• |
ide | kryesore

Trukimi i ndeshjeve në Shqipëri, zhvillim i ri në hetimet e prokurorisë

Arkiva, Sport
football-scandal-470x242.jpg


Pas një periudhe hetimi 2-vjeçare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, “shpërndahet” në rrethe dosja e fiksimit të rezultateve sportive në ndeshjet e Kategorisë Superiore në sezonin 2013-2014. “Panorama Sport” ka mësuar se hetimi i kryer në një procedim të vetëm me dyshimet e një grupi të strukturuar kriminal është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda por kjo e fundit nuk ka gjetur prova për ekzistencën e një organizmi të tillë.

Për këtë arsye, akuza e grupit të strukturuar ka rënë, ndërsa është vlerësuar se ka vend për vazhdimin e hetimeve në lidhje me veprën penale  “paracaktimi i rezultateve në garat sportive”. Duke qenë se kjo vepër është kundravajtje penale dhe dënohet deri në dy vite burg, është vendosur që materialet e dosjes në fjalë të ndahen dhe ti dërgohen prokurorive të rretheve ku ndodhen ekipet “nën hetim”.

Për këtë arsye, në prokuroritë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Kurbinit e Kavajës janë dërguar materialet përkatëse dhe ka nisur hetimi. Pikënisja e kësaj çështje ka qenë raporti voluminoz sjellë në Shqipëri nga dy përfaqësuesit e UEFA në prill të 2014.

Asokohe, Emilio Garcia, shef i Komisionit të Disiplinës në Qeverinë Europiane të Futbollit dhe Ulf Kluser oficer i integritetit në UEFA, dorëzuan raportin ku thuhej se janë ngritur dyshime se ekipet si Skënderbeu, Teuta, Flamurtari, Laçi, Tirana dhe Besa e Kavajës kanë fiksuar rezultatet e ndeshjeve jo vetëm në Kategorinë Superiore, por edhe në takimet që kanë luajtur në kompeticionet tjera të sezonit jashtë Shqipërisë.

Prokuroritë e rretheve edhe pse kanë disa javë që kanë marrë në dorëzim materialet e veçuara për secilën skuadër, ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për ngritje akuzash apo masa penale ndaj ekipeve apo pjesëtarëve të tyre.

Në raportin e UEFA-s citoheshin informacione të raportuara nga dy agjenci të specializuara në hetimin e basteve dhe monitorimin e ndeshjeve sportive. Bazuar në këto informacione ishte bërë një listë me ekipet dhe ndeshjet “e dyshuara” si të trukuara.