Një ditë, pas dëbimit nga Shqipëria të ambasadorit të Iranit dhe një diplomati tjetër, vjen dhe reagimi nga Teherani.
Agjencia IRNA, duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Bahram Ghasemi shkruan se: “Shqipëria është bërë një viktimë e paqëllimtë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa grupeve terroriste”.
Sipas tij, marrëdhëniet e Iranit me vendet e tjera po i shkatërron SHBA dhe Izraeli. Ghasemi është shprehur se Shqipëria nuk duhet të lejojë që t’i diktojnë marrëdhënien e saj me Teheranin.
Qeveria shqiptare largoi një ditë më parë ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë Gholamhossein Mohammadnia si dhe një zyrtar tjetër të ambasadës.Veprimi i qeverisë shqiptare u përshëndet nga SHBA.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, reagoi i pari. Më pas erdhi dhe reagimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Në adresë të Ramës, mbërriti dhe një letër prej presidentit amerikan Trump.
“Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”, thuhej në letër.