• |
ide | kryesore

Kriza në Gjermani, si e ndihmon Merkelin shkarkimi i refugjatëve në Shqipëri

Arkiva, Kryesore



Një çarje, në dukje e pariparueshme, nisi të zgjerohet ditët e fundit mu në bërthamën e koalicionit qeverisës në Gjermani, midis CDU dhe CSU, dy partive simotra që mbajnë në jetë një prej qeverisjeve më jetëgjata, me ndikim të fuqishëm në të gjithë Bashkimin Europian.

Mosmarrëveshja për emigrantët qe duke i dhënë fund komunikimit mes kancelares Angela Merkel dhe ministrit të saj të Brendshëm, Horst Seehofer, një duel që minon themelet e qeverisë. Merkel si kryetare e Unionit Social-Demokrat (CDU) në njërën anë dhe Seehofer, kryetari i Unionit Kristian-Social (CSU) në anën tjetër kanë arritur në pikën që rrezikon t’i japë fund qeverisjes.

“E kam të pamundur të punoj me këtë grua për më shumë” mësohet të ketë thënë Seehofer në një nga mbledhjet e partisë së tij. Por jo të gjithë mendojnë njësoj, sepse në CDU, Merkel ka mbështetjen e shumicës së deputetëve të saj, ndërsa sondazhet i japin mbështetjen e mbi 50% të qytetarëve gjermanë.

Kriza rrezikon qeverinë dhe analistët ngrenë pyetjet nëse, Merkel do të arrijë të dalë e gjallë (politikisht) edhe kësaj radhe.

Një milion e gjysëm emigrantë mes Merkel dhe Seehofer

Ministri i Brendshëm, Seehofer i CDU-së, kërkon që policët gjermanë të kenë të drejtë t’i kthejnë mbrapsht emigrantët që në kufi. Pra, ata që janë regjistruar më parë, në një vend tjetër të Bashkimit Europian, të kthehen mbrapsht nga policia dhe të mos lejohen të hyjnë në territorin gjerman.

Seehofer ka qenë një kritik i vazhdueshëm i politikave të Merkel për “dyert e hapura” ndaj krizës së emigrantëve.

Rreth një milion emigrantë hynë në Gjermani vetëm në vitin 2015. Shifrat janë në rënie, por Gjermania mbetet ndër destinacionet më të preferuara të emigrantëve.

Merkel nuk e pranon këtë zgjidhje. Seehofer thotë që ai mund ta bëjë thjesht me një urdhër për policinë. Për këtë i ka vendosur ultimatum Merkelit, të gjejë një zgjidhje deri në fillim të korriikut.

CDU-CSU janë bashkë që nga viti 1949, por distanca këto ditë është e madhe. Në mes janë më shumë se 1 milion e gjysëm emigrantë.

Rreziku i zgjerimit të Krizës në Bashkimin Europian

Në Gjermani Merkelin e kanë vënë me shpatulla pas murit. Kancelarja nuk lëvizë nga qëndrimi i saj, e megjithatë e ka të qartë se një devijim i Gjermanisë nga ato që i quan vlera dhe parime të Bashkimit Europian, do të vinte në diskutim vetë ekzistencën e BE-së.

Të gjithë presin zgjidhjen që premtohet prej vitesh.

Italianët kërkojnë ndryshimin e rregullave. Duke qenë vendi i parë ku regjistrohen emigrantët, kërkojnë një shpërndarje më të drejtë. Me refuzimin e anijes Aquarius me më shumë se 600 emigrantë, mes tyre edhe disa trupa të vdekur, treguan se durimit i ka ardhur fundi.

Plani i Seehofer për t’i kthyer mbrapsht emigrantët, do të thotë shtim të numrit të tyre në Itali dhe Greqi, dy vende që thonë se nuk kanë më kapacitete për të mbajtur më shumë refugjatë. Në anën tjetër, “grupi i Vishegradit” nuk pranojnë asnjë diskutim. Polonia, Çekia, Hungaria dhe Sllovakia as nuk pranojnë të ulen në një tryezë ku flitet për të pritur emigrantë në vendet e tyre.

Shqipëria pikë shkarkimi e emigrantëve, propozimi i të djathtëve të BE

Të mërkurën e kësaj jave, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Seehofer dhe Salvini i Ligës Veriore italiane patën një takim. Nga ky takim dolën me një “aks vullneti” kundër emigracionit ilegal, që mediat e huaja e vunë menjëherë në anë të kundërt me Merkel.

“Aksi kundër Merkel” ka një ide, që Shqipëria të jetë vendi i parë ku të shkarkohen anijet me emigrantë.

Shqipëria duket një zgjidhje perfekte për politikanët e djathtës europiane. është në Europë, por është jashtë Bashkimit Europian. Ç’ka e bën më të pranueshme marrëveshjen është dëshira e shqiptarëve për të qenë me çdo çmim pjesë e Europës.

Kjo zgjidhje shihet me simpati nga të djathtët europianë. U fol për këtë edhe në takimin e Sebastian Kurz me kryeministrin Edi Rama, gjatë vizitës në Vjenë.

Deutsche Welle e konfirmoi përmes zëdhënësit të qeverisë austriake se PO, ka negociata me Shqipërinë për ngritjen e kampeve të refugjatëve. Qeveria shqiptare ende e mohon.

“Qendra recepsioni” i quan Deutsche ëelle kampet e qëndrimit të refugjatëve, duke përmendur madje edhe Portin e Durrësit si vendin më të përshtatshëm të mundshëm.

“Porti i Durrësit ka kapacitete për të regjistruar dhe për të strehuar numra të mëdhenj njerëzish që tentojnë të kalojnë detin dhe që mund të shoqërohen për në Shqipëri nga anijet e FRONTEX, agjensia e mbrojtjes së kufijve të BE-së.

Pasi janë strehuar në Shqipëri, këta individë, të cilëve nuk i jepet azil politik mund të riatdhësohen, ndërsa ata që kanë nevojë dhe iu hapet rruga për azil, mund të shpërndahen nëpër Europë”.

Nga interesi i gjermanëve, italianëve, spanjollëve, grekëve etj, kjo duket një zgjidhje perfekte. Ashtu duket edhe nga këndvështrimi personal i Merkel. DW vazhdon “Një marrëveshje me Shqipërinë mund të ndihmojë në uljen e tensioneve midis kancelares Merkel dhe Seehofer. Plotësohet dëshira e ministrit që kërkesave për azil t’i jepet përgjigje jashtë BE-së dhe ai fiton pikë në zgjedhjet e tetorit në Gjermani, ndërsa qeveria rifiton stabilitet.

Edhe Shqipëria përfiton nga kjo marrëveshje, sepse duke pranuar ngritjen e kampeve të refugjatëve, fiton simpatinë e focave konservatore të Europës, që janë skeptike për hapjen e negociatave”

Marrëveshja: Refugjatët në këmbim të negociatave…

Shifra e 600 mijë kosovarëve që përmendi zv.Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj u konsiderua nga Edi Rama si “guri i budal

lait” që hidhet në pus e për të cilën nuk ia vlen të flitet. Megjithatë kryeministri nuk ka mohuar ende asgjë. Rama po luan me fjalët njësoj si kur doli lajmi i armëve kimike.

Përkundrazi, të enjten Fatmir Xhafaj doli nga zyra e Seehofer, kryetarit të CDU-së gjermane me premtimin se Gjermania do të votojë pro hapjes së negociatave. Edhe Ministri ynë i Jashtëm e falenderoi kancelaren Angela Merkel me një mesazh publik për mbështetjen.

Por në këmbim të çfarë? Nga sa shkruajnë mediat e huaja, marrëveshja duket e qartë.

Në Shqipëri ka pasur vetëm një zë kundër brenda mazhorancës. Deklarata e Pandeli Majkos se ftesa për hapje negociatash duhet refuzuar nëse vjen bashkë me kampet e refugjatëve kaloi në heshtje.

Rreziku nga refugjatët

Emigrantët e dëshpëruar që përplasen në brigjet europiane kanë shkaktuar përplasje të forta dhe incidente në vendet ku kanë qëndruar.

Rasti më i fundit ishte ai i arrestimit të një 23 vjeçari nga Togo, i cili u kap për t’u deportuar në Itali. Por policët u gjendën përballë një grupi prej 150 apo 200 emigrantësh që i sulmuan dhe i detyruan të tërhiqen. Rasti provokoi zemërimin e opinionit gjerman dhe i dha zë retorikës anti-emigracion.

Rreziku qëndron i njëjtë edhe në Shqipëri. Një zyrtar austriak për emigracionin, duke sqaruar idenë për ngritjen e kampeve në vendin tonë shpjegoi se policia shqiptare do të ketë nevojë për asistencë. Rreziku vjen nga fuqizimi i bandave të trafikantëve që do të përpiqen të përfitojnë dhe nga elementë të ISIS, që fshihen në radhët e emigrantëve.©Lapsi.al

 

 

 

 

 

 



2 Comments

  1. Nese Merkel bie nga kancelaria javen tjeter, ka nje fare gjase qe marreveshja e detit mes Shqiperi – Greqi te mos neneshkruhet. Do i madhi zot te shohe keto politiqenet tane me pazaret e ndyra te diktuara nga Germany ne kembim te marrjes se pushtetit dhe mosndershkushmerise per zhvatjen e parave e pasurive te vendit. Ptthu! Maskarenj

  2. Per bythen e ketyre (merkel etj.) & te Piktor -‘nuk kini pa gjo akoma’
    Shqipëria, vendi i parë ku të shkarkohen anijet me emigrantë,
    hihihihihihi hesapet pa HANXHIne!.

    Tik tak

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *