• |
ide | kryesore

Maguette, senegalezi që kapërceu hierarkitë te Partizani: 20 vjeçari fitoi besimin e Zekic

-Instant, Sport
Maguette



Gueye Maguette, lojtari që e nisi sezonin si zëvendësues dhe është bërë i pazëvendësueshmi i të kuqve, shënoi golin e vonë që i dha startin perfekt Partizanit. 20 vjecari nga Senegali, ishte diga e pakalueshme para mbrojtjes e njeriu plus i Zekic, menjëherë pas sfidës së dyfishtë në Champions me BATE Borisov. Edhe në Europë ai kapërceu hierarkitë dhe tani të kuqtë kanë një pedinë të mesfushës, i aftë të japë kontributin edhe përpara. Aty ku mungesa e Mba e Mensah duket se nuk po kalohen pa u ndjerë.

Kundër Lacit vendosi Maguette, në shtesë të një 90 minutëshi ku provuan pa sukses të shënonin Cara, Bintsouka, Taipi e Rrapaj. Me Zekic që i dha hapësirë një pjesë të mirë të lojtarëve që kishin më pak minuta në këmbë, gjërat nuk shkuan shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Kundërsulmi i kurbinasve te Bejzades mund ti ndëshkonte disa herë me zhdërvjelltësinë e Tresës, Bajramajt e Sobouale. Nëse rezultati nuk ndryshoi ishte krejtësisht meritë e Qirkos.

GJËRA PËR TU PËRMIRËSUAR…

Në debutimin e tij me fanellën e kuqe Bytyçi, tregoi forcë në një kundër një, por duhet të përmirësojë mekanizmat defensive me Kocijan: shumë raste të lejuara me rrezikun evident për të mos pësuar. Grezda mbetet anonym, asnjëherë i rrezikshëm, asnjëherë i aftë të driblojë në një kundër një, ndërsa rivitalizimi i të kuqve erdhi me hyrjen e Murataj, Bilali e Hadroji.

Pjesa e dytë kishte tjetër ritëm e fakti që të kuqtë kanë bërë pothuaj një fazë kampionati në Europë ndihmoi jo pak, ndaj një Laci në ndeshjen e dytë sezonale. Për fatin e të kuqve dhe Zekic, atëherë kur pak shpresa kishin mbetur, në minutën e 92’, koka e Maguette vlen tre pikët e parë në një kampionat ku të kuqtë kanë një ndeshje për të rikuperuar. Për Laçin një pikë e Nicës dhe një debutim premtues, por pa pikë me Bejzade, me shpresën se edhe ato do të vijnë…


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *