• |
ide | kryesore

Si u vranë nënë e bir në Vlorë para se të digjeshin

Lajme, Të fundit



Një ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 10 persona, mes të cilëve bashkëshortja e viktimës Olsi Hoxhallari, Hysnija dhe ish-kunata e tij, Afërdita Hoxhallari së bashku me dy vajzat.

Ndërkohë, burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar pohuan se është shpallur në kërkim një banor i zonës ku banonin viktimat Salkie Hoxhallari, 73 vjeçe dhe i biri, Olsi 43 vjeç.

Për arsye hetimore, emri i personit të shpallur në kërkim nuk bëhet me dije. Ndërkohë, pohohet se shënjestra e tij ishte 43-vjeçari, i cili dyshohet se mund të jetë goditur me sëpatë në kokë, ndërsa nëna e tij e moshuar është mbytur me tel, ndërsa flinin.

Grupi hetimor ka dyshime se nënë e bir janë vrarë nga një person i afërt në befasi, pasi fqinjët nuk kanë dëgjuar asnjë gjë.

Një prej të dyshuarve për ngjarjen është dhe bashkëshortja e Olsi Hoxhallarit.

Në dëshminë e saj para hetuesve të çështjes, nëna e një djali 3 vjeç, është shprehur se ka qenë me burrin dhe vjehrrën deri pak orë para ngjarjes dhe vetë ata i kanë kërkuar që të shkojë të vërë djalin e vogël për të fjetur.

DËSHMIA E GRUAS SË VIKTIMËS

“Rreth orës 11:30 minuta e lashë tim shoq dhe vjehrrën duke parë televizor dhe kalova në dhomën tjetër për të fjetur. Nuk kam dëgjuar asgjë. Rreth orës 4 të mëngjesit më zgjoi një si zhurmë, shpërthim, pashë tym e flakë dhe thirra menjëherë komshinjtë për ndihmë.

Kur shkova, derën e gjeta të mbyllur nga brenda dhe e hapa me forcë. Kur hyra brenda në dhomë, i gjeta të dy pa shenja jete, ndërsa orenditë ishin djegur thuajse të gjitha”.

Kështu është shprehur gjatë marrjes në pyetje Hysnie Hoxhallari, bashkëshortja e 43-vjeçarit Olsi Hoxhallari, i cili u gjet i masakruar mëngjesin e së dielës së bashku me të ëmën, Salkien, ndërsa skenës së krimit i ishte vendosur zjarri për të zhdukur gjurmët. Grupi i hetimit ka një dyshim për dinamikën e masakrës në familjen korçare, e cila prej 15 vitesh kishte ndërtuar jetën në Vlorë.

Për zbardhjen e ngjarjes po hetohet në disa pista. Dyshohet se nënë e bir mund të jenë vrarë nga një person i afërt, por po hetohet dhe për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur 43-vjeçari Olsi Hoxhallari në Greqi. Ndërkaq, dje u zhvillua ceremonia mortore e nënë e bir, në të cilën morën pjesë miq e të afërm si dhe banorë të qytetit të Vlorës nga ky krim i rëndë dhe ende pa autor.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *