• |
ide | kryesore

Luftë dhe aleanca/ Çfarë ndodh në Superligën shqiptare të futbollit

Arkiva, Sport
PartizaniKukesi_match_action_may2017.jpg


Pavarësisht thashethemeve, akuzave dhe dyshimeve ky i sivjetmi është një kampionat i paparashikuar. Kur kanë mbetur edhe 4 javë për tu luajtur renditja i ka bërë skuadrat që në takimet e fundit të mos lëshojnë nga gara pasi çdo gjë është në lojë. E sigurt është vetëm që Korabi i Peshkopisë do të zbresë sezonin e ardhshëm një kategori më poshtë.

Titulli

3 ekipe janë në garë të fortë për titullin Kampion. Barazimi mes Partizanit dhe Kukësit nuk i ka dhënë avantazhin asnjë skuadre. I favorizuar është Skënderbeu që pas fitores rokamboleske 4-3 me Vllazninë iu afrua kryesuesve (që janë me pikë të barabarta) me vetëm një pikë më pak. Në javët e mbetura bien në sy përballjet e Partizanit me Skënderbeun dhe apo edhe Kukësit me Tiranën dhe Skënderbeut me Kukësin. Këto takime do të jenë vendimtare për titullin duke mos përjashtuar edhe përballjet me ndjekësit.

Europa

3 ekipe të tjera po luftojnë për vendin e katërt të Superligës. Luftëtari, Vllaznia dhe Teuta janë duke u sfiduar për një një vend në Ligën e Europës. Pretendimin e ka shprehur edhe Flamurtari i Vlorës që nëse do të kishte edhe 6 pikë më shumë të hequra nga Federata për shkak të borxheve renditja do të ishte ndryshe.

Rënia nga kategoria

Vlonjatët gjithsesi duhet të bëjnë llogaritë që të mos bien nga kategoria. Vendosmëria e Laçit për të mos u dorëzuar sidomos pas fitores 2-1 ndaj Luftëtarit e ka rihapur garën edhe në fund të tabelës. E vështirë situata edhe për Tiranën që e sheh veten më të rrezikuar se kurrë për shkak se nuk ka asnjë fitore në 2017-ën. Tifozët vazhdojnë bojkotin ndërsa tashmë duhet të bëjë llogaritë për të mos rënë.

Thashethemet

Nuk shpëton as ku kampionat nga thashethemet. Kush e shiti? Kush e bleu? Kjo ia la! Ajo e mori! Më të përfolurat në shtyp ka qenë një aleancë e Skënderbeut, Kukësit dhe Tiranës. Partizani është përfolur për aleancë me Teutën dhe Luftëtarin. Asgjë e konfirmuar, por shumë rezultate në fushë kanë lënë shije të hidhur. Arbitrat shpesh janë kontestuar duke u akuzuar se kanë favorizuar ekipe të caktuar. Tashmë që gara është e hapur në të gjithë tabelën e renditjes “edhe aleancat e kanë bërë më të bukur këtë kampionat”. /përgatiti lapsi.al./