• |
ide | kryesore

Gjykata dëgjon ekspertët në çështjen kundër Sonila Qatos

Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Edmond Hoxhaj

Në procesin penal që zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në ngarkim të ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe vartësve të saj, tre ekspertë deklaruan se tunelet e rrugës së Arbrit kanë qenë të papërfunduara kur janë kolauduar si të tilla në vitin 2019.

Ekspertët e caktuar nga gjykata i parashtruan konkluzionet e tyre më 17 shtator bazuar mbi pyetjet e të pandehurve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato dhe disa ish-vartës të saj akuzohen se favorizuan një shoqëri në hije në tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019. Qato i mohon akuzat.

Ekspertimi i ri u krye pasi u vlerësua i pavlefshëm dhe i papërdorshëm një akt i kryer nga ekspertë të caktuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda në vitin 2019, pasi nga të pandehurit u ngritën pretendime se ekspertët e caktuar nga organi i akuzës kanë qenë të palicencuar dhe se një prej tyre ka qenë i dënuar për falsifikim. Pretendimi për nënshkrimin e aktit nga një ekspert i dënuar për falsifikim u konstatua dhe nga gjykata në seancat e mëparshme.

Sipas eksperteve, tunelet T4, T5 dhe T6 në Rrugën e Arbërit, kanë qenë të papërfunduara kur është kryer akti kolaudimit. Sipas tyre, pavarësisht se punimet janë konsideruar nga kolaudatori të përfunduara, ato nuk kanë qenë të tilla. Të pyetura lidhur me raportet e kryera nga grupi i punës së ARRSH-së, ekspertet thanë se situata e përshkruar paraqitet e njëjtë, pa ndryshme thelbësore.

Në funksion të pyetjeve të mbrojtësve të të pandehurve të parashtruara të martën në gjykatë, ekspertet vërejtën se akti kolaudimit mund të kryhet edhe kur nuk kanë përfunduar gjithë punimet e një objekti, por duke i përshkruar ato që janë ende për t’u realizuar. Sipas eksperteve, ndryshe nga sa është përcaktuar në aktin e kolaudimit, kur ka ende punime të papërfunduara nuk mund të thuhet se ka filluar faza e garancisë.

Prokurori i çështjes, Elvis Gokaj kërkoi kohë për t’u njohur me aktin e ekspertimit dhe për të përgatitur pyetjet për ekspertet. Ai tha se do t’i paraqesi seancën e ardhshme.

Për këtë arsye gjykata vendosi të shtyjë seancën më datë 1 tetor, në orën 11:00.

Sipas SPAK, ARRSH ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifikim e kompanisë “Gjoka” nga tenderi. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit të punës për “Falsifikim të dokumenteve”, me argumentin se kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.

Gjithashtu, pretendohet se përmbajtja e këtyre raporteve ka rezultuar në kundërshtim edhe me dokumentacionin e dorëzuar nga ana e bashkimit të operatorëve “Gjoka Konstruksion”, si dhe janë vlerësuar prej prokurorisë tërësisht të ndryshme nga të dhënat e përftuara nga procesverbali i këqyrjes së realizuar nga Policia Gjyqësore apo dhe aktit të ekspertimit të kryer nga ana e ekspertëve të caktuar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda – akt ekspertimi që u vlerësua i pavlefshëm./BIRN


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *