• |
ide | kryesore

Teatri/ Opozita letër Ruçit: Të miratohet dekreti i Metës, jo drafti me ndryshimet e PS

Lajme, Të fundit



Opozita e bashkuar i kërkoi Gramoz Ruçit që të mos përfshijë në seancën e së enjtes ligjin për teatrin, duke kërkuar rrëzimin e ligjit të modifikuar të Teatrit Kombëtar.

Nërpërmjet një letre të përbashkët, dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Edmond Spahu dhe Petrit Vasili i shkruajnë kryetarit të Kuvendit se nesër duhet të votohet vetëm dekreti i Presidentit Meta (Pro), që e rrëzon ligjin, dhe jo varianti i ri i modifikuar me ndryshimet që propozoi dhe kaloi shumica dje në Komisionin e Veprimptarisë Prodhuese.

Kryetarët e grupeve kërkojnë nga Ruçi që të mos pranojë në seancë plenare që të miratohen ndryshimet në ligjin për Teatrin Kombëtar.

“Kuvendi nuk mund të rimiratojë të njëjtin ligj me përmbajtje të ndryshuar në vetëm pak dispozita të tij dhe vetëm për një element. Votimi Pro dekretit të Presidentit të Republikës në këtë rast pamundëson prezantimin e çdo ndryshimi të mundshëm në ligj, për shkak se ligji është rrëzuar në tërësinë e tij.” – thuhet në letrën e opozitës.

Në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, opozita kërkon gjithashtu ndërprerjen e çdo procedure legjislative për ligje/projektligje, për të cilat janë ngritur pikëpyetje mbi kushtetuetshmërinë e tyre.

Edhe pas ndryshimeve të paraqitura nga PS, ditën e djeshme në Komision, opozita shprehet se ky ligj i paprecedentë është një akt korruptiv dhe kriminal, që asgjëson Kushtetutën dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike.

“Miratimi i Ligjit për Teatrin është antikushtetues. Dekreti i presidentit rrëzon ligjin në tërësi. Votimi i djeshëm është atentat kushtetues.

Maxhoranca juaj ka dhunuar kushtetutën. Kuvendi duhet të votojë vetëm pro dekretit të presidentit. Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, mbroni ligjin.” – shkruhet në letrën që kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së i dërguan sot kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

©Lapsi.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *