• |
ide | kryesore

Analiza/ Shullazi sinonim i demokracisë shqiptare

I pakategorizuar
shullaz gjyq.jpg



Nga Enver Robelli

Një ditë prilli me diell duket shumë e përshtatshme për të dëgjuar Radio Tiranën. Kjo radio, që te çdo shqiptar kosovar zgjon emocione të ndryshme nga koha kur ishte qendër e propagandës komuniste, dëgjohet në vitin 2016 edhe më mirë në atë që quhet Rruga e Kombit, një shteg me plot kthesa, e papërfunduar, një udhë ku shëtisin bujq, gomarë, dashnorë, lopë, buallica. Më shumë se Rrugë e Kombit është Rrugë e Vetmuar.
Mund të ecni me kilometra të tëra dhe në asnjërën anë nuk do të shihni asnjë veturë, pastaj befas shfaqet një kamion që ecën dalëngadalë. Shpesh mund të jetë me targa të Serbisë. Bijtë e shqipes nuk prodhojnë gati asgjë, andaj furnizohen nga fqinjët. Çfarë nuk na sjellin serbët, na e vendosin në tryezë grekët apo italianët. Natyrisht, me çmime të shtrenjta. Por për këtë nuk kanë faj as Beogradi, as Athina.
Rruga e Kombit është vendi ndoshta më i përshtatshëm për të menduar për këto deformime të botës shqiptare. Por në këtë ditë prilli kjo është e pamundshme, sepse, përmes Radio Tiranës, në veturë hyn zëri i frikshëm i Sali Berishës. Parlamenti shqiptar po diskuton mbi arrestimin e Emiljano Shullazit, një përfaqësuesi të njohur të nëntokës shqiptare të krimit. Për fat të keq, aty-këtu sinjali i Radio Tiranës është i dobët, ndërsa pa pengesa jehojnë këngë të radiove serbe e malazeze, dëgjohet po ashtu shumë mirë zëri i moderatorit të Radio Marisë, i cili edhe kësaj radhe tregon historitë e njëjta për Marinë, Jezusin, mëshirën, sakrificën, Biblën… Nuk mund të ketë kontrast më të madh se në mes të Radio Marisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në të parën qetësi, në të dytin marrëzi. U përcaktova për marrëzinë e zhurmshme, për arsye të kureshtjes politike.
Kur flet një “demokrat”, atëherë dëgjohen këto fjalë: qeveri e korruptuar, qeveri e Shullazit, qeveri e krimit, qeveri e drogës, qeveri e të çmendurve, qeveri e lidhur me mafiozë, qeveri e dëmshme për Shqipërinë, qeveri e hajdutëve, qeveri e papërgjegjshme. Kur flet një “socialist”, dëgjohen këto fjalë: opozitë e korruptuar, opozitë e Shullazit, opozitë e krimit, opozitë e drogës, opozitë e të çmendurve, opozitë e lidhur me mafiozë, opozitë e dëmshme për Shqipërinë, opozitë e hajdutëve, opozitë e papërgjegjshme. Për të goditur Berishën, i cili është një dinozaur i politikës shqiptare, dikush nga socialistët përmend “plakun me oturak”. Niveli i zhurmës rritet, a thua tani do të hapet zjarr në Parlamentin shqiptar? Nuk do të ishte hera e parë.
Burra të ligj (dhe ca gra të liga) flasin e flasin në Kuvendin e Shqipërisë. Dëgjon njeriu tri orë debat dhe, përveç sharjeve, çfarë merr me vete kur zbret nga vetura në Tiranë? Asgjë. Asnjë propozim konstruktiv. Asnjë mendim të matur. Asnjë fije rezoni shtetëror. Parlamenti i Tiranës i përngjan një pazari ku çafkat grinden për të ndukur një copë peshku. Nuk ka foltore më të lartë të kombit se foltorja e Kuvendit, por ajo qëmoti është shndërruar në një podium toksik.
Debatet në Kuvendin e Shqipërisë i ndjeri Ardian Klosi i pati krahasuar me llafet që dikur jehonin te radha e qumështit: “Dëgjove moj e zezë ç’i ndodhi Ritës së Fonit? E kapi e vjehrra në shtrat me shoferin e të shoqit, pupu, po s’i ka thënë gjë të birit se ai e vret. Po për Zyranë e Myftarit e more vesh? Dështoi. E kështu me radhë te radha e qumështit, tring-tring shishet bosh, qytetarët që mezi zgjohen nga e keqja dhe historitë më të fundit të lëneshave, gjersa vjen <Zuku> me 10 arka me qumësht dhe 5 me kos, e ngaqë s’mjaftojnë për të gjithë, lëneshat i lëshojnë historitë edhe më të çakërdisura”.
Edhe 25 vjet pas rënies së komunizmit, i cili në Shqipëri mbijetoi me gëzof tjetër, Rita e Fonit, Zyraja e Myftarit dhe Hajriu i Hasanit vazhdojnë të vërtiten me shishe bosh, të jetojnë keq, të mërgojnë kryesisht në Gjermani. Vetëm në korrik të vitit 2015 shqiptarët dorëzuan 7 mijë kërkesa për azil te autoritetet gjermane. S’po shihet në Shqipëri as shkëlqimi i Rilindjes, as premtimi i Gërdecit, ku me municion të skaduar synohej të ndërtohej Shqipëria e ardhmërisë kapitaliste.
Shqipëria është shembull se si krimi i organizuar dirigjon partitë dhe politikanët bëhen vetëm tellallë të nëntokës. Emiljano Shullazi është sinonim i demokracisë shqiptare. Ai mund të vrasë, të plagosë, të rrëmbejë prona, të shantazhojë, të kërcënojë, të dhunojë dhe t’i shërbejë pushtetit ose opozitës – varësisht nga agjenda e tij. Pastaj mund të akomodohet në kolltuk dhe të shikojë grindjen mes “demokratëve” dhe “socialistëve” në Kuvend. Por grindja është e panevojshme. Shullazi, me sa duket, qenka i të gjithëve. Shqipëria shullaziane! Një vend për ta vajtuar!
Gjatë është shpresuar se pasi të pensionohen dinozaurët e politikës shqiptare, për shembull Sali Berisha, politika shqiptare do t’i kthehet normalitetit.

 

Duhet ta varrosim këtë shpresë. Sepse si Berisha ashtu edhe Edi Rama, që brengoset për fatet e Donald Trumpit, kanë “prodhuar” politikanë të rinj me mentalitet të vjetër. Ata, të rinjtë, mund ta imitojnë Barack Obaman, por në çdo çast mendojnë si t’ia hedhin ligjit, shtetit, opozitës, kritikëve, rivalëve. “Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët”, është një varg nga një poezi e Ardian Klosit, i cili iku nga kjo botë si sot para 4 vjetësh (më 26 prill 2012), pasi kishte luftuar me penë e megafon për një Shqipëri tjetër, dhe i etur për normalitet ai habitej kur e takonte një polic trafiku në Kosovë, i cili sillej si polic trafiku dhe jo si cub. /koha ditore/