• |
ide | kryesore

Golat e derbit/ Partizani përmbys Tiranën në fund të lojës

F1, Sport



Një derbi, i bukur e i vërtetë, ashtu si i takon përballjes që etiketohet klasikja e futbollit shqiptar. Por edhe një herë triumfi i takon Partizanit, që ngjyros kryeqytetin të kuq dhe fluturon në krye të klasifikimit me moralin në qiell, për një fitore me përmbysje në derbi e për zhbllokimin e Rubin Hebajt, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. I ka të gjitha arsyet Skënder Gega për të qenë i lumtur.

Tirana u braktis në castin më të vështirë nga tifozët e saj. Fanatics që duhet të ishin mbështetja më e madhe e bardhebluve, që rrezikojnë seriozisht rrëzimin një tjetër herë në Kategorinë e Parë, nuk u prezantuan në Selman Stërmasi për motive “parimore”. Pas 14 ndeshjesh pa fitore në fakt, duhej një zemër e madhe për të besuar se gjërat mund të ndryshonin në derbin 151 të kryeqytetit.

Nuk i ndihmoi 24 herë kampionët as “macja e zezë”, që skaramantikët e panë si shenjë nga lart, për një fat që mund të ndryshonte këtë herë, e që më në fund do ti nxirrte bardheblutë kokëlartë nga stadiumi i tyre, ku ishin miq. E besuan aq shumë, sa kur Trashi përplasi topin në traversë e në kampin tjetër Grend Halili e zhyti në rrjetë, u duk se profecia (ajo e maces) mund të përmbushej.

Por llogaritë nuk ishin bërë me zgjimin e Rubin Hebajt. E kush e kishte llogaritur shkodranin e vogël, që në këtë kampionat nuk e kishte dërguar topin kurrë në rrjetë e aq më pak se Rubini i Partizanit do të merrte shkëlqimin me dy gola në derbi, duke fundosur Tiranën.

 

Halili, presidenti, u emocionua shumë nga goli i të birit në fushë. Ishte si hakmarrja e të rënit, kundër atyre tifozëve që e bojkotuan dhe e kritikojnë. Vetëm se emocionet iu venitën. Partizani e coi në 15 serinë në ndeshjet derbi pa humbje dhe këtë herë Hebaj, që ngjason me emër uragani, mund të përfshijë Tiranën në një krizë ku pasojat mund të godasin këdo.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *