• |
ide | kryesore

Intervista/ Ku i dredhoi pyetjeve Sali Berisha?

I pakategorizuar
auto_Sali_Berisha_-_Fakt_161505331422.jpg



U shit si rrëfimi shokues i Sali Berishës. U trumpetua si kumtimi i të vërtetave të tij. U anunçua si një hakmarrje e vonuar ndaj pasardhësit. Por, nëse do të matet me këtë metër bashkëbisedimi i Berishës me Çim Pekën ishte një dështim. Pavarësisht se gazetari e beri të fliste për tema deri më tani tabu, si e shkuara e afërt dhe e ardhmja e PD-së, lideri historik i kësaj partie dredhoi në pikat më kyçe që priste publiku dhe bishtnoi të thelbin e qëndrimit të tij ndaj Lulzim Bashës. Pasi e ka parë dhe riparë disa herë këtë bashkëbisedim, Lapsi.al ka dedektuar pesë pikat ku Berisha nuk ka qenë i sinqertë. Lapsi ka renditur deklaratat tij dhe pastaj ka renditur faktet dhe komentet për atë çfarë nuk shkon.

1) Listat e kryetarit

Përjashtimi i shumë figurave legjendare nga listat për deputetë ka shkaktuar një tërmet të veçantë tek militantët e PD. Më në fund Sali Berisha foli hapur për këtë problem…

Çfarë tha:

“Edhe një herë e theksoj se kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithëatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet tju udhëheqin interesat e PD-së”.

Ku bishtnoi:

Paavarësisht se kjo qe hera e parë që listat e deputetëve nuk kalonin formalisht nga forumet, të gjithë e dinë se defakto, kur ishte Berisha, listat qenë ekskluzivitet i tij. Po të marrim zgjedhjet e fundit që ai beri listat, ato të 2013, të gjithë deputetët e komisionit të ligjeve, Rusmaili, Demi, Gumi, Trashani u përjashtuan personalisht nga Berisha, vetëm se atij i kishte mbetur qejfi nga veprimet e tyre. Askush të cilit i hiqte vështrimin doktori, nuk mund të aspironte më për deputet. I vetmi ndryshim me Bashën qe se ai e kishte karizmën t’i imponohej forumeve, kurse Basha u fshihet atyre me skuthllëk. Pika e dytë ku Berisha dredhon është se ai e njeh gabimin e Bashës me Topallin, Patozin, Imamin, Bregun etj, po ai bën si neutral ku vjen puna për të ofruar një zgjidhje. Pra, në thelb, ai bie dakord që situata të qëndrojë siç është, megjithëse pasardhësi i tij luajti me hile.

2) Betejat e mia në PD kanë mbaruar

Berishës i është kërkuar nga shumë demokratë që ai të vërë rregull dhe të korigjojë gabimet dhe padrejtësitë që i janë bërë figuarave të PD nga Basha. Por, ai ka mbajtur një qëndrim të çuditshëm që përkufizohet në formulën që ka gjetur….

Çfarë tha:

“Nëse unë do të hyjë në betejë, unë do të ndjek betejën, por unë nuk kam ndërmend, betejat e mia kanë marrë fund. Betejat e mia në lidershipin e PD kanë marrë fund, dhe unë, angazhim tjetër nuk mund të kasha”.

Ku bishtnoi:

Formula e Berishës se betejat e tij në PD kanë mbaruar nuk ka kuptim, për sa kohë ai vazhdon të jetë aktiv në betejat kombëtare. Berisha nuk ka thënë që ka dalë nga politika, ai është në betejë permanente për rrëzimin e Ramës. Po si mund të rrëzohet Rama pa një opozitë të fortë??? Dhe nëse Berisha mendon se ai ka ide dhe strategji më të mira se kryetari aktual, për ta rikthyer PD-në në pushtet, ai nuk mund të fshihet pas shprehjes se unë nuk bëj beteja brenda PD. Sepse kjo do të thoshte se ai ka hequr dorë edhe nga farkëtimi i një force që do të përmbysë kryeministrin aktual, gjë që ai nuk e pranon. Pranaj formula që ka gjetur është sipërfaqësore dhe e pakuptimtë.

3) Marëveshja Rama-  Basha ishte e shkëlqyer

Berisha gjithmonë e ka mbrojtur publikisht paktin e 18 majit. Edhe tani ai nuk e gjen aty shkakun e disfatës së PD-së. Ai pretendon se humbja e zgjedhjeve erdhi për shkak se Rama e shfrytëzoi më mirë se Basha impaktin e marëveshjes në publik…

Çfarë tha:

“Në rrafshin politik ajo ishte në vlerësimin tim një fitore e shkëlqyer. Nëse në atë kohë nuk e kam shprehur me termat e forta për arsye elektorale, unë tani e them: Ajo ishte një fitore e shkëlqyer e Lulzim Bashës. Sepse të arrije, tia rrëzoje gjysmën e qeverisë kryeministrit, tejkaloje çdo lloj parashikimi dhe ishte një fitore në rrafshin ndërkombëtar sepse e gjithë bota e mori vesh që ajo çadër pati kazus të drejtë dhe se ngadhënjeu kauza e çadrës. Kjo ishte”.

