• |
ide | kryesore

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë: Depozitat në euro po rriten me ritme dyshifrore

Lajme, Të fundit



Depozitat bankare në euro po rriten me ritme dyshifrore edhe këtë vit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit korrik depozitat bankare në monedhën europiane arritën vlerën e 7.63 miliardë eurove dhe prekën një rekord të ri historik. Depozitat në euro janë në rritje me afërsisht 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pas një frenimi të përkohshëm në muajin shkurt të këtij viti, depozitat në euro i janë rikthyer një tendence të shpejtë rritëse gjatë muajve në vijim, rritje karakteristike për vitet e fundit. Rritja e depozitave në euro vazhdon të reflektojë flukset e larta valutore hyrëse në ekonominë shqiptare. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, rritja e prurjeve valutore i detyrohet sidomos rritjes së eksportit të shërbimeve, (mbizotëruar nga turizmi), por edhe niveleve të larta të investimeve të huaja direkte, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Sezoni veror historikisht shoqërohet me prurje të shtuara depozitash në sektorin bankar, të lidhura kryesisht me sezonin turistik. Është e pritshme që rritja e depozitave në euro të ketë vijuar me ritme të shpejta edhe në muajin gusht. Këtë vit po vërehet një zgjerim veçanërisht në segmentin e depozitave me afat, i nxitur edhe nga edhe rritja e normave të interesit. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që rritja më e lartë vërehet në depozitat me afat më të gjatë se dy vjet, që ofrojnë edhe norma më të larta interesi.

Sipas segmenteve të klientëve, individët vazhdojnë të jenë dominues dhe të japin kontributin kryesor në rritje. Në rritjen vjetore prej 808 milionë eurove të depozitave, individët kontribuuan me pothuajse 80% të shtesës së tyre. Në fund të muajit korrik, depozitat e individëve arritën vlerën e 5.63 miliardë euro. Kjo shumë përbën rreth 74% të depozitave bankare në valutë.

Prurjet e mëdha të valutës në ekonominë shqiptare po ushtrojnë edhe këtë vit presione të forta nënçmuese mbi kursin e këmbimit të monedhës europiane ndaj lekut. Për herë të parë këtë vit, kursi euro lek zbriti poshtë kufirit të 100 lekëve dhe vazhdon të qëndrojë poshtë këtij niveli edhe në ditët e para të muajit shtator. Në gusht, euro zbriti deri në nivelin e 99.6 lekëve, që përfaqëson vlerën më të ulët të të gjitha kohërave për kursin e këmbimit me lekun.

Euro ka rënë poshtë kufirit të 100 lekëve pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor. Qysh prej muajit maj, Banka Qendrore ka blerë në mënyrë periodike euro, me qëllim për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit të monedhës europiane. Objektivi duket se ishte mosrënia poshtë kufirit psikologjik të 100 lekëve, por në muajin gusht edhe ky kufi u thye.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në tremujorin e dytë të vitit volume e këmbimit valutor shënuan një rritje rekord me 30%, fakt që dëshmon gjithashtu vlerat e larta të prurjeve valutore në ekonominë shqiptare./ Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *