• |
ide | kryesore

Çfarë fshihet pas “Nacionalizmave ballkanikë”

Arkiva, Ide
arber zaimi.jpg


Ndeshja Serbi-Shqipëri, edhe pse eveniment sportiv e ka një dimension politik të pashmangshëm, siç e ka çdo eveniment sportiv. Përpjekja për ta paraqitur futbollin si aktivitet tërësisht spektakolar dhe biznes-or është një përpjekje idiote, pjesë e luftës për depolitizim që ndërmirret tash e sa kohë prej elitave “liberale”. Ta zhveshim ekonominë nga politika, ta zhveshim drejtësinë nga politika, ta zhveshim artin nga politika, ta zhveshim kulturën nga politika, ta zhveshim sportin nga politika, ta zhveshim njerëzillëkun (humanizmin) nga politika. Me një fjalë ta zhveshim qenien njerëzore nga politika. Por po ta shikojmë politikën kësisoj, si diçka që duhet përbuzur, si një rrobë e vjetër prej së cilës duhet ta zhveshim njeriun, ky i fundit i përkufizuar nga një filozof i shumëabuzuar si “kafshë politike” del se na mbetet veç kafshë.
Në fakt arsyeja pse pamë aq shumë kafshëri në stadiumin Partizan të Beogradit është pikërisht tek mënyra apolitike me të cilën Fuqitë Botërore shpesh i janë qasur Serbisë e rajonit në tërësi. Kjo mënyrë apolitike është brendësuar shpesh edhe tek vetë ne, që e quajmë veten ballkanas, duke përdorur një etiketë irracionale e pa domethënie thjesht pse e kemi dëgjuar kaq shpesh të na thuhet prej Tjetrit tonë të Madh, Evropës.
Është këtu rasti të pohojmë se ballkanikja nuk ekziston. Po ashtu nuk ekzistojnë nacionalizmi ballkanik, kulturalizmi ballkanik, kultura ballkanike, mendësia ballkanike, gjaknxehtësia ballkanike, humori ballkanik. Këto etiketa përgjithësuese janë thjesht paternalizuese dhe patronizuese prej një Evrope që dështon të shohë se në fakt Ballkani është pikë për pikë Evropë, dhe s’ka lënë gjë pa mësuar prej mësueses së saj, edhe pse shpesh thuhet se “nuk janë bërë detyrat e shtëpisë”.
Duke përmendur etiketën “ballkanike” perëndimi legjitimon superioritetin e vet si fenomen kontingjent identitar, duke refuzuar të shohë se superioriteti është thjesht i bazuar në ngjarje historike apo ekonomike që kanë lejuar akumulimin e pushtetit diku, duke lënë pa pushtet dikë tjetër. Duke përdorur etiketën “ballkanike” vetë ballkanasit fshihen pas gishtit, përgjithësojnë fajet e tyre, dhe nuk marrin kurrë përsipër përgjegjësi vetë, siç nuk i japin kurrë përgjegjësi as Evropës.
Edhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri u fol për “nacionalizmat ballkanikë” e gjëra të tilla. Le të vëmë re me kujdes se si “nacionalizmat ballkanikë” përmbajnë nacionalizmin shqiptar, kroat, boshnjak, maqedonas, grek, bullgar, serb e rumun. Etiketa përgjithësuese nënkupton se, pavarësisht pekuliariteteve, ka diçka të përbashkët në këto nacionalizma, që perëndimi e ka tejkaluar, por Ballkani jo. 
Çfarë ka tejkaluar perëndimi? Në perëndim pretendohet se është mbërritur që nacionalizmi të dekafeinohet e të kthehet në një “nacionalizëm banal”, thjesht nderim i simboleve kombëtare, një farë krenarie e përmbajtur, i zhveshur nga pasionet. Por, rezultatet e zgjedhjeve të fundit nëpër Evropë nuk tregojnë këtë gjë, me daljen në skenë masivisht të partive të së djathtës ekstreme. Ndërkohë videot që rrjedhin prej intimiteteve të ushtrive të qytetëruara në ambientet ku ato janë stacionuar për të eksportuar demokracinë tregojnë se nacionalizmi perëndimor nuk është aspak i larë e i lustruar nga racizmi. Përkundrazi. 
Për më tepër etiketa përgjithësuese “nacionalist” nuk mbërrin të vërë në dukje dallimin e rëndësishëm mes nacional-çlirimtarit, nacionalistit shoven dhe nacional-imperialistit. Ky barazim i nënkuptuar bëhet gjithnjë në dëm të të shtypurve, ndërkohë që normalizon shtypësit. Por duhet thënë se të tilla përdorime e kanë një traditë. Psh. në konfliktin për çlirimin e Algjerisë gjithnjë flitej për nacionalistë algjerianë, por kurrë për nacionalistë francezë. Në konfliktin për çlirimin e Irlandës gjithnjë flitej për nacionalistët irlandezë, por kurrë për nacionalistë anglezë. Edhe sot në Britaninë e Madhe, ndërkohë që flitet për nacionalizma skocezë, uellsianë, gjer edhe kornuellsianë, rrallë, shumë rrallë dëgjon të shkruhet për nacionalizmin anglez. Në Spanjë flitet për nacionalistë katalanë e baskë, por jo për nacionalistët spanjollë që s’i lënë të shkëputen. Në ish-Jugosllavi etiketën e nacionalizmit ia kanë ngjitur gjithë kohës kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve. Serbët, si popull sundues, e kanë maskuar nacionalizmin e tyre me ideologjinë formalisht socialiste, duke mashtruar kështu masa të mëdha të së majtës botërore, të cilat në momente historike u renditën krah Millosheviçit, pikërisht sepse refuzuan të shihnin tej etiketave të ngjitura shpejt e shpejt nga mjeshtrat e propagandës.
Etiketën e “nacionalizmit ballkanik” jemi të detyruar ta zbërthejmë edhe tani, për ta flakur tutje si të panevojshme, madje të dëmshme. Po, ka nacionalizëm kroat, shqiptar e boshnjak, por nuk ka “naçertanje” të dalë prej këtyre popujve. Jo vetëm që nuk ka projekte të tilla, por nuk ka as akte agresioni. Nuk kanë shkuar këta popuj, në emër të nacionalizmit të tyre, të spastrojnë ndonjë pjesë të Serbisë, siç ka bërë Serbia disa herë vetëm në shekullin e fundit. Pra barazimi i nacionalizmave në fjalë me nacionalizmin serb nuk i qëndron historisë. 
Për analogji, është njësoj si të barazosh nacionalizmat polakë e francezë me nacionalizmin gjerman në Luftën e Dytë. A mundet dikush sot, që i ka dy pare mend në kokë, të pohojë se për Luftën e Dytë Botërore fajin e patën nacionalizmat e vendeve të Evropës në përgjithësi? Po, kishte nacionalizëm polak, çek, francez, por ai gjerman ishte “tjetër gjë”… Faktet e provojnë këtë dallim thelbësor.
Nacionalizmi serb i tejkalon rrekjet përgjithësuese. Ai është “tjetër gjë”, goxha i ngjashëm me nacionalizmin gjerman të Luftës së Dytë Botërore. Ta shpërndash fajin edhe te viktimat e tij s’bën gjë tjetër veçse e forcon atë lloj nacionalizmi.
Si t’ia bëjmë me fashizmin?
Lufta e Parë Botërore është quajtur, naivisht duhet thënë, nga publicistë e politikanë të asaj kohe si një “luftë që do t’i jepte fund çdo lufte”. Shprehja e ka origjinën tek publicistë britanikë, të cilët duke riprodhuar ideologjinë e vet nacional-imperiale e vinin fajin për luftën tek militarizmi ekspansionist gjerman dhe tek “natyra” e vendeve evropiano-qendrore. Kur flitej për “dhënien fund çdo lufte” kuptohet, bëhej fjalë vetëm për luftërat mes fuqive të mëdha.
Pas Luftës së Parë fitimtarët u mblodhën në Konferencën e Paqes në Paris, ku u përgatitën pesë traktate që ndanë “plaçkën e luftës” apo kufijtë e botës së re. Rezultatin e Konferencës së Paqes e përshkruan më së miri batuta monumentale e feldmarshallit britanik Earl Wavell: “Pasi bënë luftën që do i jepte fund çdo lufte, u mblodhën të bëjnë paqen që do i japë fund çdo paqeje”. Cinizëm i qëlluar. Se ç’paqe pruri ajo konferencë u dallua në Luftën e Dytë, por jo vetëm aty. Vazhdon të dallohet në Lindjen e Mesme e në Ballkan, ku kufijtë e vendosura asokohe kanë sanksionuar padrejtësi dhe pabarazi mes kombesh që ende sot vijojnë të shpërthejnë ndaj njëri-tjetrit.
Ndëshkimi i Gjermanisë, si luftënxitëse e Luftës së Parë, përfshiu sanksione të ndryshme e shkëputje territoresh. Por askush nuk u mor me popullin gjerman. Politika botërore ende s’e kish kuptuar se kishte ardhur një shekull i ri, një shekull kur popujt, masat, kishin hyrë në skenën e historisë dhe të politikës për të mos dalë më prej aty. Prej shekullit XX e këndej çdo pretendim për të bërë politikë pavarësisht popullit, apo duke lënë mënjanë popullin, ka rezultuar tërësisht dështak.
Populli gjerman e përjetoi pasluftën duke thelluar komplekset, e duke ndjerë se i ishte bërë një padrejtësi e madhe. Këto komplekse krijuan kushtet e ardhjes në pushtet të nazizmit, me në krye Hitlerin. Këto komplekse, kjo ndjenjë anti-drejtësi e një populli të tërë polli një nga krimet më të mëdha të njerëzimit, holokaustin. 
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore fituesit e kishin të qartë se krime të tilla nuk mund të bëheshin thjesht pse dëshiron elita. Nuk mund të vriteshin dhjetëra milionë njerëz pa konsensusin e gjerë, madje entuziazmin popullor. Një nga karakteristikat e vendeve të qeverisura nga fashizmi është pikërisht ideologjizimi gjer në qelizë i popullit me këtë ideologji të mbrapshtë. Gjermanët gjatë luftës kanë qenë masivisht të bindur se kishin të drejtë. Ky është efekti i ideologjisë!
Karl Jaspers, duke filozofuar mbi Luftën e Dytë Botërore dhe mbi fajin, evidentoi katër lloje të fajit. Së pari, faji kriminal, thyerja e ligjit e cila vërtetohet prej provave e dëshmive. Së dyti është faji politik, i një lideri që duke gabuar implikon në faj edhe popullin e vet. Së treti është faji moral, psh. ai i vartësit që merr një urdhër të gabuar prej eprorit. Nëse e zbaton do të jetë ligjërisht i pafajshëm por moralisht i fajshëm, nëse nuk e zbaton do të jetë ligjërisht fajtor por moralisht i pastër. Së katërti, është faji metafizik. Ky i fundit nënkupton se ekziston një frymë e respektit dhe solidaritetit ndaj qenies njerëzore, përtej çdo dallimi. Përdhosja masive e kësaj fryme, në rastet e spastrimeve e krimeve të përmasave të atyre që prodhon nazizmi, e bën fajin faj të një populli të tërë. 
Gjermanët pas Luftës së Dytë u konsideruan fajtorë në frymën e tyre si popull, jo thjesht si individë, si klasë politike apo si burokraci. Si pasojë, nuk u përsërit gabimi i Konferencës së Paqes në Paris. Kësaj radhe fituesit e kishin mësuar mësimin. Ata nisën një proces të gjatë denazifikimi. Gjermania u nda, iu ndalua ushtria dhe institucionet edukuese e mediatike u vendosën nën kontroll e censurë që assesi të mos riprodhohej fryma e cila duhej çrrënjosur. Territore të gjera ku më parë kishin bashkëjetuar gjermanët me popujt e tjerë, në Poloni e në Evropën Lindore, u zbrazën prej tyre. Sepse ishte e kuptueshme që pas krimeve të asaj përmase, bashkëjetesa e xhelatit me viktimën ishte e pamundur.
“Ilaçi” që fituesit përdorën kundër fashizmit qëlloi i suksesshëm. Asnjë prej ish-nazistëve nuk u përfshi më në politikë a në ushtri. Nyrembergu i dënoi me vdekje fajtorët kryesorë, pa iu nënshtruar dilemave humaniste të “shpirtrave të bukur”. Aq i suksesshëm rezultoi ky “ilaç” sa që në 70 vitet pasuese kudo në Evropë u shfaqën forca neofashiste, madje fituan edhe mbështetje politike, por në Gjermani ato gjithnjë mbetën margjinale.
Kozmopolitët, si Miss Universi, ëndërrojnë paqen në botë. Gëzohen kur shohin Thaçin që shtrëngon dorën me Daçiçin, kur shohin miss Kosovën që bën selfie me miss Serbinë, kur shohin lojtarët e Lazios që përqafohen, apo kur shohin Ramën që do shkojë te Vuçiçi. A thua se problemi i vërtetë qëndron te milionerët e politikës, medias, biznesit, akademisë e spektaklit, shqiptarë e serbë që s’po i shtrëngojnë dot dorën njëri-tjetrit. A thua paska qenë ndonjëherë e vështirë të gjesh akordin në majë të Olimpit. Por kur këta milionerë paqedashës iu bashkangjitën Armand Dukës për të shkuar në Beograd e për të shijuar “si zotnij” atë që popullit të thjeshtë shqiptar iu ndalua, u përballën me popullin e thjeshtë serb…
Paqja postmillosheviçiane në Ballkan i përngjan paqes së vënë pas Luftës së Parë Botërore. Ajo është një paqe pa drejtësi. Llogariteni vetë, qindra mijëra të vrarë në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Sikur një serb të ketë vrarë mesatarisht dhjetë veta e të ketë dhunuar po aq, i bie që të jenë ende vërdallë mbi 30.000 autorë të këtyre krimeve, ish-ushtarakë e ish-paramilitarë. Nëse ata e kanë patur dhe e kanë, supozojmë, thjesht mbështetjen minimale të familjes së tyre të ngushtë e të ndonjë shoku, pra të paktën të 5 personave, kjo shton edhe një aradhë prej 150.000 “auksiliarësh” që janë nëpër popull, shoqëri civile, administratë.
Kjo shpjegon thirrjet shfarosëse dhe vrasëse në stadiumin e Beogradit dhe raprezaljet ndaj shqiptarëve në ditët pas ndeshjes. Ndeshja mund të mos ishte bërë fare. Por urrejtja mbetet aty, e përhapur gjerë në popullin serb, të ideologjizuar me frymën e fashizmit. Urrejtja shfaqet në aparatin shtetëror, në deklaratat e krerëve serbë. Shfaqet jo vetëm në sajimin e casus belli-t që bën me zor patriot Blendi Fevziun apo Sokol Ballën, jo vetëm në dirigjimin total të mediave në fajësimin e Olsi Ramës (Vuçiçi ka qenë ministër i medias i Millosheviçit në kohën e luftës në Kosovë, kështu që ka përvojë në ndërtimin e konsensusit popullor) por edhe në deklaratat zyrtare se “kemi ushtrinë më të fortë në Ballkan” dhe se “në çdo moment mund ta bombardojmë Prishtinën” me makinat ushtarake që dolën në paradë për Putinin. 
Nuk do të mundej Millosheviçi të bënte atë që bëri pa përkrahjen e popullit të vet. Dhe e vetmja zgjidhje që mund të sugjerohet, është e ngjashme me atë që u bë pas mposhtjes së nazizmit në Gjermani. Urrejtja dhe fashizmi që mbetet në fuqi në Serbi (imagjinoni sikur Goebelsi të bëhej kryeministër i Gjermanisë në 1960…), përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për rajonin e sidomos për shqiptarët. Sugjerimet e kozmopolitëve liberalë se do të ishte mirë të mos luhej hiç futboll tani për tani, mes Serbisë dhe Shqipërisë, ngjajnë njësoj me pretendimet se nazizmi do të ishte shmangur po të mos lexohej Heideggeri e po të mos dëgjohej Wagneri.
Kozmopolitët liberalë
Dikush i barazon thirrjet fashiste me koret ofenduese seksuale të shqiptarëve. Por të tilla sharje ka kudo, thuajse në çdo eveniment sportiv nëpër botë. Të tilla sharje i përdorin amerikanë e anglezë, francezë e kinezë. Si çdo popull, edhe shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin mes therjes dhe seksit. Por, nuk brohorasin për therje. Sepse s’janë fashistë, siç nuk janë as njerëzit normalë anembanë globit. Dikush thotë se ne duhet të zgjidhim fillimisht problemet tona, korrupsionin, krimin, varfërinë, problemet me nacionalizmin tonë. Po, është e vërtetë, edhe shqiptarët kanë nacionalizëm herë të dënueshëm e herë jo. Ka nacionalistë të djathtë shqiptarë, ka që duan të djegin flamuj e budallallëqe të dënueshme si këto (shikoni psh. rezultatin elektoral të Kreshnik Spahiut). Ka dhe nacional-çlirimtarë të majtë, si Vetëvendosje, që këmbëngul se në asnjë mënyrë problemet nuk zgjidhen duke urryer popullin serb, por duke i thënë të vërtetën tonë pa u kompleksuar qeverisë serbe e kujtdo tjetër. Por nacionalistë ka kudo nëpër botë. A duhet që të jemi popull pa nacionalistë që të mos u japim atyre shans të na therin? A duhet të jemi popull engjëllor, i sterilizuar, pa korrupsion e pa pikë padrejtësie që të kemi të drejtë t’i kundërvihemi aktivisht urrejtjes ndaj nesh? 
Në Luftën e Dytë Botërore ata që s’e honepsnin dot nazizmin kishin përpara dy mundësi. Ta luftonin, ose të arratiseshin. Muaj më parë, në një shkrim në New York Review of Books kjo dikotomi paraqitej në kontrastin mes dy shkrimtarëve të mëdhenj të gjuhës gjermane, Stefan Zweig dhe Thomas Mann. I pari vizualizon më së miri logjikën e kozmopolitit liberal. Ai e pranon si të mirëqenë pretendimin nazist se hebrenjtë ishin popull “pa rrënjë”, e si i tillë vetëm arratiset. Refuzon t’iu kundërvihet, madje dhe në SHBA ka frikë të shprehet haptazi kundër tyre. I urren, por njëkohësisht urren çdo lloj dhune të domosdoshme qoftë dhe për t’iu kundërvënë nazizmit. Ndryshe nga ai, Thomas Mann jo vetëm që përfshihet aktivisht në antifashizëm, por edhe kur arratiset deklaron nga New Yorku, “kudo që jam unë është Gjermania… unë e mbaj kulturën gjermane me vete… unë nuk jam mposhtur”. Mann u bë zëri i artistëve të përndjekur, zëri i rezistencës. Zweig heshti, ruajti modestinë e distancën nga politika edhe në ato momente. 
Fundi i Zweigut ishte tragjik. Jetën e mbërthyer nga frika e nazizmit ai e mbaroi duke vrarë veten në Brazil, pasi u arratis edhe nga Amerika nga frika se mos Hitleri e pushtonte edhe atë. Por, vepra e tij mbetet e vlerësueshme dhe ai padyshim është një prej shkrimtarëve të mëdhenj të gjermanishtes. I tillë i arratisur i mbërthyer nga frika ishte dhe filozofi Walter Benjamin, një prej figurave që vlerësoj më shumë prej filozofisë gjermane të shek. XX. Edhe ai vrau veten në Spanjë, i trembur se mos e dorëzonin tek fashistët ndërkohë që tentonte të arratisej për në SHBA. Por pavarësisht respektit për personalitetet dhe për veprën që ua tejkalon ato personalitete, është me rëndësi të thuhet se e vetmja mënyrë e drejtë për t’iu kundërvënë nazizmit është duke e luftuar atë. Duke e luftuar siç bëri Thomas Manni, duke e pretenduar pandalur autoktoninë përballë atij që pretendon se jam i parrënjë e që do të më çrrënjosë, qofsha hebre, polak, shqiptar, palestinez, kurd, afroamerikan apo gjerman a çkado, e duke rezistuar shpirtërisht e territorialisht. 
Kozmopolitë si Zweigu ka edhe sot. Me gjithë respektin për veprën e tyre, duket se s’janë veç shpirtra qëllimmira (oh Lord please don’t let them be misunderstood). Këta kozmopolitë përkrahen prej pushteteve evropianiste, marrin bursa, fonde nëpër OJQ, mbizotërojnë nëpër media, sepse i bëjnë jehonë klishesë sunduese të “ballkanasit nacionalist”. Nga pozitat e tyre ata qortojnë popujt (sidomos pjesën nga shtresa e mesme e poshtë), barazojnë çdo dhunë, ngjisin etiketa, nuk bëjnë dallime. Ata shpresojnë se Evropa do i tërheqë veshin popujve, dhe në analizë të fundit kanë bindjen se shtypja e trashëguar (si amanet por edhe si varfëri) mund të anulohet me një të rënë të lapsit. Ëndërrojnë një botë pa identitete komunitare, vetëm identitete individuale, ku imperativ i vetëm është lifestyle-i. Jo një botë barazie e drejtësie mes kombesh, por një botë pa kombe, që të shuhen problemet mes kombeve. Ëndrra e tyre është e njëjtë me ëndrrën neo-imperiale. 
Ama internacionalistët e vërtetë e refuzojnë këtë lloj kozmopolitizmi arratisës, vetëdistancues, pasivist. Internacionalistët e vërtetë luftojnë për barazi mes kombeve, e nuk zhgënjehen prej padrejtësive por luftojnë që t’i ndreqin ato. Internacionalistët janë gjithnjë identikë me nacional-çlirimtarët. Të tilla kanë qenë lëvizjet për çlirim të shqiptarëve historikisht, edhe pse propaganda serbe vazhdimisht i ka ngjitur atyre etiketa nga më të ndryshmet. E tillë është Vetëvendosja. 
Le ta përmbyllim shkrimin duke përmendur edhe faktin historik se shqiptarët e akuzuar “gratis” si shovenë, thjesht pse janë “ballkanas” jo vetëm që s’e kanë sulmuar ndonjëherë Serbinë, por janë i vetmi popull ballkanas që e ka dërguar ushtrinë e vet nacional-çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore që të ndihmojë në çlirimin e Serbisë. Pavarësisht kësaj Serbia u përgjigj me mosmirënjohje, duke anuluar Konferencën e Bujanit dhe duke shtypur të drejtën e shqiptarëve të Jugosllavisë për Vetëvendosje. Kësisoj ajo harta, që sot akuzohet si hartë e Shqipërisë së Madhe, në fakt u shndërrua në hartën e spastrimeve më gjakësore të shek. XX. Ajo hartë rrëfen vendet ku si autoktonë jemi përballur me fashizma të mëdha, që spastruan çamët nga Greqia, që spastruan Toplicën, Sanxhakun, Kurshumlinë, Jagodinën, Nishin, Vranjën, që spastruan territore të gjera në Maqedoninë e sotme (siç tregohet nga të dhëna të gjera edhe nga studiues serbë). Veç këtyre vendeve ku ishin shumicë, shqiptarët u spastruan prej shumë vendeve të tjera ku ishin pakicë, vetëm para 70-80 vitesh. Prandaj urrehet harta masivisht nga fqinjët, se është dëshmi e një krimi masiv. Pas gjithë këtyre realiteteve që trashëgojnë mjerim, është lehtë të shihet se cila është streha e fundit e maskarenjve, për shqiptarët.