• |
ide | kryesore

E bujshme/ 5 ditë pasi u shpall kampion bote, Rosberg braktis Formula 1

Arkiva, Sport
793a40a4b0f50456c9f4b4fe622284a8.jpg


"E ngjita malin, arrita majën". Këto ishin fjalët me të cilat Nico Rosberg lajmëroi një nga vendimet më sensacionalë në historinë e sportit. Kampioni i botës në Formula 1 mbylli karrierën! E habitshme, por e vërtetë, vetëm 5 ditë pasi fitoi titullin aq shumë të dëshiruar, në konkurrimin vrasës me Lewis Hamilton. "Tronditja e shekullit", "një nga dorëheqjet më të jashtëzakonshme në sport", ishin disa nga titujt e gazetave për vendimin e pilotit gjerman.

Në moshën 31-vjeçare, në kulmin e karrierës, Rosberg mendoi se nuk mund të jepte ndonjë gjë më të mirë sesa kaq. Mesa duket ai u ndje i plotësuar duke barazuar babanë e tij, dhe jo më kot e quajti Hamilton-in si "pilotin më të talentuar të brezit tonë dhe një nga më të mirët e të gjitha kohëve". Vendimi i Nikos i hap rrugën Lewis për të fituar një titull të katërt botëror apo edhe më shumë, gjithnjë nëse Mercedes mbetet në nivelet e tanishme.

Rosberg hoqi dorë nga 3 vite të mbetura të kontratës së tij me skuadrën gjermane, me vlerë mbi 22 milionë euro në sezon. Ai e njoftoi vendimin e tij në një konferencë për shtyp në Vjenë, në krah të drejtorit ekzekutiv të Mercedesit, Toto Volf.