• |
ide | kryesore

Identifikohen policët në qelinë e të vrarit në komisariatin e Korçës

Lajme, Të fundit



Policia ka identifikuar policët që hynë në qelinë, ku mbahej i izoluar 27-vjeçari i arrestuar Enea Ftoj, por pavarësisht hetimeve nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, deri tani nuk ka asnjë të pezulluar.

Bashkëshortja e Enea Ftoit ka identifikuar me emra policët që dhunuan bashkëshortin e saj para vdekjes. Sipas saj, ata i kanë dhënë ilaçe dhe i kanë injektuar gjilpëra, pasi ai ishte përdorues heroine.

“Policia e dhunoi. Kemi dëshmitarë, edhe ditën që e arrestuan e kishin rrahur në mes të pazarit, një polic me emrin Alqi, Kreshniku dhe një tjetër Elton, quhen. Pastaj edhe kur vija unë, që i sillja ushqime dhe cigare, më ka thënë nga dritarja që e kishin rrahur. Më tha edhe që po i bënin ilaçe qetësuese, sepse ishte përdorues droge. Ma tha me gojën e tij po më bëjnë “Diazepam”, “Loream” dhe gjilpëra. Unë iu thashë policëve që mos i bëni gjilpëra se e ka zemrën e dobët, por ata më thanë ai ka zemër ariu”, është shprehur bashkëshortja e viktimës pas ngjarjes.

I riu, që la jetimë tre të mitur, është përcjellë në banesën e fundit dy ditë më parë, ndërsa familja e tij akuzon pikërisht efektivët e Komisariatit të Korçës, të cilët e kanë dhunuar Enean, derisa ai ka gjetur vdekjen.

SHÇBA-ja, që po heton vdekjen e të riut, ka marrë kamerat e sigurisë që ndodhen vetëm në korridoret e Komisariatit. Në sajë të pamjeve të këtyre kamerave, aty duken policët që kanë hyrë e kanë dalë nga qelia. Ndërkohë që në dhomën e izolimit, ku ka qëndruar viktima, nuk ka kamera sigurie.

Familjarët e të ndjerit e filmuan trupin e tij në morg për të faktuar dhunën. Enea Ftoj u arrestua për vjedhje me dhunë, dy muaj pasi ishte liruar nga burgu.

Ai i kishte marrë varësen një gruaje në rrugë ndaj ishte arrestuar nga policia. Familjarët e mësuan lajmin e dhimbshëm në gjykatë, teksa prisnin që ai të sillej nga toga e shoqërimit nga ku do t’i komunikohej masa e sigurisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *