• |
ide | kryesore

Vapa e gushtit rrit çmimin e kondicionerëve në rekorde

Lajme, Të fundit



Ndryshimet klimaterike me temperatura ekstreme deri në 40 gradë gjatë periudhës së verës po rrisin gjithnjë e më shumë kërkesën për kondicionerë.

Sipas të dhënave të INSTAT çmimi i kondicionerëve u rrit me 7.7 % në muajin gusht në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Teksa për shumicën dërrmuese të artikujve të konsumit rritja e çmimeve është frenuar gjatë muajit gusht për kondicionerët, jo vetëm që pati një rritje të lartë, por u shënua rekord (shiko grafikun e mëposhtëm).

Shqipëria si një vend me klime mesdhetare me ngrohjen globale po përjeton valë të nxehti, të cilat në qytete janë bërë edhe agresive nga betonimi i tepërt dhe mungesa e gjelbërimit.

Ndërtimi edhe pse është aktiviteti kryesor në ekonominë shqiptare në të shumtën e rasteve nuk ofron cilësi. Banesat ende ndërtohen pas sistemet e ngrohjes dhe ftohjes dhe investimi në kondicioner shihet si një zgjidhje emergjente për të përballuar temperaturat e larta.

Rritja e çmimeve të kondicionerëve në muajin gusht lidhet me kërkesën e lartë. Produktet tani po përdoren edhe në qytetet e veriut të vendit, pasi valët e nxehtit po godasin njësoj këto vitet e fundit.

Instalimi dhe përdorimi në masë i kondicionerëve vuri nën presion furnizimin me energji të vendit dhe solli ngarkesë në linjat e transmetimit.

Gjithashtu përveç blerjes së pajisjeve familjet po rrisin shpenzimet viti pas viti për faturat e energjisë për të siguruar ftohjen në verë.

Një studim i Bankës Botërore këtë vit tregoi se në qytetet e mëdha Shqiptare, Tiranë, Durrës dhe Fier temperaturat janë 7 gradë më të larta nga mungesa e gjelbërimit. Ndotja e ajrit dhe ndërtimi intensiv bën në qytetet e mëdha temperaturat të jene shumë më të larta se realet, duke ndikuar më tej kërkesën për pajisje që sigurojnë ftohjen e ambienteve.

Ndryshimet klimaterike dhe sidomos temperaturat e larta janë duke krijuar një kosto shtese në të gjithë ekonominë në tërësi. Por efektet më të dukshme janë në prodhimin bujqësor dhe në cilësinë e jetës. Shumë kultura bujqësore vit pas viti dështojnë të prodhojnë nga temperaturat e larta të sezonit të verës.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë lajmëruar se, ndikimi i klimës në ekonomi do të rritet vit pas vite nëse shtetet nuk marrin masa për të zbutur efektet e saj. Shqipëria nga këto ndryshime rrezikon përmbytje, rrëshqitje të dherave dhe zjarre gjatë periudhës së verës./MONITOR


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *