• |
ide | kryesore

Bruksel, zgjerimi në dilemë. Fyle ndoshta pa pasardhës

I pakategorizuar
buxel.jpg



Bashkimi Evropian ndodhet në dilemë me ritmin e zgjerimit të tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor, meqë vendet anëtare janë ende duke kalkuluar nëse duhet që të vazhdohet me postin e Komisionarit për Zgjerim gjatë pesë vjetëve të ardhshme, sa zgjat mandati i Komisionit Evropian (KE).

Zyrtarë të Komisionit Evropian thanë se “ende nuk ka asnjë vendim” nëse ky post, i cili aktualisht e deri në fund të këtij muaji mbahet nga çeku Stefan Fule, do të vazhdohet apo do të pushohet përkohësisht.

Disa mjete të informimit gjerman kanë shkruar këtyre ditëve se ka gjasa të mëdha që Komisioni i ardhshëm Evropian të mbetet pa këtë resor gjatë pesë viteve të ardhshme, gjë që nëse do të ndodhë do të jetë vendim për pezullimin e zgjerimit për pesë vitet e ardhshme.

Por, zëdhënësi i KE’së, Peter Stano tha se “këso lloj raportimesh janë krejtësisht spekulime”.“Nuk ka asnjë vendim të këtij lloji tani për tani. Raportimet e mediave (për procesin e zgjerimit) nuk janë asgjë tjetër vetëm spekulime”, ka thënë Stano.

Ai ka sqaruar se kryetari i ardhshëm i KE’së, Jan Clode Juncker, është duke i marrë ofertat nga 28 shtetet anëtare për postet e ardhshme të komisionarëve dhe se është herët që të bëhet ndonjë konkludim se çfarë vendimesh do të ketë për resorin e Komisionarit për Zgjerim.

Deutche Welle ka shkruar se pritjet që ky post në KE të suspendohet për pesë vjetët e ardhshme janë sinjal i disponimit kundër zgjerimit të BE’së, por zëdhënësi Stano i ka hedhur poshtë këto zera, duke përkujtuar se procesi i zgjerimit po vazhdon.

Në kuadër të kësaj ai përkujtoi se tashmë dy shtete nga rajoni ballkanik – Mali i Zi dhe Serbia – janë duke i zhvilluar bisedimet për zgjerim me BE’në.

Mali i Zi, i ka nisur bisedimet në qershor të vitit 2012, ndërsa Serbia i nisi ato në janar të këtij viti. Ndërkohë, Shqipëria e fitoi statusin e vendit kandidat për hyrje në BE në qershor të këtij viti, duke e zënë kështu hapin me Maqedoninë në këtë proces të gjatë e të mundimshëm drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Shkupi po vuan duke pritur nisjen e këtyre bisedimeve tash e pesë vjet meqë Greqia (vend anëtar i BE’së) nuk po i lejon ato për shkak të kundërshtimeve që Athina ka ndaj emrit kushtetues ‘Republika e Maqedonisë’ të vendit fqinjë.

Ndërkohë dy vendet të cilat mbeten më së largu në rrugën e integrimeve evropiane janë Bosnja e Hercegovina (BeH) dhe Kosova.

BeH për shkak të reformave të ngecura si pasojë e përplasjeve ndër-etnike dhe politike midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve, ndërsa Kosova përballet me dy lloj probleme në të njëjtën kohë.

E para, për shkak të klasës së saj politike jo të aftë dhe jo të interesuar që të përvilet e të bëjë përparimet e nevojshme në reformat e përcaktuara nga Brukseli, e paralel me të edhe për shkak të mos-njohjes së pavarësisë nga pesë shtete anëtare të BE’së (Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia dhe Rumania).