• |
ide | kryesore

“The Economist”: Vuçiç, një nacionalist autokrat?

I pakategorizuar
sp-vucic (1).jpg


Nën drejtimin e kryeministrit Aleksandar Vuçiç, Serbia ka ngecur midis ambicjeve të saj europiane dhe një drejtimi autokratik. Vizita e kësaj jave e presidentit rus, Vladimir Putin, ka vënë në pah  dilemat e Serbisë. Synimi i saj kryesor strategjik është t’i bashkohet Bashkimit Europian, e megjithatë refuzon të aplikojë sanksionet e BE-së ndaj aleatit të saj tradicional, Rusisë. Madje për të festuar vizitën e Z. Putin, një paradë ushtarake me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit u afrua katër ditë dhe përfshiu avionë luftarakë rusë të cilët gjithashtu fluturuan mbi kryeqytet .(info me te plota ne rubriken lajme te Lapsi.al).

Edhe trajtimi që Z. Vuçiç i bën mediave serbe ka një “prekje” ruse. Një kryeredaktore e një medie e fut aparatin e saj celular nën një jastëk, ndërkohë që po flitet për një çështje delikate nga frika se mos shërbimet sekrete janë në përgjim. Një nga gazetarët e saj ka shkuar për të intervistuar dikë që kishte refuzuar të fliste pasi policia sekrete e kishte paralajmëruar. Një emision popullor me intervista është hequr nga transmetimi. Kushdo që ngre pyetje kritike në lidhje me Z. Vuçiç, rrezikon të linçohet nga tabloidet besnike të tij.

Sipas Shoqatës Serbe të Gazetarëve të Pavarur, fjala e lirë dhe kritika “po vdesin në median serbe” dhe gazetaria investigative është “zhdukur”. Gazetarët praktikojnë vetë-çensurën, faqet kritike të internetit sulmohen vazhdimisht. Një zyrtar madje edhe e sulmoi Ivica Dacic, ministër i jashtëm dhe lider i Partisë Socialiste, e cila është në koalicion me Partinë Progresive Serbe (SNS), duke e quajtur atë “kriminel të thekur”.

Zoti Vuçiç u bë kryeministër i vendit pas një fitoreje të thellë në zgjedhjet e Marsit. Që atëherë ai është bërë gjithnjë e më kontrollues. Në një rast madje është filmuar duke u thënë ministrave të tij të mos bëjnë zë. Megjithatë, shumë serbë e duan stilin e tij autoritar: një sondazh tregoi se gjysma e atyre që janë të sigurtë për votën e tyre, mbështesin SNS. Kjo, pavarësisht ekonomisë në recesioçn, shkurtimeve të planifikuara në pagat e sektorit publik dhe pensione dhe propozimeve për të prerë subvencionet për ndërmarrjet publike. Sondazhet tregojnë se nëse zgjedhjet mbahen sot, opozita mezi mund të fuste këmbët në parlament.

Zoti Vuçiç duhet të mbajë të lumtur edhe BE-në duke promovuar stabilitetin rajonal. Kryeministri shqiptar Edi Rama, duhet të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, megjithëse kjo vizitë është vënë në pikpyetje pasi një ndeshje futbolli mes kombëtareve të të dy vendeve më 14 tetor  u ndërpre pas shpërthimit të dhunës të shkaktuar nga fluturimi i një baneri nacionalist (info me te plota ne rubriken lajme te Lapsi.al). Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, gjithashtu është ftuar, pavarësisht se Serbia nuk e njeh si shtet Kosovën. BE u kënaq që 7,000 policë u mobilizuan  për të mbrojtur një marshim gay në fund të shtatorit, një event që në vitet e shkuara ishte sulmuar vazhdimisht.  

Një analist politik thotë se liderët perëndimorë, për hir të ruajtjes së paqes në Ballkan, po mbyllin një sy për rrëshqitjen autoritare të Serbisë. Për shumë serbë, shtoi ai, pyetja nuk është nëse zoti Vuçiç është një nacionalist, “por nëse ai është një demokrat”. Raporti më i fundit  i BE-së për Serbinë thotë se liria e shprehjes dhe e mediave  është “ veçanërisht shqetësuese”. Kjo duket se nuk ka gjasa të përmirësohet.

(pergatiti Lapsi.al the economist 18 10 2014)