Ku bishtnoi:

Të gjitha këto që pretendon Berisha mnd të jenë të vërteta, por ai bën sikur harron gjënë kryesore. Se çadra u ngrit vetëm me një qëllim: për të mos shkuar në zgjedhje me Ramën kryeministër. Ajo nuk u ngrit as për të pasur jehonë ndërkombëtare, as për të rrëzuar Beqen dhe Tahirin. Dhe fakti se nga target për t’u rrëzuar Rama u kthye në arkitektin e paqes e bëri leckë kredon e një çadre që i kish thënë për tre muaj me radhë shqiptarëve se kryeministri duhej shporrur se po të qëndronte në pushtet, me paratë e drogës dhe oligarkët që kontrollonte, nuk do të kishte zgjedhje. Në fakt ndodhi pikërisht kështu. Ndaj për PD-në marrëveshja nuk qe një shkëlqim, por një katastrofë.

4) Nuk e kam mbështetur Bashën kundër Olldashit

Sali Berisha ka pretenduar se ai ka qenë neutral në garën për kreun e PD mes Bashës dhe Olldashit. Dhe ai e shpjegon rrezultatin e saj me faktin se Olldashi bëri aleancë me strukturat drejtuese kurse Basha bëri për vete militantët…

Çfarë tha:

”As Lulzim Basha dhe as i ndjeri Sokol Olldashi nuk janë thirrur nga Sali Berisha për të kandiduar. Jo. Që të dy kanë ardhur vetë tek Sali Berisha. U kam thënë të njëjtën fjali që të dyve: Ky është vendim i juaji, unë nuk kam asgjë kundër. Ua kam bërë të qartë që asnjëri prej tyre të mos thotë se jam kandidat i Sali Berishës”

Ku bishtnoi:    

Eshtë e vërtetë se Sali Berisha nuk ka bërë pro asnjërit thirrje publike. Por ama ai s’ka bërë asgjë për të daravitur idenë se Basha është pasardhësi i paracaktuar. Së dyti ai pranon se Olldashi paska pasur pikë të fortë strukturat. Po atëherë pse i paralizoi ai të gjitha strukturat të bënin fushatë, për të favorizuar kë? Pse ai shpiku formulën hibrid, të paprecedent në një parti demokratike, ku figurat kryesore të PD, nuk duhet të prononcoheshin për preferencat e tyre. Për të mos folur pastaj për mesazhet qe shkonin në bazë nga qendra, për listat me “probleme” dhe për fletët e votimit me truk. Pra ai gënjen kur thotë se Basha nuk ka qenë i përzgjedhuri i tij.

5) Nuk qëndron krahasimi me çiftin Khol – Merkel

Që kur Basha u bë kryetar të shumtë kanë qenë ata që e kanë ftuar atë të ndjeki shembullin e Merkelit që pasi mori partinë e goditi mentorin e saj politik, Helmut Kohl. Për herë të parë Berisha ka folur edhe për këtë paralelizëm…

Çfarë tha:

“Ata që e pretendojnë këtë janë brenda një skeme. Janë injorantë politikë, zhul politik me injorancën e tyre. Së pari njëherë Helmut Koli nuk ka lënë Angela Merkelin si pasardhëse. Helmut Koli ka lënë Shaublen, ministrin aktual të Financave, njëri nga mendjet më brilante të botës gjermane, ndoshta të pasluftës së Dytë Botërore. Ai ishte pasardhësi direkt i Helmut Kolit. Këta nuk kanë njohuritë më elementare. Së dyti, Shauble dha dorëheqjen. Pse e dha dorëheqjen? Për shkak të skandalit të Kolit. Pra kjo është të krahasosh të pakrahasueshmen. Helmut Koli vdiq kolos, si kancelari gjerman më i madh i të gjitha kohërave. Ishte kancelari i dytë që bashkoi tokat gjermane. I pari, Bismarku i bashkoi në diktaturë, Koli i bashkoi në demokraci. Këta janë të vegjël shumë në arsyetim dhe llogjikën e tyre”.

Ku bishtnoi:

Berisha lavdëron Kohlin, ngre në qiell Shaublen, bën kronologji por nuk jep përgjigje për debatin e hapur. Anxhela Merkel ishte e përkëdhelura e Helmut Kolit. Ajo qe nga të paktat gjermanolindore që u fut në kabinetin e tij. Dhe kur ish kancelarit të famshëm që bashkoi dy gjermanitë i rëshkiti këmba dhe iu zbulluan financimet e paligjshme, ajo e goditi në mënyrë të fortë publikisht duke u distancuar prej tij. Aq e vërtetë është kjo,  sa tani në fund kur Koli vdiq, e veja e tij la një porosi: Anxhela Merkel të mos vijë në varrim. Edhe në mjedisin shqiptar ky ka qenë debatei A e kanë partitë e djathta traditën e “atvrasjes” politike, siç bëri Merkel me Kolin, apo jo. Në vend që të përgjigjet për këtë, Berisha bën kronologjinë sesi Merkel e mori partinë drejtpërdrejt nga Kol, apo jo.

(Lapsi.al)