• |
ide | kryesore

Kriza politike në Venezuelë, Trump telefonon Putinin

Planet



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zhvilluar ditën e djeshme një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, lidhur me krizën politike në Venezuelë.

Destabiliteti që ka ngërthyer Karakasin zyrtar me intensifikimin e tubimeve të ashpra në sheshet qendrore të tejmbushura me protestues, ka rritur rivalitetin mes SHBA-ve dhe Rusisë për ruajtjen e sferës së tyre të influencës në këtë kënd të Amerikës Jugore. “Kjo është hemisfera jonë. Nuk është një rajon ku rusët duhet të ndërhyjnë”, deklaroi pak ditë më parë këshilltari i Sigurisë Kombëtarë të kreut të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.

Telefonata mes krerëve të dy fuqive antagoniste, i paraprin një tjetër komunikimi zanor mes ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke pasur në fokus të bisedës mundësinë e një ndërhyrje ushtarake të SHBA-ve në Venezuelë, të paralajmëruar më herët nga zyrtari i lartë amerikan, me qëllim parandalimin e shpërthimit të një lufte civile.

Në janar të vitit 2019, lideri i opozitës, Juan Guaido, u vetëdeklarua president i përkohshëm i Venezulës në një prej protestave anti-qeveritare gati periodike. Njohja e Guaido-s si president nga administrata Trump, u pasua nga zyrtarizimi i këtij lideri të ri edhe prej shumicës së vendeve të Amerikës Latine dhe të Evropës Perëndimore, ndërkohë që presidenti Maduro gëzon ende mbështetjen e Rusisë, të Kinës dhe të Kubës.

Sipas zëdhënëses për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, thirrja telefonike Trump-Putin zgjati më shumë se një orë, kohë gjatë të cilës Trump i kërkoi gjithashtu homologut të tij rus që të ushtrojë trysni mbi Korenë e Veriut për procesin e çnuklearizimit. Sanders bën me dije se gjatë telefonatës u fol në vija të përgjithshme edhe lidhur me përfundimin e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit 2016.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *