• |
ide | kryesore

Njihuni me Dua Lipa, shqiptarja që premton të bëhet ylli i ardhshëm në muzikë

Arkiva, Paparazzi
duaaaa.jpg


Bukuria shastisëse e 19-vjeçares të ngatërron fillimisht me imazhin elegant të një super modeleje, por kur dëgjon muzikën e saj, kupton se ke të bësh me një këngëtare me zë të vërtetë. Tingulli i këngëve të Dua Lipa duket se ka ngacmuar jo vetëm veshët e publikut të mërzitur nga muzika ordinere ‘pop’, por edhe kritikët e muzikës në Britaninë e Madhe, të cilët e kanë klasifikuar shqiptaren Dua Lipa, si një prej aritstëve më premtues të vitit 2016.

Dua Lipa ka lindur në Londër në vitin 1995. Si edhe prindërit e Rita Orës, familja e asaj që mendohet të shndërrohet në yllin i ri të muzikës, emigroi në Angli në fillim të viteve ’90, për shkak të dhunës dhe represionit që pushtoi vendin e tyre. Kur ishte 11 vjeç, Dua transferohet në Prishtinë, deri në moshën 15-vjeçare, kur vendos të rikthehet në Londër për të ndjekur pasionin e saj për muzikën.

Si gjithë adoleshentët në perëndim, ajo punoi fort për të përballuar shpenzimet personale. Për shkak të punës si mikpritëse në dyert e klubebve të natës, Dua Lipa u frymëzua nga ajo çka shihte, për ta hedhur në tekstet e këngëve të saj. “Dramat, ana e errët e jetës së natës, u bënë temat për të cilat doja të shprehesha”, thotë 19-vjeçarja.

Frymëzimi më i madh i këngëtares së re ishte babai i saj, Dukagjini, i njohur në Kosovë me bandën e tij të muzikës rock, ODA.

Dua Lipa punoi për këngën e saj të parë “New Love” me Andrew Wyatt dhe Emile Hayne, producentë që kanë bashkëpunuar edhe me Lana Del Rey.

‘Single’i i dytë “Be the One” është një rrëfim i këngëtares për veten. “Për mua ‘Be The One’ ka të bëjë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe luftën për atë çfarë do. Kjo është ajo çka unë dua të bëj në jetën time dhe mënyra se si dua të prezantohem”. – shprehet artistja e re në një intervistë për revistën e njohur NYLON.

Viti 2016 duket se do t’i japë një tjetër dimension ëndrrës së Dua Lipa. “BBC”, rrjeti mediatik i famshëm e me influencë në publik, e ka vendosur këngëtaren e re në listën e atyre artistëve që i quan, “Sound of 2016. Zëri me ngjyrë të errët, i ngjashëm me legjendat e muzikës soul dhe jazz, i ka dhuruar adoleshentes me pamjen engjëllore, atributet e një ylli të vërtetë që pritet të shkëlqejë në botën muzikore.