• |
ide | kryesore

Macron: Jemi të shqetësuar nga lëvizjet e njëanshme të Kosovës

Arkiva, Lajme, Të fundit
Macron



Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.

I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se kjo çështje “nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”.

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, ka thënë Macron, me gjasë duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ai theksoi se Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për themelimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë kohë më parë se Kosova nuk po heziton ta dërgojë një draft të Perëndimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por se është kundër zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes.

Marrëveshja kërkon respektim të integritetit territorial të të dyja vendeve, dhe që Serbia të mos e kundërshtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri edhe për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në muajt e parë të 2023-tës, por drejt zbatimit të saj nuk janë bërë hapa.

Osmani beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.

“Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u dërgoi një letër zyrtarëve evropianë, në të cilën konfirmoi se Serbia ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar disa herë që Serbia as nuk do ta njohë shtetësinë e Kosovës, e as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve e Bashkuara. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë


6 Comments

  1. Kontrate 3 miliard euro per te bler 12 avion luftarak. E paska dhi kacidhen macron. I shkelqen syri bashke me vucicin e ramsit.

    1. Nuk Ke faj mo Shoku si mbushe xhepin me leka duhet bere qefi serbise I thone nje shprehje popullore qeni atje ku ha leh .

  2. Rama kuptoj nje gje me Melonin. Keta jane tere per shitje. Rama e bleu Melonin me kampin e refugjateve. Serbia e bleu me aviona.

    Neqoftese Albin Kurti do mbeshtetje duhet te gjeje nje menyre per ti blere keta. Jo vetem me para.

  3. Ka ardhur momenti që të paktën në atë pjesë të shqiptarëve tu tregohet se boll bëjnë pazare me territore si në 13 e 19!!!
    Dhe nëse ndihmuan për çlirimin e Kosovës e bënë në formë ndjese për atë çka kishin bërë gjyshërit e tyre por prapë vazhdojnë me atë mentalitet sidomos këta francezët!!
    Për më tepër se pjesa e Shqipërisë për fatin e keq është në union për atë çfarë po bëjnë këta pazarxhinj akoma. Madje tmerri është që është kjo qeveri bën të kundërtën me trojet e saj. I vetë ofron kujdo e cfarë do !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *