• |
ide | kryesore

Të dielën Partizani në “Selman Stermasi”: Veliaj thotë se…

Arkiva, Sport
eri1.jpg


Pak orë përpara debutimit të Partizanit në “Selman Stërmasi” për ndeshjen e kampionatit përballë Vllaznisë, Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi thekson se nuk garanton zhvillimin e kësaj ndeshje, por ndryshe mendon kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Nuk di çfarë është shkruar e spekuluar, por di t’ju them që policia do të jetë aty dhe ndeshja do të luhej”, shprehet Veliaj.

Për herë të parë në një intervistë për Top Channel, kryetari i Bashkisë së Tiranës thekson edhe një herë bindjen e tij për marrëveshjen e arritur mes klubit Tirana dhe Partizani, ku vetë Veliaj ishte negociator.

“Ky është një vend ku katoliku uron Bajramin në xhami dhe myslimani uron Krishtlindjet në kishë. Kemi simbol hapjen dhe nuk ka sens që të diskutojmë nëse një klub do të lejojë apo jo një tjetër të luaj në një stadium”, shprehet kreu i Bashkisë së Tiranës.

Por marrëveshja nuk ka qenë e thjeshtë. Një nga faktorët bindës ka qenë borxhi prej 2 mln dollarë që bashkia është zotuar t’i paguajë klubit Tirana.

“Ky është një nga borxhet që ne do të paguajmë me këste. Rid Halili po shkrin paratë e familjes së tij. Kur futesh në sipërmarrje të tilla je edhe pak i çmendur dhe unë besoj edhe Ridi edhe Gazi janë pak aventurier se në këtë biznes asnjëherë nuk i dihet”, thotë Veliaj.

Bashkia e Tiranës është duke menduar që t’i gjej një zgjidhje 34% të aksioneve që ka tek klubi bardheblu, të cilit është gati t’i kalojë edhe asetet nëse do t’i paraqitet një projekt.

“Ne do të donim që të gjitha aksionet dhe vendimmarrja t’i kalojë presidentit të klubit apo aksionerëve. Për aksionet tona kemi sinjalizuar edhe tifozët nëse duan të bëhen aksionerë siç janë tek Barcelona. Tirana e mori stadiumin e gatshëm, Partizanit i duhet ta bëj, por unë jam shumë i gatshëm për asetet që ka bashkia nëse ka një projekt konkret”.

Gjithashtu, në kontratën e përpiluar një ndër kushtet që Tirana ka kërkuar është që pjesa e tribunës D2, aty ku qëndrojnë tifozët e Tiranës, të mos lejohet të ulet tifozeria e Partizanit apo tifozeri tjetër. Gjithashtu, klubi i kuq kryeqytetas do të paguaj 400 mijë lekë për zhvillimin e një ndeshjeje. Ndërkohë me ndriçim artificial çmimi do të jetë 500 mijë lekë për ndeshje.