• |
ide | kryesore

Video/ Nuk ka hakmarrje, Iberia ka arbitrin me vete: penallti e gol i parregullt, dorëzohet Partizani

F1, Sport, Video
Iberia


Partizani e sheh veten një hap nga eliminimi në raundin e dytë të Conference League, pas humbjes 2-0 në Gjeorgji kundër Iberia 1999. Të kuqtë shpresonin për një revansh për humbjen e viteve më parë, kur skuadra quhej Saburtalo, por nuk kishin bërë llogaritë me arbitrin e ndeshjes. Një penallti, një karton i kuq dhe një gol në pozicion jashtë loje, shembën skuadrën e drejtuar nga Orges Shehi, që sheh të kompromentuara shanset për kalimin e raundit.

Iberia kaloi në avantazh që në minutën e 31’ me anë të një penalltie, pas një faulli të portierit Pano Qirko. Nga pika e bardhë Nonikashvili nuk gaboi, duke kaluar gjeorgjianët në avantazh. Një goditje e fortë për kryeqytetasit që nuk është se po rrezikonin shumë deri në atë moment. Me fillimin e pjesës së dytë, gjërat u bënë shumë më të vështira, sepse Arinaldo Rrapaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Partizani me 10 lojtarë u mundua të reduktonte dëmet, por u godit nga një tjetër episod i diskutueshëm. Në minutën e 57’, Sylla sulmuesi i Iberia 1999, shënoi golin e dytë. Protesta të të kuqve, pasi sulmuesi i ekipit gjeorgjian dukej më i avancuar, por asnjë pozicion jashtë loje nuk u sinjalizua.

Me këtë humbje, Partizani duhet të shënojë të paktën dy gola në kthim, për të ekuilibruar rezultatin, por një mision i vështië, duke qenë se duhet të bëjë pa Rrapajn të skualifikuar. Për më tepër, Partizani do të luajë sërish jashtë Tiranës, sepse më 1 gusht, të kuqtë do të zbresin në “Elbasan Arena” për ndeshjen e orës 20:00.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *