• |
ide | kryesore

Duka: Skënderbeut nuk i hiqet titulli, Braçe palaço e klloun i vogël

Arkiva, Sport
dukaaaa.jpg


Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur sot për çështjen e dënimit të Skënderbeut dhe pretendimet e Partizanit për titullin kampion të sezonit të kaluar pas dënimit të korçarëve. Numri 1 i futbollit në vendin tonë e ka cilësuar si të mbyllur këtë çështje me vendimin e marrë nga KAS i Lozanës, duke bërë të qartë se nuk do të kishte asnjë lloj mase tjetër ndëshkimorë ndaj korçarëve, ndërsa ka sulmuar hapur edhe eksponentë të politikës shqiptare që kanë sulmuar institucionin që ai drejton rreth kësaj çështjeje.

“Nga pikëpamja juridike ne nuk kemi se çfarë të bëjmë më tepër, sepse po të lexosh statutin e FSHF-së, shkalla më e lartë e gjykimit është KAS-i. Ai komision ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga kampionati shqiptar, por edhe fare nga futbolli, megjithatë ka marrë atë vendim që ka marrë. Pavarësisht se ndonjëri ka pasur dëshirë ta dënojnë me vdekje, ata e kanë dënuar me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës”, – ishin fjalët e Dukës në një intervistë të dhënë për “Top Channel”.

“Organet juridike të FSHF-së janë nën nivelin e KAS-it. Çdo lloj vendimi, edhe nëse do ta marrin organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, palët në fjalë, qoftë Skënderbeu apo Partizani, do ta ankimojnë në KAS dhe më pas KAS-i do të shprehet duke thënë se e ka marrë një herë vendimin për këtë çështje, e për këtë arsye nuk mund ta ndryshojë më atë. Nuk besoj se kjo çështje duhet diskutuar më”, – tha ai.

Duka nuk pranon kritika në këtë aspekt, aq më tepër nga politikanë të cilët kërkojnë me ngulm që titulli t’i kalojë Partizanit. Një kërkesë të tillë e ka bërë vazhdimisht publikisht deputeti Erion Braçe dhe Duka ka një përgjigje mëse të qartë për të.

“Për mua, futbolli është gjëja më e mirë që ka Shqipëria, pa dashur të mohoj problematikat që ka. Ka 1001 probleme, sepse është një lojë, ka pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, ka emocione të mëdha, ka garë brenda, por është gjëja më e mirë që ka Shqipëria. Dhe më vjen keq, aq më tepër kur flet ndonjë palaço apo klloun nga politika. Ndonjë klloun i vogël kërkon të hedhë baltë mbi futbollin tonë”, – ishin fjalët e tij.