• |
ide | kryesore

Një analizë ndryshe/ Si mund të përfundojë lufta në Ukrainë

Arkiva, F1, Planet
Ukrainë



Nga

Kryeministri hungarez Viktor Orbán po bën një përpjekje të madhe për t’ia arritur qëllimit. Menjëherë pas marrjes së presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila do të zgjasë nga 1 korriku deri në fund të vitit, lideri konservator tronditi establishmentin perëndimor duke fluturuar për në Kiev, ku takoi liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, pastaj shkoi në Moskë, për një samit të shkurtër me Presidentin Vladimir V. Putin dhe, prej andej, në Kinë dhe SHBA. Ky sfidim dramatik i konsensusit pro-luftës të Evropës s’i ka dhënë lëvdata Budapestit. Në vend që të duartrokasin Orbanin për punën për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm të Ukrainës, disa e kanë akuzuar Hungarinë për thyerjen e ‘unitetit perëndimor’. Por uniteti në gabim nuk është virtyt. Kur bëhet fjalë për një luftë që përfshin në mënyrë të tërthortë fuqitë kryesore bërthamore në botë, risqet janë thjesht shumë të mëdha që të lejohet të dominojë indiferenca.

Të thuash të vërtetën

Lufta e Ukrainës, konflikti më i madh i Evropës që nga viti 1945, tashmë është në gjysmë të vitit të tretë. Kostoja ka qenë e jashtëzakonshme. Vlerësimet e viktimave për të dyja palët tani janë afër shifrës së një milioni. Ukraina, natyrisht, ka qenë viktima kryesore e konfliktit. Duke mos u rikuperuar kurrë, ekonomikisht apo demografikisht, nga tronditja që iu shkaktua në vitet e vrullshme të ’90-ta, kur kolapsi traumatik i Bashkimit Sovjetik e çoi vendin në rrugën e privatizimeve të kryera në mënyrë jo të duhur, përçarjes së madhe sociale, emigrimit masiv dhe ngritjes së një klase të re oligarkike, kombi ka qenë prej kohësh më i varfëri i Europës.

Lufta i bëri gjërat edhe më keq dhe në mënyrë katastrofike. Pavarësisht nga skenarët rozë për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës, e vërteta është se më shumë se gjysma e objekteve të prodhimit të energjisë në vend tani janë zhdukur nga raketat ruse. Situata demografike e Ukrainës, që ishte e rëndë edhe para luftës, tani është vërtet katastrofike, pasi miliona të rinj ukrainas nuk shihnin asnjë alternativë veçse të iknin te fqinjët e tyre më të pasur europianë, me gjasë për të mos u kthyer më. Me qindra mijëra të vdekur ose të gjymtuar, vlerësimet e arsyeshme sugjerojnë tani se popullsia nën kontrollin e Kievit qëndron diku midis 25 dhe 30 milionë njerëz, shumë prej tyre të moshuar. Sipas një studimi të fundit, kombi i shkatërruar do të kërkojë një normë neto emigracioni vjetor prej 300,000 në mënyrë që të mbajë popullsinë e tij në 30 milionë. Më keq akoma, të dhënat i referohen popullsisë që banon brenda kufijve të Ukrainës të vitit 1991, duke përfshirë Krimenë dhe rajonet juglindore që Rusia ka aneksuar. Humbjet e parashikueshme, si përshembull popullsitë në territoret që Rusia anekson ose vdekjet në luftë, nuk merren parasysh në llogaritje.

Së bashku me vetë Ukrainën, Europa ka qenë humbësi tjetër i madh i kësaj lufte të pamend. Tregtia reciproke e dobishme midis Rusisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka rënë në mënyrë të shpejtë, me pasoja të rënda për industritë europiane, fuqinë blerëse dhe fuqinë ekonomike. Çmimet e energjisë janë rritur, duke mos parë kthim në nivelet e paraluftës. Gjermania, fuqia prodhuese e kontinentit, pritet të rritet midis 0.1% dhe 0.3% këtë vit. Ndërkohë, dhe pavarësisht sanksioneve, vetë ekonomia e Rusisë ka përjetuar një epokë të artë: Prodhimi i Brendshëm Bruto i Rusisë ka pasur një lulëzim pothuajse 4% vitin e kaluar dhe FMN pret që ajo të rritet më shpejt se çdo ekonomi tjetër e përparuar në vitin 2024. Pavarësisht gjithë zhurmës për masat ekonomike perëndimore që supozoheshin se do të gjymtonin Rusinë deri në nënshtrim, me presidentin amerikan Joe Biden që mburrej dikur se “rubla (ruse) ishte kthyer në rrënojë” dhe se “ekonomia e Rusisë është në rrugën për t’u përgjysmuar”, Moska në fakt ka përfituar ndjeshëm nga sanksionet. Në të vërtetë, vetëm këtë muaj Banka Botërore e ngriti Moskën në rangun e një ekonomie me ‘të ardhura të larta’. Në vitin 2022, kur tanket ruse u futën në Ukrainë, Presidenti Putin komandonte ekonominë e gjashtë më të madhe në botë. Ai tani drejton të katërtën, sipas të njëjtit institucion financiar.

Ukraina po shkon drejt humbjes

Strategjia e Rusisë bazohet në pikëpamjen se evolucioni i balancës globale të fuqisë nuk favorizon aktualisht Perëndimin. Ishte kjo ide që e shtyu Vladimir Putinin të shkonte drejt Azisë, një politikë që e pa Moskën të zëvendësonte me sukses tregtinë e saj perëndimore me eksporte fitimprurëse drejt gjigantëve rajonalë si India dhe Kina. Madhësia ekonomike e Rusisë, bollëku i burimeve natyrore dhe aftësia industriale, i japin asaj një potencial autarkik që pak vende të tjera mund ti krahasohen, për të mos thënë asnjë. Rritja e pandalshme e qendrave alternative të fuqisë ekonomike dhe financiare, e përmbledhur nga grupimi BRICS i vendeve në zhvillim, ka paralajmëruar, për të gjitha qëllimet, një rend botëror të ri, post-liberal dhe shumëpolar, të cilin Kremlini ka rezultuar i aftë për ta shfrytëzuar. Analistët inteligjentë dhe të ndershëm e parashikuan këtë gjë, ndërsa altoparlantët perëndimorë siguruan me gëzim dëgjuesit e tyre mendjelehtë se gjithçka që duhej për të shtypur Rusinë ishte një ‘turpërim i fortë i saj’. Siç është parashikuar në mënyrë të përsëritur nga studiues dhe vëzhgues me mendje realiste si John J. Mearsheimer, Emmanuel Todd dhe Grey Connolly, si dhe figura kryesore politike duke përfshirë Vivek Ramasëamy, kandidatin republikan për zëvendëspresident JD Vance dhe sipërmarrësin miliarder Elon Musk, Kremlini vuri bast mbi vullnetin dhe burimet e tij superiore si faktorë vendimtarë të fitores. Deri sot, basti duket se po shpërblehet.

Nëse do të kishte ndonjëherë vend për të argumentuar se konflikti mund të zgjidhej me luftë dhe në mënyra të përshtatshme për interesat e Kievit, atëherë me siguri ajo derë ishte mbyllur në mënyrë dramatike më shumë se një vit më parë. Duke kuptuar saktë se Kievi, duke pasur parasysh forcën e tij të brendshme shumë më të dobët, nuk mund të mbizotëronte në një luftë rrënimi (luftë që zgjat derisa armiku të dorëzohet nga lodhja), aleatët e tij perëndimorë e pajisën atë me ndihmë ushtarake masive të pazëvendësueshme dhe të papërsëritshme për një ‘kundër-ofensivë’ gjithçka ose asgjë. Operacioni përfundoi si një nga fiaskot më të mëdha ushtarake që nga Ngarkimi i Brigadës së Lehtë të vitit 1854, pasi njësitë ruse të ngurtësuara dhe të ngulitura mirë shkatërruan armaturën e Ukrainës të furnizuar nga NATO me koston e disa fshatrave që janë rimarrë që atëherë. Ishte dritarja e vetme e mundësisë e Kievit për të arritur paqen me kushtet e veta dhe trupat e Presidentit Zelensky nuk arritën ta siguronin atë.

Një vit më pas, është e qartë për çdo vëzhgues të arsyeshëm dhe të mirëfilltë të luftës se Ukraina po shkon drejt humbjes së pashmangshme. Kjo nuk duhet të jetë një deklaratë e diskutueshme. Me skenarin e një kolapsi ekonomik rus që tashmë është harruar plotësisht, po ashtu janë harruar edhe iluzionet e marra të një kolapsi të qeverisë aktuale ruse. Në të vërtetë, jo vetëm që lufta është popullore mes shumicës së rusëve, por nga rritja ekonomike që ajo ka shkaktuar ka përfituar veçanërisht klasëa punëtore , duke e shtyrë atë më tej në përqafimin e Presidentit Putin. Me grushtin e shtetit të shtypur të vitit të kaluar të Prigozhin, dhe drejtuesit kryesorë të këtij grushti të vrarë në një ‘aksident’ të çuditshëm, lideri rus është duke lundruar në ujërat ndoshta më të qeta politike se në çdo moment tjetër që nga inaugurimi i tij i parë, në 1999. Vladimir Putin ka për të qëndruar në Kremlin dhe çdo politikë që mbështetet në të kundërtën është marrëzi në ekstrem.

Në frontin ushtarak, gjendja e vështirë e Ukrainës duket po aq e dëshpëruar dhe me siguri do të përkeqësohet. Ekonomia e shkatërruar e Kievit, tani më pak se një e dhjeta e asaj të Rusisë, nuk mund të financojë apo të mbajë përpjekjet e luftës në asnjë mënyrë. Mbështetja e Kievit te sponsorët e saj të NATO-s është e plotë. Baza e saj demografike e shkatërruar do të thotë se, edhe nëse udhëheqësit perëndimorë nuk ndjejnë asnjë shqetësim për shytjen e konfliktit duke dhënë dollarë dhe armë pa ndërprerje, nuk do të ketë mjaft burra ukrainas për të frenuar sulmet shumë më të shumta, më të pajisura dhe teknologjikisht superiore të Rusisë. Bixhozi i fundit i Ukrainës, një inkursion në rajonin e Kurskut të Rusisë, duket më shumë si një përpjekje e dëshpëruar për të përfituar pazare të vlefshme përpara se të fillojnë bisedimet e paqes sesa një përpjekje e qëndrueshme dhe serioze ushtarake. Lëvizja e pamatur rrezikon, megjithatë, të mbizgjerojë më tej forcat e kufizuara të Kievit, duke përshpejtuar kështu rënien në mënyra që nuk do ti sjellin përfitime afatgjata Kievit. Vlerësimi i Emmanuel Todd-it se përpjekja e Kurskut është ofensiva e Ardennes e Ukrainës, një bast i dëshpëruar dhe i pashpresë për të rifituar iniciativën e vendosur nga një fuqi humbëse, mund të jetë fiks ajo që do të ndodhë.

Për Ukrainën, fuqia punëtore është boshti mbi të cilin qëndrojnë të gjitha shqetësimet e tjera. Numri i pamjaftueshëm i trupave tani ka bërë që qeveria e Presidentit Zelensky të përfshihet në përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruara dhe shumë jopopullore për mobilizim masiv. Masat drakoniane që janë vendosur janë thellësisht destabilizuese. Lodhja e luftës po bëhet gjithnjë e më e dukshme, pasi të rinjtë ukrainas qëllohen për vdekje nga qeveria e tyre për përpjekje për t’iu shmangur rekrutimit, ndërsa gratë vetë-digjen të gjalla në shenjë proteste ndaj politikës totale të luftës të presidentit. Rritja e intrigave brenda ushtrisë, e dëshmuar nga zëvendësimi i vazhdueshëm tashmë i komandantëve ukrainas, është një tjetër shenjë se diçka nuk shkon seriozisht me vendin. Pasi ka marrë drejtimin e Forcave të Armatosura në shkurt, gjenerali Oleksandr Syrskyi është përfolur prej javësh se është afër shkarkimit, me deputeten e njohur Mariana Bezuglaya që akuzon Syrsky-n se ka komplotuar ‘kapitullimin’ e vendit.

Situata është e qartë: ndërsa ushtria, ekonomia dhe situata e brendshme politike e Ukrainës vazhdojnë të gërryen, vendi është rrugës për tu mposhtur në front dhe për tu përmbysur në prapavijë. Zgjedhja me të cilën përballet Ukraina dhe Perëndimi është midis një traktati paqeje që bazohet në realitet dhe që pasqyron ekuilibrin e fuqisë, edhe nëse kjo nënkupton pranimin e lëshimeve të dhimbshme, ose në të kundërt, rrezikun në rritje të shpërthimit të Ukrainës.

