• |
ide | kryesore

AKIP kundërshton nismën e qeverisë për importin e mbetjeve

Arkiva, Lajme, Të fundit



Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve, AKIP, organizoi të hënën një takim me aktivistë dhe qytetarë për të kundërshtuar projekligjin e ri të qeverisë “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ku parashikohet lejimi i importit të lëndëve djegëse alternative në favor të industrisë së prodhimit të çimentos dhe importimin e mbetjeve për industritë prodhuese dhe ricikluese.

AKIP i kërkoi qeverisë që të tërhiqet nga nisma dhe paralajmëroi protesta qytetare në vijim për të kundërshtuar miratimin e nismës në parlament.

Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisor, tha se Shqipëria nuk mund të pranojë importin e plehrave kur ka një krizë të menaxhimit të mbetjeve brenda vendit dhe një ndotje të shtuar “në mënyrë marramendëse”.

Ai e cilësoi rikthimin e nismës nga qeveria si një “aferë të shëmtuar”, që tenton të kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash.

“Shtimi i plehrave nga vende të tjera në këto kushte ku jemi është fatal, katastrofik,” tha ai duke kërkuar një reagim të fuqishëm qytetar për të ndaluar nismën, siç ka ndodhur dhe me nismat e mëparshme të qeverive të ndryshme.

Edhe aktivisti Ervin Goci ngriti pikëpyetje mbi arsyet që e shtyjnë qeverinë për të rikthyer një nismë, të cilën vetë ajo kur ishte në opozitë e kishte kundërshtuar.

“Kjo parti ka humbur çdo dimension politik dhe do me marrë përfitime,” tha ai duke shtuar se “ata mendojnë se opinionin publik e kanë lënë shakull e nuk reagon njeri më”.

Në forumin e AKIP morën fjalët dhe qytetarët e pranishëm, duke shprehur shqetësimin e tyre për rrezikun që i kanoset shëndetit të qytetarëve nga importi i mbetjeve dhe përdorimi i tyre për djegie në indrustrinë e përpunimit të çimentos.

Mjeku radiolog, Hektor Grazhdari solli përvojën e tij nga Italia fqinje duke ngritur alarmin se djegia e mbetjeve të plastikës do të sjellë pasoaja serioze në shëndetin e popullsisë.

“Plastika kur digjet lëshon nxehtësi të madhe, por edhe lënde toksike dhe kancerogjene, që do të shpërndahen në ambjentin tonë me tym, do të futen në ciklin e ujit, do t’i pijmë ne me ujin e rubinetit dhe do t’i hamë me ushqime,” tha ai.

Shqipëria ka debatuar nisma të tre qeverive përgjatë njëzet viteve të fundit që synonin të lejonin importin e mbetjeve, që të gjitha, të dështuara për shkak të protestave popullore.

Nisma e parë i takoi ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili miratoi një kontratë koncesioni për një impjant incinerimi për biznesmenin kontrovers italian Francesco Becchetti. Në vitin 2011, qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një ligj për lejimin e importit dhe dha licenca për importime mbetjesh, sipas formatit të propozimit aktual. Kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte në opozitë, bëri fushatë gjerësisht duke premtuar heqjen e mundësisë për importin e ligjshëm të plehrave në Shqipëri, vendim që e mori në ditët e para të mandatit të parë në vitin 2013.

Në vitin 2016, Rama ndryshoi mendim dhe vendosi të lejojë sërish importin e plehrave, por pas protestave të shoqërisë civile, socialistët hoqën dorë nga nisma një vit më pas.

Nisma e fundit që u hodh në fund të verës në faqen e konsultimeve publike favorizon industrinë e prodhimit të çimentos në vend, e përfaqësuar nga vetëm dy kompani në treg, dhe më pak industrinë e goditur rëndë të riciklimit./Reporter.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *