• |
ide | kryesore

Fitimet e ndërmarrjeve të huaja në Shqipëri arrijnë rekord të ri

Lajme, Të fundit



Fitimet e investitorëve të huaj nga kompanitë shqiptare kanë arritur një rekord të ri historik për gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimi në Shqipëri për 6-mujorin 2024 arritën vlerën e 549 milionë eurove, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri për periudhën dhe këtë vit ka shënuar nivelin më të lartë historik. Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për gjysmën e parë të këtij viti u rritën në 161 milionë euro, 81% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 389 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 5% krahasuar me një vit më parë. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të shpjegohet me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë, që ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri. Por, padyshim një pjesë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të lekut në kursin e këmbimit me euron. Në mesin e këtij viti, kursi i këmbimit euro-lek ishte në rënie vjetore me 5.8%.

Mes subjekteve që kanë përfituar nga rënia e euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj. Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në euro.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte.

Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 394 milionë euro, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2024./ Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *