Parlamenti grek ka filluar diskutimin dhe voton në ditët në vijim një amendament të depozituar së fundmi nga Ministria e Politikave të Emigracionit, që propozon uljen e tarifave të lejeve të qëndrimit të emigrantëve të huaj në masën mbi 50%, duke favorizuar në këtë mënyrë edhe qindra mijëra emigrantë shqiptarë.
Amendamenti sjell gjithashtu një masë mjaft të favorshme për brezin e dytë të emigrantëve, që paguanin pas moshës 18 vjeç siguracion privat për të marrë leje qëndrimi, ndërsa tani atë mund ta sigurojë njëri nga prindërit.
Në të njëjtën kohë rriten tarifat për lejet që u jepen individëve ekonomikisht të pavarur, nga 300 në 1.000 euro, ndërsa nga 500 deri në 2.000 euro rritet vlera për ata persona që përfitojnë leje qëndrimi pasi kanë blerë pasuri të palujtshme ose investojnë në Greqi.
Amendamenti përkatës nuk ndryshon shumën prej 300 eurosh për lejen e qëndrimit të brezit të dytë të emigrantëve, ndërsa krijohet gjithashtu një tarifë e re për emigrantët që aplikojnë për lejet me qëndrim të përhershëm, si dhe rritet nga 50 në 100 euro pagesa për lejen e një punëtori sezonal.