• |
ide | kryesore

Skandali me diplomat fallso në Itali/ Universiteti në Tiranë u licensua për një çantë me vlerë 1200 euro

Arkiva



Hetimet e Guardia di Finanzia kanë zbuluar së fundmi një skandal me shitjen e diplomave dhe certifikatave fallso nga Tirana për shtetas të Italisë. Në krye të skemës së mashtrimit janë dy administratorët e Kolegjit Universitar Wisdom në Tiranë, çifti i bashkëshortëve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano.

Mediat italiane shkruajnë se të sipërpërmendurit, duke përfituar nga lidhjet e tyre në Shqipëri janë vendosur në krye të institucionit me premtimin se do ta shndërrojnë atë në qendër të mësimdhënies për studentët e ekselencës në të gjithë Ballkanin. Gjithashtu thuhet se çifti kanë korruptuar zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve, ku njëra prej tyre, konkretisht presidentja e Këshillit të Akreditimit të Ascal (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), ka marrë një çantë Luis Vuitton, me vlerë rreth 1200 euro.

Savino Cianci i njohur edhe si Nino Cianci dhe Lucia Catalano u martuan në qershor të këtij viti, me një dasëm luksoze ndërsa sot të dy janë në bug pas zbulimit të skandalit. Nino Cianci ka postuar shpeshherë foto nga jeta e tij e bukur në vendin tonë, me udhëtime, takime të rëndësishme me profesorë, zyrtarë dhe projekte universitare. Në Shqipëri, përveç Universitetit Wisdom, çifti i italianëve ka edhe disa biznese të tjera, ndërsa në Itali Cianci dhe gruaja e tij janë aksionerë dhe drejtues të CS Consulting Group srl me seli në Foggia. Sipas dosjes së prokurorisë, Cianci kishte menaxhuar dhe organizuar “veprimtarinë kriminale dhe selinë e organizatës në qytetet Trani dhe Foggia”. Po sipas hetimeve ai “ka kryer menaxhimin e të ardhurave të paligjshme duke planifikuar dhe zbatuar ngritjen e zyrave kombëtare dhe të huaja, përfshirë ato virtuale, të kompanive që përfitojnë nga fitimet e paligjshme (Shqipëri)”.

Në artikullin e mediave të vendit fqinj thuhet se dokumentet e prokurorisë italiane gjithashtu dëshmojnë se universiteti Wisdom printonte diplomat false, përkundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit. Megjithatë, titujt ishin të rremë. Disa prej vërtetimeve ishin edhe të falsifikuara si të Universitetit La Sapienza i Romës. Përmendet se një person ka paguar transferta bankare deri në 9 mijë euro për specializim. Dokumentet publike, qartësisht të falsifikuara, në disa raste kishin të dhëna të palexueshme. 19.500 euro është shuma e paguar nga një tjetër student, viktimë e skemës për të marrë titullin master në shkencat e edukimit. 9 mijë euro për diplomën trevjeçare në “Kriminologji”, e dhënë sipas akuzës nga një universiteti në fjalë. Kostoja për një diplomë hotelerie arrinte deri në 6 mijë euro.

Të arrestuarit e tjerë lidhur me skemën e mashtrimit janë: Të arrestuarit janë: Maria Saveria Modaffari, Fortunata Giada Modaffari, Maria Attisano, Lucia Catalano, Savino Cianci, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale, dhe Maria Mdaraa. Lidhur me skandalin që duket se ka rrënjë të thella edhe në vendin tonë ende nuk ka asnjë informacion për shtrirjen e hetimeve dhe operacionit të Guardia di Finanza në Shqipëri.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *