• |
ide | kryesore

Shpërthen Jahjaga: Mjaft u justifikuat me tranzicionin

I pakategorizuar
jahjaga.jpg


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në fjalimin vjetor përpara deputetëve ka lëshuar kritika të ashpra ndaj politikës në vend, nisur nga ngërçi politik që mbajti të bllokuar për 6 muaj formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit. Ajo tha se me këtë papërgjegjësi politike është vënë në sprovë Kushtetuta e vendit dhe është sfiduar durimi i qytetarëve. Presidentja ka kërkuar urgjentisht nga ekzekutivi që të shkëputet nga përvojat e kaluara dhe rezultatet t’i kenë konkrete dhe të matshme në mënyrë që vendi të ecë nga e mbara. Deputetët e opozitës e braktisën seancën, gjatë fjalimit të saj, raporton Telegrafi.

Jahjaga tha se për 14 vjet politika kosovare ka fajësuar tranzicionin dhe sfidat që ka sjellë ky tranzicion. Por kjo, sipas saj, duhet të marrë fund, pasi tani detyrë e institucioneve është të punohet konkretisht dhe rezultatet të jenë të matshme. Presidentja foli më tej edhe për ikjet e qytetarëve të Kosovës në vendet e BE, duke u shprehur se përpjekjet e njerëzve për t’u larguar nga vendi tregojnë se së shpejti do të kemi qytete fantazmë.

“Këto skena duhet të na trazojnë shpirtin… Është obligim yni të sigurojmë mirëqenie për qytetarët tanë…”, tha ajo.

Presidentja foli edhe për terrorizimin, duke thënë se s’do të lejohet kurrë që Kosova të bëhet pre e terrorizmit dhe që forcat e errëta të lëshojnë rrënjë.

Kritika të ashpra ajo pati edhe për sistemin e drejtësisë. “Përkundër faktit që është rritur numri i prokurorëve dhe gjykatësve, kjo nuk është kthyer në efikasitet”, – u shpreh ajo, duke shtuar se “drejtësia duhet të jetë shtylla që garanton rimëkëmbjen e vendit”.

Përsa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Jahjaga u shpreh se Institucionet e Kosovës e mbështesin atë.