteti do të përfitojë nga njerëz të rinj me ide të reja”, thotë Anton, një banor tjetër i Kievit.

“Nuk do të ketë asnjë ndryshim të rëndësishëm; vetëm se po ndërrojnë rolet e lojtarëve kryesorë. Prandaj nuk do t’i quaja këto ndryshime drastike. Bëhet fjalë vetëm për një riorganizim”, sipas banorit të Kievit, Andriy.

Riorganizimi vjen në një kohë kyçe në luftën e Ukrainës. Forcat ukrainase po mbajnë nën kontrollin e tyre territorin rus të pushtuar në rajonin e Kurskut dhe Rusia ka shtuar sulmet ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës energjetike para dimrit që pritet të jetë i vështirë./VOA


1 Comment

  1. JA NJE RROTE KARI QE KISHTE NJE JETE TE BUKURA PA VRARE E PRERE NJERI

    DHE TANI JETON SI SHKERDHATE ME NDERGJEGJEN E PRISHUR SE KA VRARE AQ SHUME
    UKRAINAS PER NJE COPE TOKE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *