• |
ide | kryesore

Diplomat false të kryeinspektores së arsimit / E akuzuara hesht, replikojnë Rama e Basha

I pakategorizuar
Ejona Isufaj.jpg



Ejona Isufaj, Drejtoresha e Inspektimit dhe Kontrollit të Ligjshmërisë në Inspektoriatin Arsimor, institucionit që kreu kontrollin në universitetet private e publike, vazhdon të heshtë, ndonëse lajmin se diplomat e saj “Doktoraturë” e “Master” rezultojnë false, është në faqet e para të mediave e rrjeteve sociale. Tashmë ajo është bërë edhe temë kryesore e politikës. Ndaj saj, për këtë rast, ka edhe një padi penale nga Universiteti Vitrinat, i cili e akuzon për mashtrim me qëllime përfitimi. Isufaj ka punuar 3 vjet si zv/rektore e këtij universiteti. Administratorët e tij  thonë se i ka verifikuar të dyja diplomat dhe ato rezultojnë false. Denoncimi u bë pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për mbylljen e këtij universiteti. Rasti nuk kishte si të mos politizohej, kur nga njëra anë kryeministri Rama flet për “fabrika diplomash” që lulëzuan në kohën e qeverisjes së PD –së dhe kur opozita replikon me akuzat ndaj kryeministrit, se kjo nuk është reformë, por skemë për të favorizuar disa universitete, tek të cilët ai ka interesa ekonomike. Partia Demokratike e denoncoi publikisht këtë rast “si modeli i përsosmërisë në edukim”, kryeministri Rama raegoi duke folur për një delir të opozitës. “Nga me plaku tek me i riu delirojne ne mes te vapes per gjemen e madhe qe po sjell shkulja e piramidave ne arsim. Vajmedet PD. Reforma s’ndalet », – shkruan Rama. Dhe ashtu siç duket edhe nga fotoja më poshtë, ndër ata që e kanë pëlqyer këtë statusi është edhe drejtoresha e akuzuar për diplomë falso.

Kryetari i PD –së, Lulzim Basha, e quajti një mbrojtje brenda llojit reagimin e kryeministrit për denoncimin e rastit të diplomave falso të drejtoreshës Isufaj. « Kryeministri kryemashtrues mbron kryekontrolloren me diplome false qe po ben xhiron e turpit ne blogje! Lloji mbron llojin! »

Reagimi i të akuzuarës, që do të hidhte sadopak dritë mbi ngjarjen, mungon. Nga Ministria e Arsimit thuhet vetëm  se ajo nuk i ka përfshirë këto diploma në CV –në që ka paraqitur pranë këtij dikasteri.