Balanca e interesave

Luftërat nuk vendosen në bazë të moralit, por në bazë të ekuilibrit ekzistues të pushtetit ndërmjet palëve. Çfarëdo që mund të mendohet për legjitimitetin e pretendimeve dhe objektivave përkatëse të Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s në luftën aktuale, çdo përpjekje për paqe që nuk i njeh këto fakte do të jetë thelbësisht joserioze.

Qëllimi i Ukrainës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s me kufijtë e saj të vitit 1991 të paprekur nuk do të arrihet. As Kievi dhe as mbështetësit e tij nuk kanë forcën për ta imponuar atë me forcën e armëve, siç e bëri të qartë kundërofensiva e dështuar e vitit të kaluar. Në të vërtetë, përpjekja kolektive e zbatuar tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj europianë drejt këtij qëllimi i tejkalon shumë aftësitë e tyre të tendosura industriale. Për më tepër, një rrugë e re që fokusohet në kërcënimin strategjik shumë më të rëndësishëm të përfaqësuar nga ekspansionizmi i Kinës në Paqësor ka të ngjarë të ndërmerret nga SHBA, nëse kandidati republikan presidencial Donald Trump zgjidhet nëntorin e ardhshëm. Ky ndryshim i fokusit në shpërndarjen e burimeve të kufizuara ushtarake dhe diplomatike të Amerikës është kërkuar prej kohësh nga mendimtarë si Elbridge Colby. Viktor Orbán ka aluduar gjithashtu për pashmangshmërinë e saj në një raport të publikuar së fundmi drejtuar Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel mbi misionin e tij të paqes. Siç vuri në dukje presidenti Obama, me të drejtë, ndërsa ishte në detyrë, Rusia do të kujdeset gjithmonë për Ukrainën më shumë sesa Perëndimi.

Ndonëse është e kuptueshme dhe legjitime që Kievi të kërkojë anëtarësimin në NATO dhe BE, asnjë prej kërkesave nuk do të korrespondonte domosdoshmërisht me interesin e vetë Perëndimit. Kujtojmë se shqetësimi i vetëm që duhet të kenë politikëbërësit perëndimorë është interesi i Perëndimit. Në vend të kësaj, është e vështirë të shihet se si supozimi i kostove gjigante të rindërtimit të Ukrainës, që aktualisht vlerësohet nga Banka Botërore në gjysmë trilion dollarë, do të ishte i dobishëm për taksapaguesit perëndimorë. Një marrëdhënie e përhershme armiqësore midis Perëndimit dhe Rusisë, në mënyrë thelbësore, do ta çojë atë vend të madh, së bashku me rezervën e tij të madhe të burimeve, gjithnjë e më thellë në krahët e Kinës. Një aleancë e tillë e thelluar midis Moskës dhe Pekinit është thellësisht në kundërshtim me shqetësimet ekonomike, politike dhe të sigurisë perëndimore.

Kjo politikë e pamend është përmbysja e përpjekjeve shumë të suksesshme të Presidentit Richard Nixon dhe Henry Kissinger për të garantuar që marrëdhëniet e të dy vendeve me Perëndimin të mbeten më të mira se sa mes tyre. Më e keqja akoma, kjo politikë mundëson një partneritet ruso-kinez që do të furnizojë Kinën me teknologji të avancuara, shumë të rëndësishme ushtarake, gjithashtu duke reduktuar varësinë e saj nga deti për akses në lëndët e para të rëndësishme. Nga pikëpamja gjeostrategjike, kjo nënkupton bashkimin e Zemrës Euroaziatike nën një bllok të vetëm të fuqisë kundërshtare. Kjo do të kujtonte në mënyrë të frikshme paralajmërimin e Zbignieë Brzezinskit se “Potencialisht, skenari më i rrezikshëm [për Perëndimin] do të ishte një koalicion i madh i Kinës, Rusisë dhe ndoshta Iranit, një koalicion ‘anti-hegjemonik’ i bashkuar jo nga ideologjia, por nga ankesat e secilës palë.” 

Përkundrazi, interesat perëndimore qëndrojnë në kufizimin e tensioneve me Rusinë dhe garantimin që vendi të mos mbajë anën e Kinës në kohët e trazuara që vijnë. Kjo mund të arrihet vetëm duke kuptuar se Rusia ka interesa të arsyeshme në parandalimin e pranimit të Ukrainës në NATO, për të cilën çdo qeveri sovrane ruse do të luftonte. Këto sigurisht përfshijnë, por shkojnë përtej, sigurinë. Si djep i Rusisë, dhe kufiri i gjatë i botës së Romanovëve, Rusia dhe Ukraina ndajnë një histori të përbashkët ndaj së cilës asnjë lider rus i imagjinueshëm nuk do të ishte indiferent. Në të vërtetë, sondazhet kanë sugjeruar vazhdimisht se një shumicë absolute e rusëve i shohin fqinjët e tyre si të njëjtët njerëz me veten e tyre, ndërsa mbi 40% e ukrainasve kanë menduar të njëjtën gjë deri në vitin 2021. Ndërsa dikush mund të pajtohet ose të mos pajtohet me këto nocione, kompleksiteti i marrëdhënieve ruso-ukrainase janë padyshim një faktor qendror i politikës së jashtme ruse, pavarësisht se kush drejton ose mund të vijë për të udhëhequr vendin. William J. Burns, atëherë ambasadori i SHBA-së në Rusi, dhe tani drejtori i CIA-s, tha pikërisht këtë në një kabllogram diplomatik të vitit 2008, që fatkeqësisht nuk është diskutuar mjaftueshëm:

“Hyrja e Ukrainës në NATO është vija më e fortë nga të gjitha linjat e kuqe për elitën ruse (jo vetëm Putinin). Në bisedat e mia prej më shumë se dy vjet e gjysmë me aktorët kryesorë rusë, nga njerëzit në skutat e errëta të Kremlinit e deri te kritikët më të mprehtë liberalë të Putinit, nuk kam gjetur ende dikë që e sheh Ukrainën në NATO si diçka tjetër përçse një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj interesave të Rusisë… Rusia e sotme do të përgjigjet.” 

Nëse paralajmërimet parashikuese dhe të harruara prej kohësh të Burns dhe George F. Kennan do të kishin formësuar politikën perëndimore, ka arsye të mira për të besuar se Europa do të ishte shumë më ndryshe sot. Do të jetë për historianët e ardhshëm që të zbulojnë plotësisht faktorët e shumtë që çuan në enigmën aktuale, por nuk ka dyshim se shpërfillja arrogante e elitave perëndimore ndaj historisë dhe ligjeve të gjeopolitikës ka luajtur një rol kritik në tragjedi.

Paqja përmes ekuilibrit

Ndërsa Rusia nuk mund të pranojë një Kiev të lidhur me NATO-n, dhe ndërkohë që Perëndimi do të përfitonte pak nga bashkimi i saj në aleancë, të dy palët ndajnë një interes të fortë të përbashkët në mbajtjen e Ukrainës si një shtet kufitar neutral. Në Kongresin e Vjenës, një nga ngjarjet më vendimtare në historinë diplomatike, Princi austriak Klemens von Metternich vendosi me mençuri kundër aneksimit të Dukatit të Savojës, që ndodhet midis Perandorisë Habsburge dhe Francës, nga dëshira për të reduktuar pikat e mundshme të fërkimit me Monarkinë e rivendosur Burbone të Luigjit të XVIII. Burrat aktualë të shtetit nga të dyja palët do të ishin të mençur të mësonin nga shembulli i princit të madh, të përmbaheshin nga ambicia maksimaliste dhe të përqendroheshin në një zgjidhje paqeje që kufizon, në vend që të rrisë, probabilitetin e konfliktit katastrofik midis fuqive bërthamore. Kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka artikuluar qartë pikërisht këtë qëllim duke deklaruar se “të mos ndash kufirin me Rusinë … është shqetësimi më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare të vendit [tonë]”. 

Në të njëjtën kohë, megjithëse një Ukrainë post-luftë që shërben si një kufi neutral midis Rusisë dhe NATO-s është një synim që Perëndimi duhet të ndjekë, duhet të ketë pak dyshim se kufijtë e ardhshëm të Ukrainës do të jenë shumë të ndryshëm nga ata që ishin përpara vitit 2022. Sa më shpejt që Kievi ta kuptojë dhe ta pranojë këtë realitet objektiv, të pashmangshëm, aq më shpejt do të jetë e mundur të arrihet paqja dhe të ndalet shkatërrimi i pakuptimtë i jetëve, financave dhe potencialit kombëtar të Ukrainës. Territoret ukrainase që u integruan formalisht dhe në kushtetutë në shtetin rus në vitin 2022 nuk do të kthehen në kontrollin e Kievit, as nëpërmjet mjeteve ushtarake apo diplomatike: Moska nuk do të dorëzojë në paqe atë që mund të siguronte në luftë, dhe të mendosh ndryshe është kulmi i marrëzisë. Kështu, qasja e Perëndimit për t’i dhënë fund luftës nuk duhet të kërkojë vetëm ruajtjen e një shteti ukrainas të palidhur gjeopolitikisht, neutral, jashtë NATO-s dhe BE-së; duhet të pranojë se territore të rëndësishme ukrainase do t’i duhet t’i jepen Moskës në këmbim të një zgjidhjeje të përhershme. Ky është një realitet me të cilin një numër në rritje i zyrtarëve ukrainas janë gati të përballen. Kryetari i bashkisë me ndikim politik të Kievit, Vitaly Klitschko, i tha së fundmi Corriere della Sera të Italisë se përfundimi i luftës ka të ngjarë të kërkojë një “kompromis territorial me Putinin” i ndjekur nga një “referendum” që i jep asaj legjitimitetin e nevojshëm politik.

Sidoqoftë, nëse Ukraina do t’i mbijetojë konfliktit aktual si një shtet i pavarur, koha është thelbësore. Ashtu si balanca e fuqisë është zhvendosur pa masë kundër Kievit që nga muajt e parë të luftës, kur u mbajtën negociatat për herë të fundit, po ashtu edhe qëndrimi i Moskës do të ngurtësohet edhe më shumë me kalimin e kohës. Në atë kohë, e befasuar nga rezistenca e egër, tani dihet se Moska ra dakord për një traktat bujar që do ta kishte bërë Ukrainën të angazhohej për neutralitet dhe demilitarizimin në këmbim të rimarrjes së të gjithë territorit të pushtuar pas shkurtit 2022. Zyrtarët ukrainas thuhet se ishin të gëzuar dhe “hapën shishet e shampanjës” për të festuar marrëveshjen, por Kievi më vonë e refuzoi atë, me sa duket me insistimin e kryeministrit të atëhershëm britanik Boris Johnson. Ky ishte një gabim tragjik, historik, të cilin Ukraina e ka paguar me hidhërim. Sot, çmimi i paqes është rritur shumë, me humbjen e dy rajoneve të tjera , Zaporizhzhia dhe Kherson. Nëse armiqësitë vazhdojnë, edhe profecia e Elon Musk se Rusia do të marrë përfundimisht Odesën mund të duket rozë për Ukrainën.

Në vitin 1939, e rraskapitur dhe përballë një situate gjithnjë e më të pashpresë, Ushtria e Republikës së Dytë Spanjolle u ngrit kundër qeverisë prokomuniste të kryeministrit Juan Negrín. Udhëheqësi i grushtit të shtetit, koloneli Segismundo Casado, ishte një kundërshtar i përkushtuar i forcave fitimtare nacionaliste të gjeneralit Francisco Franco. Megjithatë, Casado e pa luftën si të humbur, vazhdimin e saj si një humbje të pakuptimtë të jetës dhe një dorëzim të negociuar si shpresën e fundit të Republikës. Siç ndodhi, ishte tepër vonë. Nacionales nuk do të pranonin asgjë më shumë se një dorëzim të plotë dhe të pakushtëzuar. Ndërsa kjo nuk është ende situata e Ukrainës, pozicioni i vendit po përkeqësohet me shpejtësi. Që ai të vazhdojë si një shtet i pavarur, siç është në interesin e tij dhe të Europës, heshtja e topave është një çështje urgjente. Kjo është arsyeja pse kryqëzata e paqes e Viktor Orban duhet të mbështetet – për hir të Ukrainës, Europës dhe botës.

Përshtati në shqip ©LAPSI.AL 


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *