• |
ide | kryesore

Basha refuzon Ramën për kryeprokurorin e përkohshëm

Lajme, Të fundit



Lulzim Basha refuzoi propozimin e Edi Ramës për të zgjedhur bashkë një Pokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Sipas një reagimi të Partisë Demokratike, opozita është e gatshme të presë deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e kryeprokurorit. Partia Demokratike i dërgoi sot një letër Kryetarit të Kuvendit ku radhit arsyet se pse procedura e nisur nga Kuvendi është antikushtetuese.

Fakti i parë –Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

PD vëren se një situatë të ngjashme për Inspektorin e Lartë te Deklarimit të Pasurive, kjo mazhorancë e zgjidhi duke ia zgjatur mandatin nga 5 vjet që e kishte me ligjin e vjetër, në 7 vjet me ligjin e ri. PD i sjell në vëmendje mazhorancës se nuk mund të bëjë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të saj për të kontrolluar politikisht zyrtarin përkatës.

Fakti i dytë – Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprejes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se duhet të përmbushen dy kushte:

1- Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut.
2- Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Në përfundim, PD shprehet se:

· Të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor.
· Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm.
· Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.



1 Comment

  1. Ta zgjedhi vete ps meqe refuzon te ulet ne tavoline per negociata. Mos te ankohen pastaj jo e ka kap rama prokurorine e te gjera te tiĺla si kjo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *