• |
ide | kryesore

Pas aksidenteve fatale, policia jep këshilla si t’i shmangni

Lajme, Të fundit



Mithat Tola, Drejtor i Policisë Rrugore Policia e Shtetit, ka dhënë disa këshilla në një deklaratë për mediat, për të shmangur aksidentet rrugore, që këto ditë të fundit kanë sjellë disa viktima. Nisur nga aksidenti i rëndë, i ndodhur në afërsi të “Urës Kamzës” në datë 08.08.2018, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy persona të tjerë, tha Mithat Tola, pas një analize paraprake të shkaqeve të aksidentetve të ditëve të fundit evidentojmë:

  1. Tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara është një nga shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe premisë për tu përfshirë në aksidente rrugore;
  2. Përdorimi i aparateve celularë gjatë drejtimit të mjeteve, është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj humbjen e kontrollit të tij;
  3. Qarkullimi i biçikletave duhet të bëhet në kujdesin më të madh. I kujtojmë drejtuesve të mjeteve, se drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve nuk janë të mbrojtur nga “karkasa” metalike, sikundër mjetet, mjafton një pakujdesi e dyanëshme dhe pasojat mund të jenë të rënda.

Kapërcimi i kryqëzimeve prej drejtuesve të biçikletave duhet të bëhet në kujdesin maksimal, dhe në çdo rast edhe drejtuesit e biçikletave duhet të fillojnë të përdorin kaskot mbrojtëse të veçanta;

  1. Këmbësoret brenda qendrave të banuara, duhet të kryejnë kapërcimin e kryqëzimeve me kujdesin maksimal atje ku janë vijat e kalimit të këmbësorëve, dhe jo të kryejnë kapërcime diagonal të kryqëzimeve, duke venë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve;
  2. Jashtë qendrave të banuara këmbësoret duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve dhe të kryejnë kapërcimin e karrexhatës vetëm kur të jenë të sigurt që kapërcimi i rrugës mund të bëhet pa rrezikuar jetën e tyre;
  3. Policia Rrugore detyrohet të kujtojë, se gjatë drejtimit të mjeteve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, janë të ndaluara përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, shkrepja e fotografive për ti shkëmbyer në instagram dhe në fb.
  4. Nisur nga analiza e aksidenteve të muajit Korrik dhe muajit Gusht në vijim, ka një numër “të evidentuar” drejtuese mjeti femra që janë përfshirë në aksidente rrugore më pasojë, ndërkohë që dua të theksoj edhe të dhënën tjetër, që vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale.

Sa më sipër kërkojmë të rritet kujdesi nga kjo kategori drejtuesish mjeti gjatë drejtimit të mjetit, për të evituar shkeljet dhe për të parandaluar në maksimum aksidentet me pasojë jetën e tyre dhe të shtetasve të tjerë.

Drejtimi i mjeteve nga “kjo kategori drejtuesish” me kepucë të përshtashme, mospërdorimi mundësisht edhe i duhanit gjatë drejtimit të mjeteve, mosmbajtja e kafshëve shtepiake në kabinat e autoveturave të tyre pa i siguruar, do të lehtësonte manovrueshmërinë më të mirë gjatë drejtimit të mjeteve dhe do të evitonte përfshirjen në aksidente.

Tola bëri me dije se policia ka vijuar me kontrolle me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe u bëri apel qytetareve për bashkëpunim.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *