• |
ide | kryesore

Grabitja e argjendarisë në Durrës, arrestohet një prej autorëve

Lajme, Të fundit


Arrestohet njëri prej autorëve të grabitjes së argjendarisë në bulevardin kryesor të qytetit të Durrësit, ngjarje e ndodhur më 18 prill 2018.

Personi i arrestuar është një 22 vjeçar nga Tirana i cili akuzohet se në bashkëpunim me një person tjetër ka arritur të marrë tek kjo argjendari rreth 2 kg flori me vlerë rreth 5.6 milionë lekë

Operacioni i koduar “Argjendaria ” çoi në arrestimin e Robert Hasmuça.

“Uniformat blu kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës , Vendim Nr.216, datë 20.06.2018 në ngarkim të shtetasit Hasmuça, i cili në bashkëpunim me një shtetas tjetër në lagjen Nr.4 kanë vjedhur me dhunë një argjendari ku kanë marrë rreth 2 kg flori me vlerë rreth 5.6 milionë lekë” informoi sot policia e Durrësit.

Elektroshok – Atëherë u raportua se argjendaria ishte në pronësi të Gjergj Ngresit dhe se dy personat e dyshuar ishin të maskuar dhe me armë dhe kanë përdorur elektroshok për të neutralizuar shitesën.

Kamerat spiune – Kamerat e sigurisë kishin kapur momentin kur 22 vjeçari me banim në Tiranë kishte hedhur bluzën me të cilën ishte veshur kur kishte kryer grabitjen në një nga koshat e plehrave në rrugicat pranë vendit ku kishte kryer grabitjen.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës pas një pune hetimore të specializuar dhe bazuar në prova shkencore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së argjendarisë” vijon policia.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e plotë të bashkëpunëtorit të dytë të grabitjes së argjendarisë

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me dhunë ” në bashkëpunim parashikuar në nenin 139, 25 të Kodit Penal.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *